AktualitetTë fundit

Brahimi: Ngritja e SPAK sapo anëtarët të kalojnë “vetting-un”

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Brahimi deklaroi sot se SPAK ka mbetur ende i paformuar pasi anëtarët duhet të kalojnë “vetting-un” në formë të prerë. Brahimi ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin monitorues të reformës në drejtësi.

Brahimi raportoi për komisionin lidhur me çështjet për të cilat ishte pyetur paraprakisht me shkrim nga Komisioni i Pavarur: nëse janë marrë në konsideratë nga KLP rekomandimet e miratuara nga komisioni; nëse ka qenë objekt diskutimi i KLP-së rasti i anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi; lidhur me ecurinë e procesit të shqyrtimit dhe renditjes së kandidaturave për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm; lidhur me problemet e mundshme në komunikimin me institucione dhe organe shtetërore gjatë procesit të marrjes së informacioneve që lidhen me procesin e verifikimit të kandidatëve.

Brahimi u përgjigj edhe në lidhje me pyetjet nëse ka një projeksion kohor për ngritjen e SPAK-ut; nëse kanë të dhëna për numrin e prokurorëve të shkarkuar deri tani sipas tre shtyllave të rivlerësimit; nëse ka pasur koordinim me agjencitë e huaja për verifikimin e kandidatëve për SPAK-un; çështje që lidhen me trajtimin financiar të SPAK-ut; ecuria e ngritjes së kapaciteteve administrative të KLP-së dhe problematikat e vërejtura gjatë ushtrimit të kompetencave në raport me dispozitat ligjore në fuqi.

Lidhur me krijimin e SPAK-ut, një nga çështjet me interesin më të lartë, Brahimi u shpreh se institucioni që ai drejton e ka miratuar listën me 15 kandidatë dhe se si institucion ka mbetur ende i paformuar pasi anëtarët duhet të kalojnë “vetting-un” në formë të prerë.

Sa i takon pyetjes për ecurinë e procesit të shqyrtimit dhe renditjes së kandidaturave për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm, Ibrahimi u shpreh se nesër KLP do të zhvillojë mbledhjen që i jep fund procesit të përzgjedhjes së kandidatëve.

“Do të sigurohemi që 4 kandidatët do të plotësojnë kushtet”, tha ai.

“Pasnesër nis faza e dytë dhe finale e procesit, vlerësimi profesional i kandidatëve, pikëzimi dhe renditja e kandidatëve. Besojmë se procesi do të përmbyllet brenda tetorit. Por, këtu nuk përfshihen ankimimet. Nëse do të ketë ankimime, mund të shtyhet me 10 ditë”, u shpreh kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që gjithashtu shtoi se, Këshilli ka detyrën t’i verë kandidatët në kushte të barabarta dhe se rregulloret e bëra prej tyre kanë pasur për qëllim pamundësimin e ndonjë pabarazie mes kandidatëve.

 

Fraksion.com