U liruan 5 ish-gazetarë të së përditshmes opozitare në Turqi
Pesë ish-gazetarë të së përditshmes opozitare “Xhumuriet”, përfshirë karikaturistin e shquar Musa Kart, u liruan nga burgu të enjten në mbrëmje pas një vendimi të gjykatës së apelit.
Të pesë ata po vuanin dënime prej më pak se pesë vitesh për “ndihmë dhe forcim të grupeve terroriste, pa qenë anëtarë të ndonjë grupimi”.
Të pesë gazetarët ishin në mesin e 14 anëtarëve të stafit të gazetës, përfshirë gazetarë e drejtues, të dënuar në vitin 2018. Në fillim të këtij viti ankimimi i tyre u kundërshtua nga një gjykatë më e ulët.
Ata u akuzuan se mbështesin, përmes mbulimit në shtyp, tre organizata që Turqia i ka shpallur si grupe terroriste, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, Frontin Ultra të Majtë Revolucionar për Lirinë e Popullit si dhe lëvizjen Gulen, që autoritetet turke e akuzojnë si autore të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Gazetarët qëndruan në burg 142 ditë.
Gazeta e përditshme “Xhumuriet” ka pasur shpesh probleme me autoritetet qeveritare. Ish-kryeredaktori i saj Xhan Dundar u arratis drejt Gjermanisë pasi u dënua në vitin 2016 për një artikull ku thuhej se Turqia kishte furnizuar me armë grupet islamike në Siri.
Fraksion.com