AktualitetKosovaTë fundit

Kosova kundërshton raportin e kreut të OKB-së, Antonio Guteres

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vlerësimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres, se problemi më i madh në raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk është reflektim i të së vërtetës.

Sipas Haradinajt, vlerësimi i kreut të OKB-së, buron nga raportet që i dërgon misioni i UNMIK-ut, me të cilin, sipas Haradinajt, Kosova e ka shkëputur komunikimin.

“Kosova ka shkëputur komunikimin me UNMIK-un (Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë) dhe nuk po komunikojmë më me ta. Njerëzit e UNMIK-ut i shkruajnë këto letra dhe i dërgojnë atje. Nuk mendoj që është reflektim i të vërtetës”, ka thënë Haradinaj.

Një ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi në New York se korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve, Haradinaj, përsëriti qëndrimin e tij kundër korrigjimit të kufirit.

“Jo, nuk do të ndodhë ashtu. Kosova është e gatshme për një marrëveshje obliguese ligjore dhe gjithëpërfshirëse, që i rregullon krejt temat, por jo një marrëveshje që objekt e ka territorin dhe kufijtë. Nuk duhet shkuar asaj rruge”, theksoi Haradinaj.

Ai ka ritheksuar që Kosova është e gatshme për dialog, por pa kushte dhe e ka cilësuar të pakuptimtë pozicionin e Serbisë, e cila kusht për vazhdimin e dialogut me Kosovën e ka vënë heqjen e tarifës së vendosur për produktet e Serbisë./REL

 

Fraksion.com