“Kosova në Këshillin e Sigurimit”; Kërkohet ndjekja penale e krimeve historike
Në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork u diskutua për Kosovën mbas raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për gjendjen e sigurisë dhe demokracisë në vend.
Daçiç: Jeta e serbëve dhe joshqiptarëve nuk ka përmirësim
Nga Serbia kishte ardhur ministri i jashtëm Ivica Daçiç, i cili kujtoi që në fillim të fjalës së tij, se ka folur për herë të parë në Këshillin e Sigurimit shtatë vjet më parë, dhe se kjo është hera e 22 që flet. Sipas tij, që nga ajo kohë “asnjë përmirësim nuk është bërë në jetën e serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë e Metohi”. Në një fjalim emocional që zgjati më shumë se 20 minuta, duke e kaluar disa hetë 5 minutëshin e rekomanduar për fjalimet, Daçiç, me fytyrë të skuqur, me sy të skuqur foli duke iu drejtuar herë kosovarëve herë diplomatëve, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Ai foli për të drejtat e mohuara të serbëve pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova. “Këtyre njerëzve duhet t’u jepet siguria, liria e lëvizjes dhe e fesë, e drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, punësim dhe pjesëmarrje në jetën politike”, tha Daçiç. “Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar 6 vjet më parë, ka qenë e vështirë për t’u arritur, por zbatimi i saj nuk ka pasur sukses,” tha ai më tej duke siguruar se “Serbia është e gatshme që të vazhdojë bisedimet që nesër nëse plotësohen kushtet”.
Ministri i Jashtëm serb foli edhe për vendosjen e tarifave kundrejt produkteve serbe një vit më parë, duke thënë se nuk është e drejtë që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kërkojnë që vendet e tjera të njohin pavarësinë e Kosovës dhe i kërkojnë Serbisë të ndalojë fushatën për kthimin mbrapsht të njohjeve të “të ashtuquajturës Kosovë”. Duke folur për zgjedhjet në Kosovë ai tha se ato janë përdorur kundër serbëve. Ai foli për Albin Kurtin, i cili sipas tij, ka si synim krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe, se kërkon të hedhë poshtë pikat e marrëveshjes së arritur në Bruksel për komunat me shumicë serbe. Kurti, tha ai, ka thënë se do të kërkojë nga Serbia dëmshpërblime lufte. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar Daçiç shprehu indinjatën që zyrtarë perëndimorë qëndrojnë në takime me Albin Kurtin, kur ky i fundit tregon flamurin e Shqipërisë. “A do të qëndronit pa folur, nëse do të takoheshit me përfaqësues të Republikës Serbe të Bosnjës dhe do të shihnit flamurin serb,” pyeti ai. “Ne jemi të vegjël, por jo budallenj,” tha Daçiç duke u futur në rolin e viktimës. Ai foli për rrezikun e luftëtarëve të IS, të kthyer në Kosovë, që sipas tij janë 250 në numër dhe “përbëjnë rrezik jo vetëm për rajonin, por për gjithë Europën”.
Daçiç ka ardhur “i përgatitur” në Këshillin e Sigurimit. Ai ka sjellë me vete letër që duket si dokument. Duke iu kthyer përfaqësueses së Kosovës, Vlora Çitakut, ai kujton takimin e kaluar të Këshillit të Sigurimit, kur Çitaku e pati quajtur çështjen e Kosovës, çështje dekolonizimi. “Kosova dhe Metohija nuk përmenden në asnjë dokument të Kombeve të Bashkuara për dekolonializimin”, tha Daçiç. Ai ngriti dorën dhe një letër bashkë me të, duke i thënë Vlora Çitakut se ajo është çertifikata e saj e lindjes, në gjuhën serbe dhe shqipe, për të treguar se Serbia nuk i ka pas ndaluar shqiptarëve përdorimin e gjuhës shqipe. Nuk mësohet si ka përfunduar çertifikata e lindjes së Vlora Çitakut në duart e zotit Daçiç. As nëse Vlora Çitaku ka qenë ndonjëherë në gjendje të mbajë vetë në dorë çertifikatën e lindjes. Ministri i Jashtëm i Serbisë e mbylli fjalimin duke kërkuar vazhdimin e misionit të UNMIK-ut dhe misioneve të tjera dhe duke siguruar se Serbia, do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje për të krijuar një vend më të mirë, ku shqiptarët dhe serbët të jetojnë së bashku, “siç kanë jetuar në shekuj”.
