Kosovë: Institucionet arsimore vazhdojnë grevën
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka njoftuar se të gjitha institucionet arsimore në Kosovë kanë hyrë në javën e dytë të grevës.
Në një komunikatë për media kjo Sindikatë ka kërkuar që të mos iu bëhet presion grevistëve.
“SBASHK ka përcjell me kujdes situatën në tërë Kosovën gjatë grevës dhe fton institucionet qendrore e lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur kërkesën legjitime të SBASHK-ut. Po ashtu i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe Konventat ndërkombëtare”, është thënë në komunikatë.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të hënën se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) duhet ta shqyrtojë seriozisht ofertën e Qeverisë.
Haradinaj ka theksuar se oferta e dhënë është krejt ajo çfarë mund të bëjë aktualisht qeveria.
“Kemi marrë veprimin më të madh të mundshëm që ka mundur të merret në këto rrethana. Tash ka mbetur që të reflektojnë dhe ta kuptojnë drejt se nuk jemi duke bërë pazar me ta [Sindikatën]. Në kemi bërë atë që ka qenë e mundur”, është shprehur Haradinaj.
Në orët e vona të së dielës, Haradinaj ka zhvilluar një takim me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, duke i prezantuar ofertën e Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin e arsimit.
Ai i ka ftuar të gjithë mësimdhënësit që t’i kthehen procesit mësimor, pasi Qeveria ka ofruar mbi 20 milionë euro më shumë për sektorin e arsimit, dhe sipas tij, “do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë se do ta kenë një ofertë tjetër”.
Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, kanë thënë të hënën se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.
Mësimdhënësit kanë kërkuar rritjen e pagës 30 për qind./REL
Fraksion.com