PE: Gati për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë
Pas vizitës së tyre në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, Komiteti i Parlamentit Europian për Punët e Jashtme theksoi se të dyja vendet kanë treguar angazhimet e tyre në reformat në lidhje me BE-në, shkruan portali “European Western Balkans”.
Viti 2019 është një vit kyç për rrugën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi në qershor shtetet anëtare të BE-së do të marrin një vendim nëse këto vende janë gati që të hapin negociatat për aderim.
Komiteti i PE-së për Punët e Jashtme u takua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe krerë të politikës si dhe opozitën në të dyja vendet nga 27 shkurti deri më 1 mars.
Pas vizitës së javës së fundit, delegacioni i Komitetit të Punëve të Jashtme, i drejtuar nga Tunne Kelam (PPE), theksoi se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zhvilluar reforma substanciale nën rrethana të vështira, si dhe është thelbësore që kryeqytetet e BE-së, duke pasur parasysh arritjet e regjistruara, të njohin progresin e vazhduar dhe të vendosin të hapin negociatat për aderim në BE këtë vit”.
“Në të njëjtën kohë, delegacioni i PE-së i bën thirrje të dyja vendeve që të mos humbasin kohë dhe të vazhdojnë të përqendrohen në reformimin e drejtësisë, ekonomisë, shtetit të së drejtës dhe Administratës Publike. Hyrja në një proces politik demokratik do të jetë me një rëndësi të madhe për vazhdimin e rrugës drejt një anëtarësimi të mundshëm të BE-së”, thotë Komiteti i PE-së për Punët e Jashtme.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që të dyja i kanë bërë detyrat e shtëpisë për fillimin e bisedimeve për të hyrë në BE, por mungesa e një konsensusi për integrimin në BE rrezikon të minojë aspiratën e tyre drejt Europës. Ndonëse vendet kanë treguar vendosmërinë e tyre për reformim në lidhje me BE-në, mungesa e një uniteti kombëtar dhe mosmarrëveshjet në politikën e brendshme mund të pengojnë procesin”, thotë kryetari i delegacionit, Kelam.
Megjithatë, Komiteti i PE-së për Punët e Jashtme, rithekson mbështetjen e tij të qartë për hapjen e bisedimeve në vitin 2019.
“Ne presim për një vendim unanim nga shtetet anëtare të BE-së në Këshill”, thekson Kelam.
Fraksion.com