Kosovë: Arrihet marrëveshja për ndërprerjen e grevës në arsim
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj kanë arritur marrëveshje me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jashari për ndërprerjen e grevës në arsim.
Pas tri javë greve, sindikalistët e arsimit janë pajtuar me ofertën e institucioneve për rritjen e koeficionit të pagave që pritet të zbatohet përmes Ligjit për pagat, i cili u tha se do të mundësojë edhe rritjen e pagave përafërsisht në nivelin që e kanë kërkuar mësimdhënësit. Kërkesa e mësimdhënësve ishte që me koeficientin e ri të pagave, pagesat e tyre të rriten deri në 30 për qind.
“Të gjithë punëtorëve të arsimit do t’u rritet paga”, ka thënë Veseli gjatë një konference të përbashkët pas takimit.
Kurse kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari, tha se “marrëveshja është shumë e përafërt me kërkesat e sindikatës”. Kështu që, sipas tij, mësimi do të rifillojë të hënën.
Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit para-universitar dhe rreth 70 mijë studentë (në sektorin publik) në Kosovë për 14 ditë më radhë nuk kanë vijuar procesin mësimor, pasi mësimdhënësit e tyre kërkonin rritjen e koeficientit të pagës së paku 30 për qind.
Megjithatë, gjithçka tani mbetet në vendimin e Kuvendit të Kosovës, i cili të shtunën pritet të shqyrtojë dhe miratojë Ligjin për pagat. Aty parashihen koeficientët e pagave për të gjitha kategoritë e sektorit publik.
Pas fillimit të procesit mësimor, i mbetet tani Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të marrë vendim për mënyrën e kompensimit të orëve të humbura.
Valmir Gashi, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pas përfundimit të grevës, Ministria do të ftojë drejtorët e drejtorive komunale të arsimit dhe në koordinim me ta do të vendoset se cilat janë ditët apo koha më e përshtatshme për të zëvendësuar orët e humbura.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çdo orë e humbur mësimore, do të kompensohet.
Fraksion.com