Thaçi: Berlini as nuk hapi e as nuk mbylli ndonjë ide për marrëveshjen me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se takimi i Berlinit që u mbajt më 29 prill me nismën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, “as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.
Këto komente, sipas një njoftimi të zyrës së tij, presidenti Thaçi i bëri gjatë një takimi me ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, “për të ndarë me ta opinionet nga takimi i Berlinit dhe pritjet për takimin që do të mbahet në Paris”.
Ai thuhet të ketë vlerësuar kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Një pjesë e pjesëmarrësve të takimit të Berlinit por edhe vëzhguesit e pavarur thanë se takimi u dha fund ideve për ndryshim kufijsh në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Por, presidenti Thaçi, citohet të ketë thënë se “takimi i Berlinit as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.
Ai ka mirëpritur kërkesën për vazhdimin e bisedimeve në kërkim të një marrëveshjeje paqësore, “që për Kosovën duhet të jetë marrëveshje përfundimtare, ligjërisht detyruese, që sjellë njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Marrëveshje me të cilën ruhet substanca dhe karakteri shumetnik i vendit dhe shoqërisë, si dhe që hap rrugë integrimit në NATO dhe në BE”, u shpreh preh presidenti Thaçi.
Ai ka nënvizuar rëndësinë që shtetet anëtare të Bashkimit Europian, shtetet perëndimore në përgjithësi, të jenë më unike dhe më të qarta në këtë proces, në veçanti vendet e “quintit” Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.
Ai, sipas komunikatës, u tha diplomatëve se “ishte befasuar për të keq kur ka mësuar që për takimin e Berlinit nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Presidenti Thaçi shpreson që takimi në Paris që pritet të mbahet më 1 korrik, “do të jetë më mirë i përgatitur, se vendet anëtare të BE-së do të jenë më unike, do të prezantojnë ide kreative si të lëvizet përpara dhe takimi do të ketë substancë”.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar për shkak të reagimit të Beogradit ndaj vendimit te qeverisë në Prishtinë që t’u vendosë tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia.
Presidenti Thaçi, theksohet në komunikatë, u tha diplomatëve se “nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia”, duke shtuar se taksa kundër prodhimeve të Serbisë do të mbetet në fuqi.
Fraksion.com