Bllokohen në kufi 762 kg produkte ushqimore të skaduara
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar në kufi 762 kg produkte ushqimore të skaduara.
Në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë, janë bllokuar 762 kg yndyrë gatimi e skaduar (majonezë, ketchup dhe xhel karameli). Ngarkesa me këto produkte ishte nisur nga Kosova dhe pretendohej per ri-eksport në Shqipëri. Inspektorët e AKU-së gjatë kontrollit në kufi kanë konstatuar këto mangësi.
1.Produktet nuk përputheshin me dokumentacionin që shoqëronte këtë ngarkesë, konkretisht raport-analizat nuk i përkisnin këtyre produkteve.
2.Në çertifikatën e cilësisësë ri-eksportit origjina ishte shkruar Kosovë.
3.Produktet e ngarkesës (majonezë, ketchup, xhel karameli) nuk kishin të shënuara në etiketë numrin e Lott-it dhe datën e prodhimit dhe skadencës
4. Produkti yndyrë gatimi në etiketë kishte të shënuar “preferohet të përdoret para datës 30.03.2016” nderkohe qe në ambalazh (kapaku i kutise plastike) kishte të shënuar datën 11.06.2019.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ngarkesa me produktet ushqimore të skaduara u kthye në vendin nga ishte nisur. Me ndryshimet në Kodin Penal që do të miratohen së shpejti masat ndëshkuese ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore do të jenë tejet të ashpra dhe parashikojnë dënim me burg. Ne nuk do të lejojmë askënd që të abuzojë me shëndetin e konsumatorëve shqiptarë.
Nëse sot do të kishim gati ndryshimet në Kodin Penal dhe nuk do të ekzistonte vakumi ligjor që kemi, një rast si ky që goditëm në pikën kufitare të Morinës do të shkonte për ndjekje penale dhe subjekti do të ndëshkohej me burg. Siguria ushqimore është prioritet i punës tonë dhe për asnjë rast nuk do të ketë tolerim ndaj abuzuesve. Ftojmë konsumatorët të jenë bashkëpunues me AKU-në duke denoncuar rastet që konstatojnë se ka abuzim. Siguria ushqimore është një çështje e të gjithëve dhe që kërkon angazhim të përbashkët.
Fraksion.com