Sejko: Ndërhyrjet kanë qetësuar kursin e këmbimit, pritet të vazhdojnë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka deklaruar se megjithë ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për të normalizuar kursin e këmbimit, oferta për valutë vijon të jetë e lartë tani edhe për shkak të faktorëve sezonalë.
Masat e fundit të politikës monetare dhe ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor kanë rezultuar efektive, tha Guvernatori, dhe normat e interesit të lekut kanë ardhur në rënie ne trëmujorin e dytë.
Kredia me probleme ka rënë rreth nivelet 14 për qind, ndaj bankat duhet të nxiten që të kreditojnë ekonominë , sugjeroi Guvernatori i cili ka pohuar se treguesit e vrojtimit të kredisë njoftojnë për kushte dhe standarte me koncervatore të bankave ndaj huadhënies.
Duke marrë në konsideratë zhvillimet në inflacion, Këshilli i MBikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë norman bazë të interesit, duke e lënë atë në nivelin e 1 për qind. Guvernatoi pohoi se norma e interesit nuk do të ndryshojë para tremujorit të dytë të vitit 2019.
Stimuli monetar mbetet konsistent me poltikën fiskale për të kthyer inflacionin në objektiv 2020. Norma e interesit nuk ndryshon para tremujorit të dytë të vitit 2019.
Guvernatori tha se ekonomia shqiptare vijoi të ndjekë një trend pozitiv zhvillimi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, duke mundësuar zgjerimin e punësimit, rritjen e pagave, përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe forcimin gradual të presioneve inflacioniste.
Këto zhvillime, tha ai, janë mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga përmirësimi i besimit në ekonomi, nga kushtet e favorshme financiare, të diktuara nga politika jonë monetare lehtësuese, si dhe nga goditje pozitive të ofertës.
Pritjet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Megjithatë, materializimi i tyre kërkon ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare, ndërsa balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm.
“Inflacioni mesatar i tremujorit të dytë regjistroi vlerën 2.2%, duke ardhur në rritje nga norma mesatare prej 1.9% e tremujorit të parë. Në veçanti, inflacioni shënoi vlerën 2.4% në muajin qershor. Balanca e presioneve inflacioniste vazhdon të formohet nga një trend gradual forcimi të presioneve të brendshme dhe nga luhatje afatshkurtra të çmimeve të artikujve specifikë të shportës së konsumit” tha Sejko.
Ai shpjegoi se Rritja e inflacionit në tremujorin e dytë pasqyroi efektin rezultant të dy goditjeve të kahut të kundërt. Nga njëra anë, rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare solli rritjen e kostove të prodhimit dhe ushtroi një ndikim rritës në inflacion. Nga ana tjetër, forcimi i kursit të këmbimit frenoi përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në tregun vendas. Faktori i parë ka pasur një intensitet më të fortë veprimi në tremujorin e dytë, por efekti i tij vlerësohet të jetë më i shkurtër në kohë.
Ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 4.45% në tremujorin e parë, dhe të dhënat e tërthorta flasin për ritme pozitive rritjeje edhe në tremujorin e dytë.
Përshpejtimi i ritmit të rritjes ekonomike në tremujorin e parë të vitit pasqyroi rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike, në përgjigje të kushteve të mira hidrike. Në terma më afatgjatë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik u bazua te rritja e konsumit dhe e investimeve private, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë u rrit dhe politika fiskale vijoi të mbetet në kahun konsolidues. Të dhënat e tërthorta sugjerojnë se këto tendenca zhvillimi janë mbartur edhe në tremujorin e dytë.
Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me rritjen e punësimit dhe rënien në 12.5% të normës së papunësisë. Kjo normë përbën nivelin më të ulët historik të papunësisë të regjistruar në Shqipëri dhe sugjeron një përdorim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Në përgjigje të saj, instat-i raporton se paga mesatare reale u rrit me 2.3% në tremujorin e parë, çka përbën një premisë pozitive për forcimin gradual të presioneve të brendshme inflacioniste.
Tregu i brendshëm financiar vazhdon të shfaqet i qetë dhe likuid, por presionet mbiçmuese të lekut vijojnë të jenë të pranishme në segmentin e tij valutor. Masat e fundit të politikës monetare – ulja në nivelin 1.0% e normës bazë të interesit dhe ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor, me objektiv frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit – kanë rezultuar efektive.
Normat e interesit të lekut kanë ardhur në rënie në tremujorin e dytë. Normat e interesit të kredive, depozitave dhe letrave me vlerë në lekë shfaqen në nivele minimale. Kredia për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare me 5% në tremujorin e dytë të vitit, me një kontribut më të balancuar në rritje midis kredisë në lekë dhe kredisë në valutë.
Në përgjithësi, rritja e kredisë është në linjë me përmirësimin e moderuar të kërkesës për të. Megjithatë, vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron se standardet dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga sektori bankar vijojnë të mbeten konservatore. Banka e Shqipërisë konstaton se rënia e rrezikut të kredisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bilanceve, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 13.27% e raportit të kredive me probleme, duhet të gjejnë një pasqyrim më të mirë në politikat e kreditimit të sektorit bankar.
Pas mbiçmimit të shpejtë të regjistruar në muajt prill-maj, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë arriti të qetësojë funksionimin e tregut të brendshëm valutor dhe të frenojë mbiçmimin e kursit të këmbimit. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se raporti i kërkesës dhe ofertës në tregun valutor mbetet i zhbalancuar, pjesërisht dhe si pasojë e prurjeve të larta sezonale, dhe se mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm.
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
- të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 1.9%;
- të vijojë programin e blerjeve në tregun valutor, me synim frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit.
Ruajtja e kahut stimulues të politikës monetare në afatin e mesëm do ti shërbejë nxitjes së kërkesës agregate, duke ndihmuar rritjen e punësimit, të pagave dhe të presioneve të brendshme inflacioniste. Stimuli monetar është konsistent me kahun konsolidues të politikës fiskale dhe mbetet një parakusht i nevojshëm për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.
Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, si dhe në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se normalizimi i normave të interesit në tregun e brendshëm financiar nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.
Fraksion.com