“Do përzgjidhen vetëm 500”; Nis testimi fizik për 1040 aplikantë për policët e rinj
Mëngjesin e së martës, ka nisur faza e testimit fizik për 1040 konkurentë për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit, nga ku më pas do të përzgjidhen vetëm 500.
Testi fizik po kryhet në ambientet e repartit të forcave speciale “Renea”.
Njoftimi është bërë i ditur nga Akademia e Sigurisë në faqen zyrtare të saj.
500 aplikantët që do të përzgjidhen, pas testit fizik do t’i nënshtrohen edhe testit psikologjik për të bërë vlerësimin nëse aplikanti është i aftë dhe nëse mund t’i bashkohet patrullave të përgjithshme të policisë.
Ndërkaq, kanë mbetur ende 5 ditë kohë (deri më 15 shtator) nga aplikimet për 100 vende në strukturat e hetimit të policisë së shtetit.
Aplikantët duhet që të kenë mbaruar me rezultate të larta studimet në degët Ekonomi, Juridik dhe Teknologji Informacioni. 100 të përzgjedhurit e këtij aplikimi, pas përfundimit të kursit në Akademinë e Sigurisë, marrin menjëherë gradën nën/komisar.
Fraksion.com