AktualitetKosovaTë fundit

Korrigjimi i kufijve, Haradinaj: Na kthen në të kaluarën tragjike

Ramush Haradinaj deklaroi se korrigjimi i kufijve rrezikon kthimin në të kaluarën tragjike, ndërsa bisedimet me Serbinë duhet të çojnë në njohjen e ndërsjellë.

Kryeministri i Kosovës i bëri këto komente gjatë takimit të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Bashkim Europian-Kosovë. Shefi i ekzekutivit e bëri të qartë se është i interesuar të arrihet një marrëveshje detyruese ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kjo sipas tij nuk duhet të ndodh përmes territoreve dhe kufijve.

“Kur flasim për kufijtë i bie t’i kthehemi te shkuarës. Ne nuk jemi të interesuar të shohim rajonin dhe Ballkanin të kthehen mbrapa në atë kohë të tragjedive. E kaluara jonë ishte tragjike. Plagët janë ende të hapura në vendin tonë”, tha Haradinaj.

Shefja e zyrës së Bashkimin Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të sigurojë që të dyja vendet mund të vazhdojnë në rrugën drejt BE-së, duke shmangur çdo bllokadë ndaj njëra tjetrës.

Bashkimi Evropian, u shpreh ajo, pret që të dyja palët të vazhdojnë punën dhe përkushtimin për procesin. Bisedimet e ndërmjetësuara prej tij kanë për qellim kryesor arritjen e një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Debati i kufirit vazhdon të pushtojë të gjithë vëmendjen në Kosovë, ku presidenti Hashim Thaçi mbron idenë e tij për korrigjim, ndërsa opozita dhe një pjesë e partive të koalicionit qeverisës e kundërshtojnë atë ashpërsisht.

 

Fraksion.com