AktualitetBota+Të fundit

DASH: Nuk ka asnjë marrëveshje për lirimin e Brunson

Edhe pse së fundmi u shtuan hamendjet se Turqia mund të lejojë pastorin amerikan Andrew Brunson të kthehet në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund përballjes diplomatike midis Ankarasë dhe Uashingtonit , Departamenti Amerikan i Shtetit, në një reagim zyrtar tha se nuk kishte asnjë marrëveshje mes palëve, për lirimin e Brunson, por shtoi se shpresojnë shumë që pastori të rifitojë lirinë në seancën gjyqësore të ditës së premte.

Përveç Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Zëvendës presidenti amerikan, Mike Pence nuk pranoi të kishte ndonjë marrëveshje të tillë, teksa foli në një konferencë shtypi, ku gjithashtu uroi lirimin e Brunson.

“Mbetemi me shpresë që në seancën gjyqësore të së premtes, Turqia do të shohë rrugën e saj të qartë dhe të lirojë këtë njeri të mirë, i cili është fajtor për asgjë dhe i cili është burgosur për disa vjet padrejtësisht”, tha Pence.

“Presidenti Trump, administrata jonë, e ka bërë të qartë se ne do të vazhdojmë të qëndrojmë fort, deri sa pastori Brunson të jetë i lirë dhe të kthehet në shtëpi, në SHBA, me familjen dhe kishën e tij”, shtoi Pence, një i krishterë i devotshëm i cili ka punuar për të liruar Brunson për dy vitet e fundit.

Erdogan ka qenë në krye të zërave për ndjekjen ligjore të pastorit Brunson, ndërkohë që marrëdhëniet me Uashingtonin përkeqësoheshin.

Pastori amerikan përballet me 35 vjet burg për terrorizëm dhe akuza për spiunazh. Seanca e tij e ardhshme gjyqësore është planifikuar për të premten. Prokurorët e akuzojnë atë se ka mbështetur ndjekësit e klerikut turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, të fajësuar nga Turqia për grushtin e dështuar të vitit 2016. Pastori akuzohet gjithashtu për ndihmë ndaj grupit separatist kurd të ndaluar, PKK.

Uashingtoni i ka quajtur akuzat të pabaza, duke akuzuar Ankaranë për pengmarrje diplomatike. Në muajin gusht, Presidentit Trump pjesërisht si hakmarrje për ndjekjen penale të pastorit Brunson, e goditi Turqinë me tarifa tregtare. Kjo shkaktoi një rënie të madhe të lirës turke. Erdogani u kundërpërgjigj, duke e akuzuar Uashingtonin për luftë ekonomike.

 

Fraksion.com