Studimi: Standartet demokratike në rrezik në vendet e industrializuara
Një polarizim i vazhdueshëm në shoqëritë e vendeve të zhvilluara po i rrezikon gjithnjë e më shumë standartet demokratike, thuhet në një studim të Fondacionit Gjerman Bertelsmann.
Përkeqësim i standarteve demokratike dhe të shtetit ligjor në shumë vende të industrializuara. Një studim i Fondacionit Bertelsmann krahason 41 vende të industrializuara të OECD-së dhe Bashkimit Europian dhe arrin në përfundimin se ka “një tendencë në rënie të cilësisë së demokracisë.” Gjermania në këtë renditje zë vendin e pestë. Kryesuese është Suedia, e ndjekur nga Finlanda, Norvegjia, Danimarka. Vendin e gjashtë e zë Zvicra.
Në bazë të studimit 26 vende kanë shenja të qarta të përkeqësimit të strukturave demokratike dhe ligjore. Veçanërisht këto zhvillime negative vihen re në Hungari, Poloni, Meksikë dhe Turqi, shkruan DW.
Por edhe një vend si SHBA, ku vlerat e demokracisë dhe lirisë janë “pjesë e pathyeshme e botëkuptimit të vendit” jep shenja përkeqësimi. Një president, që i cilëson mediat si “armike” dhe që nuk e njeh funksionin konrollues të tyre “turpëron dhe është një rrezik për demokracinë dhe lirinë.”
Polonia, Turqia, Hungaria
Me shqetësim vihet re, se megjithë rënien e cilësisë së demokracisë dhe qeverisjes, nuk bie automatikisht besimi i elektoratit në lidershipin politik. Kështu në Poloni, Hungari dhe Turqi vihet re një rritje e besimit në qeverisje. “Ky zhvillim bën të qartë, se në disa vende vlerat bazë demokratike nuk janë të rrënjosura plotësisht”, bën të ditur Daniel Schraad-Tischler, një nga bashkëautorët e studimit.
Por edhe në Gjermani dhe vendet skandinave është rritur polarizimi partiako-politik duke vështirësuar reformat. Në Gjermani ka një polarizim të theksuar mes “së majtës” dhe “të djathtës”, veçanërisht me forcimin e partisë populiste, AfD. Ajo që vihet re në disa vende është një “fushatë zgjedhore e pandërprerë”, thotë studiuesi Schraad-Tischler. Qeveritë nuk ia dalin dot të komunikojnë planet e tyre si duhet dhe të arrijnë ujditë e nevojshme. Ky problem vihet re edhe në Gjermani.
Fraksion.com