Biznesi i qumështit: Problemet e tregut vendas dhe konkurrenca nga importi
Kompanitë kryesore që operojnë në përpunimin dhe grumbullimin e qumështit kanë rezultuar në rritje të vazhdueshme. Të dhënat e marra nga deklarimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se të ardhurat dhe fitimet e këtyre kompanive janë me rritje dyshifrore, megjithatë sfidat për sektorin vijojnë që të mbeten të shumta.
Nga informaliteti, që për aktorët e tregut vijon të mbetet i lartë, te vështirësitë e sigurimit të lëndës së parë, nuk po i lejojnë që këto kompani të zgjerohen më tej në tregun vendas. Sipas të dhënave nga Doganat, edhe për vitin 2017 nuk pati eksport të qumështit drejt vendeve të tjera, ndërsa importi po mbyt qumështin e përpunuar UHT në vend.
Nga Ledina Loga
Kultura e konsumatorit shqiptar është një nga vështirësitë që ndiejnë më së shumti gjatë operimit në tregun vendas aktorët kryesorë të sektorit të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit. Për Saimir Begaj, përfaqësues i kompanisë Erzeni, shqiptarët ende konsumojnë në masë të madhe qumësht të pakontrolluar nga fermerët e vegjël. Sipas tij, ky është një ndër faktorët që po frenojnë rritjen e kompanive vendase, megjithatë, jo e vetmja. Industria e grumbullimit të qumështit angazhon me mijëra vetë në Shqipëri.
Fermerët e vegjël të zonave rurale janë furnizuesit kryesorë për kompanitë që operojnë në këtë sektor, mirëpo sipas aktorëve kryesorë të tregut, këta sa vijnë edhe pakësohen. Suzana Vasi, financiere e kompanisë së qumështit Gjirofarma, pohon se çdo vit pakësohen fermerët e vegjël që janë baza për operimin e sipërmarrjes së tyre. Ata grumbullojnë qumësht nga të gjithë fshatrat e zonës së Jugut, nga Tepelena, fshatrat e Gjirokastrës dhe e gjithë zona e Sarandës. Suzana thotë për “Monitor”, duke krahasuar shifrat përpara kompjuterit të saj se rritja me bazë pesëmujore e 2018-s dhe 2017-s ka qenë vetëm 8 tonë.
“Për ne kjo rritje është e papërfillshme, – tregon ajo, – kërkesa që ne kemi në gjithë Shqipërinë për qumësht dhe nënproduktet e tij është shumë më e madhe se çka ne kemi fuqi që të plotësojmë me lëndën e parë që grumbullojmë. Suzana shpjegon se për shkak se fermat e vogla po mbyllen, dhe ferma të mëdha nuk po hapen më, ata e kanë të vështirë që të zgjerohen aq sa duan në vend.
Edhe përfaqësuesi i kompanisë SOAL, që operon në Lushnjë, Sotir Velo, pohon se për zonën e tij ka rënë sasia e qumështit të grumbulluar, referuar aktivitetit të kompanisë që drejton. Ndër arsyet kryesore që Sotir Velo jep për këtë rënie është interesi i ulët që kanë fshatarët në ato zona për t’u marrë me blegtori, si dhe me largimin e të rinjve nga fshati.
Dekurajimin e fermerëve të vegjël për t’u marrë me blegtori e kanë ndier gjatë aktivitetit të tyre edhe drejtuesit e kompanisë Mireli, një ndër kompanitë kryesore në treg. Sipas Mirel Çaça, çdo vit ka më pak ferma të vogla dhe ndërsa aktorët presin që të ketë rritje të fermave të mëdha, të cilat kanë më shumë krerë bagëti, kjo gjë nuk po ndodh.
Disa prej drejtuesve të kompanive kryesore thonë se mungesa e lëndës së parë në vend do t’i detyrojë që në të ardhmen të importojnë lëndë të parë nga jashtë. Një ndër tregjet e huaja potenciale për importimin e qumështit janë Gjermania dhe Republika Çeke, të cilat të favorizuara dhe prej ekonomisë së shkallës, mund t’ju sigurojë një lëndë të parë edhe më të lirë se sa ajo vendase.
