AktualitetBota+Life StyleTë fundit

Brunei do të dënojë me vdekje tradhëtinë bashkëshortore dhe komunitetin LGBT

Brunei ka paraqitur ligje të ashpra islame që përfshijnë dënimet me vdekje përmes gjuajtjes me gurë për tradhëti bashkëshortore dhe marrëdhënie homoseksuale.

Vendi, paraqiti ligjet e reja pavarësisht valës së kritikave nga qeveritë e ndryshme botërore, grupet e të drejtave të njeriut dhe personalitetet e njohura botërore.

Me këtë legjislacion, Brunei bëhet vendi i parë mysliman në Azinë lindore dhe juglindore që do të ketë një kod penal të bazuar ne Sheriat apo Ligjin Islamik, duke iu bashkuar kështu vendeve të Lindjes së Mesme, siç është Arabia Saudite.

Ligjet e reja hyn në fuqi më 3 prill, në vendin e pasur me naftë dhe i sunduar nga Sultan Hassanal Bolkiah, dikur njeriu më i pasur në botë.

“Në këtë vend dua të shoh që mësimet islame bëhen më të fuqishme”, tha Bolkiah në një fjalim publik pranë kryeqytetit, Bandar Seri Begawan.

Vendimi ka shkaktuar një valë kritikash në mbarë botën. Kombet e Bashkuara etiketojnë ligjet e reja si “mizore dhe çnjerëzore”.

Ylli i Hollivudit, George Clooney dhe këngëtari, Elton John, kanë bërë thirrje që të bojkotohen hotelet në pronësi të Bruneit në mbarë botën.

Por vendi me shumicë myslimane lëshoi një deklaratë në fundjavë duke këmbëngulur se Brunei “zbaton rendin e vet ligjor” dhe Sheriati “synon të edukojë, respektojë dhe mbrojë të drejtat legjitime të të gjithë individëve”.

Megjithatë, është e paqartë nëse vdekja me gurë në të vërtetë do të zbatohet pasi që shumë prova të hollësishme janë të nevojshme për të shpallur dënimin dhe Brunei nuk ka ekzekutuar askënd për dekada të tëra.

 

Fraksion.com