AktualitetPolitikëTë fundit

“Qenka marrë i pandehur?”; Rama merr vesh në kafe lajmin për Bashën

Në një bashkëbisedim me banorë të njësisë Nr.11 në kryeqytet, me të cilët konsumoi edhe kafen e mëngjesit i pari i qeverisë, Edi Rama iu kthye sërish situatës politike.

Ai foli sërish për presidentin Meta, e nismën e Kuvendit për ta shkarkuar, por edhe për kryedemokratin Basha. Në kafe dikush i tha se një ditë më parë Bashën e kishte thirrur të pandehur Prokuroria e Tiranës për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse. Kryeminsitri u habit dhe pranoi se një gjë të tillë po e merrte vesh tani, pasi nuk e kishte lexuar më parë.

“Pse është marrë i pandehur ai? Se paskam parë këtë lajm”, komentoi Rama e më tej pyeti Ulsi Manjën për akuzën.

Ky i fundit tha se akuzat janë dy: Falsifikim formulari dhe pastrim parash.

“Ai ka dalë 7 herë dhe ka thënë gjëra të ndryshme”,- tha Rama në lidhje me lobimin rus.

Kujtojmë që kompania Biniata Trade me lidhje ruse dyshohet se ka paguar 150 mijë dollarë lobistin që punonte për Partinë Demokratike, të cilin Basha ka deklaruar se nuk e njeh.

Në ftesën ‘për paraqitje’ thuhet se Basha do pyetet në cilesinë e të pandehurit më 17 qershor, ora 9:30 dhe në rast se nuk paraqitet do të shoqërohet me forcë.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë po kryen hetime në funksion të procedimit penal me Nr.645 të vitit 2018. Në lidhje me këtë procedim penal janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, nga të cilat kanë rezultuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 190/3 dhe 287/ç të Kodit Penal, të kryera nga shtetasit Lulëzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi”.

 

Fraksion.com