Vetëvendosje distancohet nga veprimet e zyrtarit të saj, Rediart Cankjajt
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas arrestimit të Rediart Cankjajt, i cili edhe është Kryesues i Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë.
“Sot, në mënyrë të papritur, mësuam nga mediat se Rediart Cankja është arrestuar nga policia e Francës me akuzën për trafik droge, pasi i janë gjetur të fshehura në veturën që po udhëtonte bashkë me një qytetare tjetër, tre kilogramë heroinë. Lajmi na ka tronditur pasi Rediart Cankja ka punuar si përkthyes i disa gjuhëve në Agjencinë e Integrimit të Belgjikës si dhe pranë policisë së Belgjikës. Ai ka kryer studimet universitare dhe është i martuar e ka banuar në Belgjikë në mënyrë të rregullt. Për më tepër, Rediart Cankja ka qenë anëtar i Bordit të qytetit të “Antwerp”-it të njërës prej partive parlamentare të Belgjikës, si dhe kandidat për këshilltar komunal në ‘Antwer’”, thuhet në reagimin e VV-së.
Tutje, në reagim thuhet se nga të gjitha informacionet që kanë pasur, Rediart Cankja, ka pasur një jetë dhe profesion të rregullt dhe ka aplikuar dhe është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje vitin e kaluar.
“Marrë parasysh formimin e tij akademik dhe përvojën e tij profesionale pranë autoriteteve belge, anëtarët e Lëvizjes i kanë besuar atij pozicionin e Kryesuesit të Këshillit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, Belgjikë. Prandaj lajmi i sotëm për arrestimin e tij na ka shokuar të gjithëve. Madje, edhe mediat belge kanë raportuar publikisht se profili i Rediart Cankajt nuk lidhet aspak me aktivitete të tilla si trafiku, dhe që pritet të sqarohen rrethanat e udhëtimit të tij me veturën ku është gjetur droga”, thuhet në reagim.
Megjithatë, pas raportimit nga mediat dhe në konsultim me përfaqësuesit e Qendrës në Belgjikë, Komisioni Disiplinor i Lëvizjes Vetëvendosje, ka nisur sot procedurën për shqyrtimin e rastit të Rediart Cankajt dhe ka marrë vendim në mënyrë unanime për pezullimin e menjëhershëm të anëtarësisë dhe angazhimit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Komisioni Disiplinor do të pres vendimin e Gjykatës për të shqyrtuar masën disiplinore të përjashtimit lidhur me këtë rast. Lëvizja Vetëvendosje distancohet dhe dënon ashpër çdo aktivitet të jashtëligjshëm që lidhet me rastin në fjalë, dhe nuk do të tolerojë asnjë sjellje që lidhet me aktivitete të ngjashme”, thuhet në fund të reagimin të Lëvizjes Vetëvendosje.