AktualitetBota+Të fundit

Balenat rikthehen në Manhatan

Qyteti i Nju Jorkut ka pika të panumërta tërheqëse për vizitorët e saj të shumtë, por tani ka diçka tjetër turistike dhe shumë të pazakontë – balenat. Kohët e fundit duket se gjithnjë e më shumë balenat kanë filluar të shihen në ujrat e Nju Jorkut pranë Manhatanit. Ambjentalistët thonë se kjo është një shenjë inkurajuese se uji po bëhet më i pastër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Nelson njofton.

Fqinjë të pazakontë – gradaçielat e Nju Jorkut dhe balenat. Por, ky është realiteti sot në Manhattan.

Shkencëtarët thonë se balenat po afrohen përsëri pranë portit të Nju Jorkut, pas një shekulli, falë cilësisë më të mirë të ujit.

Ato filluan të kthehen pak vite më parë, duke tërhequr turistë dhe banorë të vetë qytetit.

Kuratori veteran i akuariumeve Paul Sieswerda themeloi organizatën vullnetare Gotham Whale. Grupi mbledh informacione rreth këtyre krijesave dhe i kalon ato tek shkencëtarët.

Ne e bëjmë këtë përmes qytetarëve të zakonshëm që ecin në këtë zonë. Në se shohin një balenë këtu dhe marrin një fotografi për ta dokumentuar këtë, e kalojmë në të dhënat tona“, thotë zoti Seiswerda.

Shkencëtarët përdorin informacionin për të ndjekur lëvizjen e balenave dhe sigurojnë që anijet e portit të ngadalësojnë shpejtësinë aty ku balenat janë më aktive.

Disa anije, si “American Princess”, ofrojnë shëtitje për turistët për të parë dhe për të fotografuar balenat.

Fotot e reja të balenave krahasohen me të tjera të mbajtura në një katalog për vite nga shkencëtarët. Deri tani, janë identifikuar më shumë se 105 balena.

Ekspertët thonë se bishti dhe krahu i balenës janë identifikuesit më të mirë. Secili është unik, si gjurmët e gishtërinjve të një personi.

E kam parë këtë bisht edhe më parë. Kjo tregon se e mbajnë mend këtë zonë si vend ushqimi. Prandaj vijnë… Whoooooa!”, thotë Celia Ackerman.

Edhe pse njerëzit janë të mrekulluar nga balenat, ekspertët thonë se nuk dinë shumë për to.

Balenat mund të jetojnë deri në 200 vjet, mund të mos flenë për tre muaj dhe të qëndrojnë pa ngrënë deri në tetë muaj. Ato gjithashtu mund të dëgjojnë njëra-tjetrën deri në 15 kilometra larg. Dhe në sajë të aparaturave që regjistrojnë balenat nën ujë, shkencëtarët kanë zbuluar se ka tetë lloje të ndryshme që notojnë pranë Nju Jorkut.

Të jesh në gjendje të punosh me këto balena të lira dhe të lumtura dhe t’i kesh përsëri në ujërat e Nju Jorkut është fantastike!“, thotë Paul Sieswerda, drejtor ekzekutiv i shoqatës Gotham Whale.

Një ndalesë rutinë në udhëtimin e gjatë të balenës, por një sinjal i fuqishëm i aftësisë ripërtëritëse të natyrës.

 

Fraksion.com