AktualitetRajoniTë fundit

Scott: Më shumë guxim në bisedimet Kosovë – Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i është ankuar të premten ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott për taksën shtesë të vendosur nga autoritetet e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja.

Në një takim me ambasadorin amerikan ai ka thënë se me këtë veprim Prishtina ka shkelur Marrëveshjen për tregti lirë në Evropën Qendrore, të njohur si CEFTA.

Ky vendim i Kosovës bëri që presidenti serb javën e kaluar të deklarojë në Bruksel se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve derisa nuk hiqet kjo taksë e cila nxiti edhe reagimin e Bashkimit Evropian që kërkoi heqjen e saj, por edhe të diplomatëve amerikan në Prishtinë dhe Beograd.

Ambasadori Scott i cili tha një ditë më parë se nuk duhen bërë veprime që heqin vëmendjen nga bisedimet, shkroi sot në rrjetet sociale se me presidentin serb ka diskutuar për nevojën e udhëheqjes së guximshme të bisedimeve me Prishtinën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Kosovës miratoi taksën shtesë prej 10 për qind ndaj prodhimeve nga Serbia, si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kosova importon mallra nga Serbia me vlerë prej mbi 400 milionë eurosh dhe zyrtarë të qeverisë thanë se ajo po i përdorë paratë e fituara në Kosovë për të dëmtuar shtetësinë e saj.

Diplomacia serbe pohon se është duke ulur numrin e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe është duke punuar që të pengojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare përfshirë përpjekjet për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë, INTERPOL, në takimin e kësaj organizate që mbahet nga 18 deri më 21 nëntor në Dubai.

Autoritetet në Prishtinë thonë se Serbia nuk duhet të ketë frikë nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol sepse kjo do t’i ndihmonte forcimit të sigurisë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkroi të premten në rrjetet sociale se “Serbia ka një histori të abuzimit me njoftimet e Interpol-it si formë e agresionit ndaj fqinjëve të saj. Kosova në anën tjetër ka bashkëpunuar me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. Serbia nuk duhet të frikësohet nga Kosova në Interpol, por nga e kaluara e saj e pazgjidhur kriminale”, shkroi ai.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, tha se po punon për të penguar këtë anëtarësim dhe sipas saj, hyrja e Kosovës në Interpol “do të paraqiste dhunë ligjore sepse asnjë shtet, nuk mund të bëhet anëtar nëse nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara ose vend vëzhgues”.

Një vit më parë Kosova kishte dorë nga kërkesa për pranim në këtë organizatë, meqë nuk kishte siguruar mbështetjen e mjaftueshme.

Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është kusht për integrimet evropiane, ndonëse kundërshton pavarësinë e saj që u shpall në shkurt të vitit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

 

Fraksion.com