Mbas tij e morri fjalën Vlora Çitaku, e cila foli për zgjedhjet e 6 tetorit, ku për herë të parë shumë zgjedhës ishin qytetarë që kanë lindur në Kosovën e lirë, pa luftë. Ajo foli për vajzat e Kosovës kampione si Majlinda, Nora, Distria, që e ndryshuan kuptimin e shprehjes “ti lufton si vajzë” në Kosovë. Foli për ndeshjen e futbollit me Anglinë, për rritjen e numrit të kompanive që merren me IT, për shtypin e lirë, për gra si Fahrije Hoti, që ndërtuan Krushën nga hiri. Vlora Citaku e mbylli duke shprehur shpresën për të ardhmen e vendit.
Prioritet dialogu
David Clay, koordinator politik në misionin e Mbretërisë së Bashkuar pranë OKB, mbështeti fokusimin e raportit të OKB që i kërkon qeverisë së Kosovës të respektojë të drejtat e njeriut, të ofrojë të drejta të barabarta për minoritetet, të përmirësojë transparencën dhe forcojë ligjin. Ai kërkon që qeveria e Kosovës të dyfishojë forcat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për këtë “policia e Kosovës duhet ta ushtrojë funksionin e vet në të gjithë Kosovën”. Kosova, Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kontribuojnë për t’i dhënë drejtësi viktimave, tha ai. “Beogradi dhe Prishtina duhet të vazhdojnë në vendet e tyre me gjykimin e krimeve historike”, theksoi David Clay. Ai e quajti prioritet dialogun Prishtinë- Beograd. Vendi i tij ka të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit.
Edhe përfaqësuesja e Francës, Anne Gueguen, zëvendësambasadore, e quan të rëndësishëm dialogun Prishtinë Begrad dhe tha, se së bashku me Gjermaninë, Franca do të punojë për të nxitur dialogun. Franca ka të drejtë vetoje në KS.
Në emër të Rusisë, foli Vassily A. Nebenzia, i cili e quajti situatën në Kosovë jo të mirë dhe e quajti dialogun të rënë në koma. Ai tha se nuk shihet përmirësim i të drejtave të serbëve në Kosovë. Nebenzia iu kthye incidentit me dy punonjësit e UNMIK, njëri prej të cilëve ishte nga Federata Ruse. “Rrahja brutale tregon për kulturën e ulët të policisë dhe tregon pse Kosova nuk duhet të jetë anëtare e INTERPOL-it”, tha ai. Ai u ankua për reduktimin e UNMIK-ut dhe e quajti rrezik për rajonin projektin e “Shqipërisë së Madhe” dhe kthimin e luftëtarëve terroristë në Kosovë. Nebenzia theksoi se qëndrimi i vendit të tij është i prerë, marrëveshja duhet arritur nga dy palët në bazë të rezolutës 1244. Federata Ruse ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.
Ambasadori Christian Heusgen foli në emër të Gjermanisë duke e nisur me zgjedhjet, që ai i quajti të lira dhe të ndershme, në pjesën më të madhe të Kosovës. “Për opozitën në Kosovë ka qenë e mundur që të organizojë fushatën zgjedhore dhe nuk ka pasur ndonjë grupim që të jetë ndaluar për të marrë pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet krijuan mundësinë e ndryshimit të qeverisë”, tha ambasadori Heusgen. Problemet në zgjedhje kanë qenë në zonat me shumicë serbe, ku është bërë presion mbi kandidatët që nuk janë të Listës Serbe, shtoi ai. “Megjithëse fjalimi i ministrit serb ishte i gjatë, ne nuk dëgjuam të fliste për këtë çështje. Mbase herës tjetër mund të na tregojë çfarë ka ndodhur në zonat me shumicë serbe,” tha ambasadori Heusgen.
Ai përmendi detyrat që ka përpara Kosova të krijojë qeverinë, qeveria të bëjë reformat në bazë të ligjit, dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë. Ambasadori gjerman kërkoi që mbas 20 vjetësh, UNMIK-ut të adoptohet me realitetin e ri. “Situata në Kosovë ka ndryshuar në mënyrë drastike, prandaj ne mendojmë se detyrat e UNMIK-ut mund të merren përsipër nga organizata të tjera kosovare ose ndërkombëtare”, tha ambasadori duke përmendur fjalorin shqip- serbisht të mbështetur nga UNMIK. “Kjo është fantastike, tha ambasadori, por edhe ambasadat e tjera mund ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk duhet UNMIK- për një fjalor”. Lidhur me incidentin me punonjësit e UNMIK-ut, ai theksoi se “duhen respektuar ligjet ndërkombëtare, por duhen respektuar edhe ligjet humanitare ndërkombëtare.” Ai tha se e mbështet qeverinë e Kosovës në krijimin e një qendre për dhunën seksuale dhe punën e komisionit për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt. Gjermania është anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, për një periudhë dyvjeçare të filluar në prill të vitit 2019./DW
Fraksion.com