AktualitetPolitikëTë fundit

Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, Bardhi: Votimi në Kuvend, antikushtetues

Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me votimin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend duke e konsideruar votim antikushtetues.

“Votimi i sotëm i Kuvendit është antikushtetues dhe i papranueshëm. Ai provoi që emërimet në Gjykatën Kushtetuese ishin të paracaktuara, duke cenuar rëndë besimin e publikut tek Gjykata Kushtetuese”, tha sot sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi në një deklaratë për mediet.

Bardhi tha se “Partia Demokratike mbështet një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të pavarur, të pavarur nga politika, që  garanton ruajtjen e parimit të ndarjes mes pushteteve, dhe mbron të drejtat dhe liritë e njeriut nga abuzimi i Qeverisë”.

“Partia Demokratike dënon projektin për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, në shkelje flagrante të Kushtetutës. Nëpërmjet votimit të dy kandidatëve, për njëherë, Kuvendi ka shkelur një tjetër urdhërim të Kushtetutës dhe ligjit. Kjo është shkelja e dytë e Kushtetutës nga Kuvendi. Kushtetuta është e qartë. Ajo përcakton radhën e përzgjedhjes së kandidatëve nga secili institucion. Nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme që radha e përzgjedhjes që ka përcaktuar Kushtetuta të mos respektohet. Mungon vetëm Gjykata e Lartë, që është një rrethanë e pavarur nga vullneti i Kuvendit dhe i Presidentit. Prandaj edhe radha që ka caktuar Kushtetuta, për Presidentin dhe Kuvendin, është e detyrueshme të zbatohet shton ai”.

Po ashtu Bardhi shton se “Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Presidentit në këtë rast ishte i domosdoshëm, aq më tepër, kur emrat në listat e të dyja institucioneve janë të njëjta. Duke shkelur radhën e caktuar nga Kushtetuta dhe duke tentuar që t’i imponojnë Presidentit kandidatët që ai ka të drejtë të zgjedhë, Kuvendi, ka kryer një akt të rëndë antikushtetues, me pasoja në funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese. Alibia se Presidentit i ka kaluar afati 30 ditor i përzgjedhjes së një kandidati, rrëzohet nga Kushtetuta”.

 

Fraksion.com