Momenti i agroturizmit
Janë të paktën 30 aplikime në agroturizëm dhe 8 për bujtina që rezultuan nga mbyllja e thirrjes së hapur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Dy janë masat që mbështesin këtë kategori dhe që garantojnë financim deri në 50% të vlerës së faturave tatimore, por me një kufi të sipërm që është jo më shumë se 1.5 dhe 10 milionë lekë. E gjitha kjo vjen në një kohë kur Parlamenti sapo miratoi një paketë lehtësuese për këtë sektor, duke u fokusuar në tre taksa. Por përfitues do të jenë vetëm ata që kalojnë provën e “certifikimit”
Nga Nertila Maho
Agroturizmi përbën sektorin më të lakuar në politikat e qeverisë gjatë këtij viti, duke e lidhur nxitjen e këtij sektori me mbështetjen nga skema kombëtare, miratimin e rregullave për certifikimin, hartimin e një pakete fiskale lehtësuese që hyn në fuqi më 1 janar 2019. E për ta mbyllur, në programin “100 fshatrat”, theksi është vënë sërish tek agroturizmi dhe nismat që do të marrin bashkitë për të ndërhyrë në funksion të nxitjes së këtij sektori.
Afati i fundit kur subjektet e interesuara, për të përfituar nga thirrja për agroturizmin, që mund të dorëzonin aplikimin e tyre, ishte deri më 15 korrik. Shifrat tregojnë për një rritje të vëmendjes, ku pas mbylljes së thirrjes rezultuan 30 aplikime për agroturizëm dhe 8 të tjera për bujtina, por sërish të paktën në syrin e qeverisë, ky nivel aplikimesh është i ulët. Fituesit për secilën kategori pritet që të bëhen të ditur në dy javët e ardhshme, pasi të bëhet një vlerësim i projekteve, dokumentacionit të depozituar dhe përfitueshmërisë që paraqet secili plan biznesi.
Dy masat që mbështetin agroturizmin dhe kushtet
Të paktën dy janë masat e bëra publike që do të mbështesin agroturizmin si sektor, përmes Skemës Kombëtare. Masa e parë është ajo e njohur si masa 44, e cila ka në bazë mbështetjen për ngritjen apo rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 4 deri në 10 dhoma.
Shuma e financimit në këtë rast është 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1.5 milionë lekë. Përfituesit e mundshëm, sipas Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor Rajonal, mund të jenë fermerët, shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, persona fizikë dhe juridikë, por edhe organizata jofitimprurëse.
Mes të tjerash, nënvizohet që në fund të investimit duhet që të përmbushen të gjithë standardet për akomodimin, sigurinë ushqimore apo mbrojtjen mjedisore. Formati që do të kenë ndërtesat duhet të ruajë karakteristikat e zonës, vlerat tradicionale dhe kulturore të saj. Në të njëjtën linjë, duhet të jetë edhe mobilimi që cilësohet se duhet të jetë “tradicional i fshatit apo qarkut dhe jo luksoz”. Bizneset gjithashtu duhet të kenë paraqitur projektin arkitektonik dhe konstruktiv, preventivin origjinal dhe një përshkrim të investimit të firmosur dhe vulosur/firmë dixhitale, nga një inxhinier i licencuar, për ndërtimin dhe rikonstruksionin.
Masa e dytë, për të cilën është aplikuar dhe do të shpallen fituesit, është ajo 45, e cila parashikon mbështetje më të madhe. Konkretisht, sipas AZHBR, mbështetja për investime në argotizëm kundrejt planit të biznesit parashikon 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10 mijë lekë. “Përfitues i mundshëm në këtë kategori mund të jetë çdo fermer, person fizik dhe juridik që plotëson kriteret ku, së pari, investim mikpritës në shërbim të agroturizmit si veprimtari pritëse që zhvillohet në një fermë/njësi tjetër agrokulturore.
Të ketë plan biznesi standard 5-vjeçar. Aplikuesi të ketë përmbushur detyrimet tatimore dhe shlyerjen e sigurimeve shoqërore, si dhe të sigurojë certifikatën si subjekt i certifikuar në agroturizëm në momentin e kërkesës për pagesë pas kontraktimit me AZHBR. Aplikuesi nuk duhet të jetë debitor ndaj AZHBR dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Investimi nuk duhet të fillojë para lidhjes së kontratës”, – specifikohet te kushtet për përfitimin nga masa 45 e skemës.
Një paketë fiskale e dedikuar, por në fuqi në 2019
Nga 1 janari 2019, agroturizmi do të ketë një trajtim të ri sa i përket shkallës tatimore në disa taksa specifike. Parlamenti pak javë më parë kaloi atë që u quajt si paketa e mesvitit nga qeveria por, që në fakt, hyn në fuqi vitin tjetër. Kështu për agroturizmin tre ishin ndryshimet thelbësore.
