AktualitetRajoniTë fundit

Gjuriç: Serbët në Kosovë do të dëgjojnë apelin e Vuçiçit

Në Serbi, është mbajtur mbledhja së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, ku u diskutua për Kosovën.

Pas këtij takimi, për media ka folur drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë do të dëgjojnë apelin e Vuçiqit. Autoritetet përgjegjëse, ushtria, policia dhe shërbimet e inteligjencës i kanë marrë detyrat që lidhen me “parandalimin e operacioneve të agjencive”, tha Marko Gjuriç, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Sot është afati i fundit për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi rritjen e gatishmërisë së institucioneve, në rast të, siç tha, çfarëdo prishjeje të rendit dhe ligjit.

“Këto gënjeshtra për skenarë të dhunshëm janë pjesë e një plani të organizuar dhe sistematik të agjencive të shteteve të huaja, që kanë pasur për qëllim që t’ia lidhin duart Serbisë dhe ta parandalojnë atë që të luftojë për përmbushjen e angazhimeve që kanë marrë përsipër Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar në Bruksel”, tha Gjuriq.

Ai tha se në funksion të këtyre “veprimeve të agjencive” kanë qenë edhe disa përfaqësues politikë, në mesin e tyre, sipas tij, edhe udhëheqësi i Lëvizjes opozitare për Qytetarë të Lirë në Serbi, Sasha Jankoviç.

Gjuriç tha se “është turp i madh që sot në Serbi duhet të flitet për sigurinë e serbëve në Kosovë dhe jo për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga ana e Prishtinës dhe për shkeljen e garancive të dhëna nga faktori ndërkombëtar”.

Gjuriç po ashtu tha se serbët në Kosovë do të dëgjojnë apelin dhe këshillat që kanë marrë të premten, përmes një letre të hapur, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe se nuk do të reagojnë ndaj provokimeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për media, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje historike ligjërisht të detyrueshme, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në komunikatën e Presidencës thuhet se “Republika e Kosovës do t’i përmbahet në përpikëri zotimeve për ruajtjen e qetësisë dhe mosrrezikimin në asnjë mënyrë të objektivave për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

“Pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, bazuar në marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Presidenti Thaçi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, “që të përmbahen nga çdolloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, vazhdon komunikata.

Me herët, mediat lokale në Serbi dhe Kosovës kanë raportuar se forcat e KFOR-it, kanë marrë në kontroll liqenin e Ujmanit, por zyrtaret e KFOR-it ia kanë hedhur poshtë keto pohime.

Zyrtarët thanë se prania e trupave atje është pjesë e një ushtrimi të planifikuar më herët, ka thënë për Radio Evropa e Lirë një zyrtar për media i KFOR-it.

“KFOR nuk ka marrë nën kontroll asgjë. KFOR-i ka mbajtur një ushtrim të planifikuar që dy ditë. Ne kemi bërë një ushtrim të planifikuar në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm në veri. Kjo është bërë për t’i testuar kapacitetet dhe gatishmërinë e ushtarëve të KFOR-it”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Liqeni artificial i Ujmanit në veri të Kosovës, është më i madhi në vend e që menaxhohet nga serbët./REL

 

Fraksion.com