AktualitetRajoni

Thaçi-Vuçiq: Asnjë zgjidhje në Bruksel

Takimi Thaçi- Vuçiq në Bruksel (07.09) dështoi. Nëse presidenti Thaçi e sheh arsyen tek rritja e vështirësive para zgjidhjes, pala serbe akuzon shqiptarët për mashtrime.

 Në takimin e së premtes në Bruksel (07.09), kur pritej të flitej për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk u arrit as edhe një takim i drejtpërdrejtë mes dy presidentëve, Thaçi dhe Vuçiç. Ata zhvilluan takime të ndara me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini ne rolin e ndërmjetësueses midis përfaqësueve të Kosovës dhe Serbisë.

Rriten vështirësitë para zgjidhjes

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi theksoi se, „vështirësitë janë gjithnjë duke u rritur, sa më shumë që i afrohemi një zgjidhjeje”. Thaçi e pa këtë si arsye për dështimin e bisedimeve midis tre palëve. Megjithatë Thaçi theksoi edhe njëherë rëndësinë e bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare paqësore mes dy vendeve. “Kategorikisht e refuzoj ndarjen, shkëmbimin e territoreve, në të njëjtën kohë pretendimin për krijimin e ndonjë Republika Srpska, duhet përmbyllur markimi i kufirit prej 430 kilometrash me Serbinë, në mënyrë që të njihen të dy vendet tona.”

Megjithë takimin e dështuar, Thaçi theksoi në deklaratën e dytë para mediave se është në interes të arrihet marrëveshja, “në interes të dy popujve tanë.” Kosova është unike për dialog, është unike për negociata dhe duhet të arrihet marrëveshja.”

Në deklaratat e përfaqësuesve nga Kosova dhe Serbia zuri vend edhe vizita e presidentit Vuçiq në Kosovë, e paraparë për fundjavën. Presidenti Thaçi e sheh këtë vizitë si vizitë legjitime të autoriteteve serbe për t’u interesuar për komunitetin serb në Kosovë. Ai shpreson se nga kjo vizitë do të dalin mesazhe të paqes e fqinjësisë së mirë.

Pala serbe e revoltuar

Deklaratat e drejtorit të zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq tregojnë revoltën e palës serbe, megjithëse nuk iu tha konkretisht, se cilat ishin mashtrimet e gënjeshtrat e palës shqiptare. Arsyen e dështimit të bisedimeve pala serbe e sheh tek pala shqiptare. Ajo e akuzon atë për kërcënime dhe mashtrime. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç nuk ka pranuar dialogun me presidentin Hashim Thaçi të premten në Bruksel për shkak të të gjitha “kërcënimeve dhe gënjeshtrave e mashtrimeve” që vijnë nga Kosova, tha Marko Gjuriq. Është bërë i pamundur takimi midis palëve, ka thënë Gjuriq. Ai ka theksuar, se është e papranueshme që presidenti Thaçi shton në bisedime kërkesa për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, sepse në dialog diskutohet vetëm shteti i Kosovës.

Vazhdimi i bisedimeve shihet i vënë në rrezik pas dështimit të sotëm, por zëdhënësja e Komisionit Europian u shpreh para mediave të premten, se një takim i mundshëm pritet të organizohet pas dy javësh./DW

 

Fraksion.com