Së pari, bëhet një ndryshim në Tatimin mbi të Ardhurat, ku për këtë sektor, norma e tatimfitimit bëhet 5% për një periudhë 10-vjeçare për të gjitha ato struktura që deri në vitin 2021 do të përfitojnë certifikimin sipas rregullave të miratuara më herët. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës, pas përfitimit të statusit.
Së dyti ka një ndryshim edhe te ligji “Për taksat vendore” ku tashmë edhe agroturizmi do të përfitojnë nga heqja e detyrimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë. Kjo nismë vjen vetëm pak kohë pas asaj për të nxjerrë nga lista e atyre që paguajnë këtë detyrim Hotel/Resort me pesë yje, status special” – që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarësh. Aktualisht, taksa e ndikimit në infrastrukturë aplikohet për çdo ndërtim të ri. Në rastin kur ky ndërtim është për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 4% deri në 8% të çmimit të shitjes për metër katror.
Së treti është trajtimi i diferencuar te Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas ligjit që nis zbatimin nga 1 janari 2019, “shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6% aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, të ofruar brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si ‘agroturizëm’, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruar në këto struktura.
Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6%, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si ‘agroturizëm’”. Kjo e fundit e përfshin sektorin e agroturizmit në të njëjtin trajtim si sektori i turizmit, i cili trajtohet gjerësisht me TVSH-në 6% për furnizimin e shërbimit të akomodimit kurse për hotelet me 5 yje, status special, ky regjim përfshin edhe furnizimin me shërbime të tjera brenda strukturës.
Kuadri ligjor për certifikimin, kushtet se çfarë do të quhet agroturizëm
Agroturizmi nuk ka pasur ndonjëherë vëmendje të veçantë, por në fund të 2017-s dhe në fillim të këtij viti nisi të lakohej disi më shumë dhe sektori që qëndron mes turizmit dhe bujqësisë u përfshi më në fund në axhendën e qeverisë. Konkretisht, më 12 janar 2018 do të miratohej edhe vendimi për kriteret që do të shërbenin si bazë për vlerësimin dhe dhënien e certifikatës. Tashmë, jo çdokush mund të “përvetësojë” fjalën agroturizëm në biznesin e tij, nëse nuk plotëson kushtet e vendosura.
Ndër të tjera, këto kushte përfshijnë madhësinë e fermës. Sipas ligjit, ferma bujqësore duhet të ketë, të paktën, 1 hektar tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë sera. Ferma blegtorale, nga ana tjetër, duhet të mbarështojë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë. Te fermat blegtorale klasifikohen edhe stanet.
Agroturizmi mund të zhvillohet edhe në njësi agrokulturore, që kanë si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e akuakulturës (si p.sh., pika përpunimi të vajit të ullirit, kantina të përpunimit të rrushit/frutave, pika përpunimi të bulmetit/baxho, peshkut, ferma akuakulture etj.). Subjektet që zhvillojnë veprimtarinë pritëse sipas kushteve të vendosura nga qeveria duhet të ofrojnë të paktën një nga shërbimet: akomodim, ushqim dhe pije apo veprimtari argëtuese në fermën apo mjedisin përreth.
Subjektet agroturistike mund të ofrojnë edhe akomodimin, por me një kapacitet nga 6 deri në 30 por jo më shumë. I njëjti vendim saktëson se ndërtimet duhet të jenë në harmoni me planet vendore të miratuara dhe të respektojnë karakteristikat e zonës. Ushqimi dhe pijet gjithashtu duhet të bëhen në ambiente të përshtatshme dhe të plotësojnë normat në fuqi për kushtet minimale higjieno-sanitare.
Ushqimi dhe pijet e ofruara në subjektet agroturistike duhet të jenë me origjinë nga ferma (të prodhuara ose të përpunuara në fermë/njësinë agrikulturore), minimalisht në 30% të sasisë së tyre. Nga 30% deri në 70% të produkteve ushqimore/pijeve lejohet të jenë me origjinë lokale, të prodhuara apo të përpunuara nga prodhues lokalë, që kryejnë aktivitet në bashkinë ku ka selinë agroturizmi.
Janë këto disa nga kriteret kyçe për të kaluar fazën e certifikimit, i cili edhe ai pritet të jetë një proces intensiv në pjesën e dytë të vitit, në kushtet kur gjatë pjesës së parë është menduar vetëm për kuadrin rregullator./Monitor
Fraksion.com