“Qasja e Tiranës” për kreditë e këqija të 9 korporatave do të veprojnë deri më 2020
Rregullorja e pagëzuar me emrin “Qasja e Tiranës”, e ngjashme me “Modelin Podgorica”, që synon të ristrukturojë të paktën 9 korporata të mëdha, pjesë e 35 bizneseve të mëdha në vend, do të funksionojë deri në fund të vitit 2020.
Nisma e Vjenës për NPL -të vuri në dukje në raportin e fundit të monitorimit për ecurinë e kredive të këqija në tremujorin e dytë 2019 se, rregullorja që Banka e Shqipërisë ka miratuar në korrik 2019 për trajtimin jashtë-gjyqësor të kredimarrësve të mëdhenj “Tirana Approach”, e hartuar me asistencën e Bankës Botërore do të jetë në fuqi për 18 muaj, deri në dhjetor 2020.
Qëllimi i kësaj rregulloreje është të lehtësojë rimëkëmbjen financiare të huamarrësve të mëdhenj, të cilët janë të ekspozuar në më shumë se një bankë dhe parashikon krijimin e një platforme të përbashkët ndërbankare, përmes një zgjidhjeje finale.
“Tirana Approach” (Qasja e Tiranës) u miratua nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë në korrik të këtij viti dhe do të aplikohet në vijim për të gjitha bizneset, që dështojnë të shlyejnë shumat e kredisë mbi 8 milionë euro.
Huatë me probleme në banka zinin 10.4 të totalit të huasë në fund të muajit tetor të këtij viti Në vlerë absolute, kreditë e marra nga bizneset e individët, që janë më shumë se tre muaj vonesë në kthimin e kësteve, janë më pak se 500 milionë euro.
Në katër vitet e fundit u bënë shumë ndërhyrje, por ristrukturimi i kredisë me marrëveshje jashtë gjykate nuk u adresua në kohë për shkak të hezitimit të bankave për të gjetur një marrëveshje të përbashkët efikase për ristrukturimin e një kredie të madhe.
Për ta bërë të prekshëm procesin, Banka e Shqipërisë pilotoi ristrukturimin e një biznesi, ecuria e të cilit do të bindte bankat të shkonin më tej me marrëveshjen.
Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, rasti kishte një ekspozim në një shumë kredie rreth 26 milionë euro në më shumë se një bankë. Së pari, iu kërkua biznesit të hartonte një biznes-plan ku të tregonte mundësinë reale të ripagimit të kredisë. Në këtë proces biznesi u mbështet nga një kompani e madhe audituese nga “Big 4”, duke dhënë edhe besimin për bankat.
Më pas, me koordinimin e Bankës së Shqipërisë, bankat ranë dakord që t’i jepnin mundësinë e ristrukturimit të kredisë, duke e konsideruar si një kredi sindikale. Më tej, u negociua për një kohë të gjatë për termat. Bankat vendosën më pas për një rifinancim për kapitalin e punës. Në fund, kur të gjitha bankat ranë dakord, u nënshkruan kontrata të reja me terma të njëjta për të gjitha bankat.
Pas goditjes që bankat pësuan pas krizës ekonomike të vitit 2008 nga moskthimi i huave, të cilat kulmuan në 24,9% të totalit të kredisë së dhënë në shtator 2014, me vlerë mbi 1 miliard euro, institucionet ndërkombëtare financiare u angazhuan për të zgjidhur ngërçin që po mban peng kreditimin normal të ekonomisë sot e kësaj dite./Monitor
Fraksion.com