AktualitetPolitikëTë fundit

“Presidenti nuk bën miting”; Majko: 8 dhjetori i takon një situate të caktuar

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, e cilësoi të paprecedentë thirrjen e Presidentit Ilir Meta drejtuar shqiptarëve, që të mblidhen më 8 dhjetor në “Qytet Studenti”, për një tubim në mbrojtje të demokracisë dhe Kushtetutës.

I pyetur nga mediat, ministri Majko kritikoi Kreun e Shtetit, teksa tha se ai duhet të ulë palët në tavolinë për dialog dhe jo të bëjë thirrje për miting.

“Nuk është koha për tubime, 8 dhjetori i takon një situate të caktuar. Presidentit i duhet të ulë palët në tavolinë dhe jo të bëhet palë. Nuk e kuptoj konceptin se duhet të dalë presidenti nëpër Shqipëri dhe të bëjë miting. Nuk di të ekzistojë ky precedent në vende të tjera perëndimore, ku ne aspirojmë”, tha Majko.

Më herët, Presidenti Ilir Meta, ftoi sërish qytetarët që të bashkohen bashkë me të në 8 dhjetor në Qytetin Studenti.

“Të dashur qytetarë! Më 8 dhjetor ju pres në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia”! Le të nderojmë së bashku studentët e Dhjetorit, të cilët me guximin e tyre çelën një epokë të re për shqiptarët, atë të demokracisë që kjo pakicë politike e ka tradhtuar, duke shpopulluar vendin, duke eliminuar përfaqësimin e qytetarëve e duke kapur shtetin përmes dhunimit të Kushtetutës e ligjit.

Mjaft me këtë pakicë politike që keq qeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi! Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998”, shkruan Meta.

 

Fraksion.com