Kompanitë kryesore në rritje
Sipas të dhënave të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompanitë kryesore të sektorit të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit kanë njohur rritje gjatë viteve të fundit. Referuar të ardhurave që kanë publikuar në Pasqyrat Financiare, Lufra mban vendin e parë për sa i përket qarkullimit. Kompania ka dorëzuar pasqyrat financiare për vitin 2017 dhe xhiroja vjetore është 1 miliardë lekë, nga 832 milionë që ishte një vit më parë, me një rritje 20% me bazë vjetore.
Erzeni është kompania e dytë për sa i përket qarkullimit vjetor në treg. Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitin 2016 (për 2017-n nuk janë dorëzuar ende) qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 720 milionë lekë, me rritje prej 24%.
Kompania e tretë e tregut sipas xhiros vjetore është Gjirofarma, ku për 2016-n kompania pati një qarkullim prej 262 milionë lekësh, e cila shënoi një rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë.
Rritje dyshifrore prej 35% ka pasur edhe kompania Mireli, e cila gjatë 2016-s pati një qarkullim vjetor prej 136 milionë lekësh.
Ndër kompanitë kryesore, ajo që ka njohur tkurrje për periudhën 2016-2017 është kompania Soel, por duke u bazuar në të dhënat nga 2014-a, kompania ka njohur zgjerim të vazhdueshëm në treg.
Megjithatë, të gjitha kompanitë operojnë me norma të ulëta fitimi, për shkak të kostove të larta. Nga të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, norma e fitimit në gjashtë kompanitë kryesore të marra në shqyrtim varion nga 1 deri në 5% të xhiros, që do të thotë se për çdo 100 lekë të ardhura që kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në vend, fitimet luhaten nga 1 lekë për kompani si Soal, në 5 lekë për kompaninë Lufra.
Në 2017-n, sipas pasqyrës së të ardhurave dhe shpenzimeve të kompanisë Lufra, fitimet ishin 54 milionë lekë, me një rritje prej 32% me bazë vjetore. Kompania Erzeni, gjatë 2016-s pati një fitim prej 28 milionë lekësh.
Fragemntarizimi, vështirësi në kontrollin e cilësisë
Saimir Begaj, nga kompania Erzeni, tregon se një ndër vështirësitë e tjera që ka sjellë copëzimi i fermave është edhe kontrolli i cilësisë. Në pamundësi për të mbyllur ciklin e prodhimit, pasi kjo kërkon investime shumë të larta, kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit në treg, mbledhin qumështin në fshatrat pranë vendit që kanë fabrikën. Ky fakt, sipas zotit Begaj, ua ka rritur edhe kostot. Në mënyrë që ai të menaxhojë sa më mirë cilësinë ka vënë në dispozicion të fermerëve të vegjël dhe të grumbulluesve të qumështit kontejnerë prej inoksi të cilat ruajnë qumështin në kushte më të mira.
Për secilën sasi qumështi që ata mbledhin, ku një kontejner mban qumështin e disa fermerëve, ata duhet të bëjnë analizat për të kontrolluar përmbajtjen e ngarkesës. Shpesh, Begaj tregon, se qumështi nuk është i standardit që ata kërkojnë. “Mjafton që vetëm një prej fermerëve të ketë sjellë qumështin e një bagëtie që ka përdorur antibiotik, për të përfituar vetëm pesë lekë më shumë, e gjithë sasia në kontejner nuk mund të futet në përpunim”, – pohon Begaj.
Të gjithë aktorët kryesorë të tregut e grumbullojnë qumështin në të njëjtën mënyrë. Suzana Vasi, përfaqësuese e Gjirofarma tregon se për të lehtësuar punën e tyre kanë lidhur kontrata me fermerët e mëdhenj. “Në këtë mënyrë, ne u kemi garantuar atyre shitjen e produktit, ndërsa ata garantojnë cilësinë”.
Për kompaninë Lufra, më të madhen dhe me më shumë kohë në vend, fragmetarizimi i fermave të vogla ka rritur kostot e operimit të kompanisë.
Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë pohon se, përveç fermave të mëdha, të cilat numërojnë mbi 500 krerë lopë secila, si Impuls sh.p.k., kanë edhe marrëdhënie me mbi 2000 fermerë të vegjël. Sipas tij, për shkak të sezonit turistik gjatë periudhës së verës, ku konsumi edhe rritet, janë detyruar që të marrin sasi të qumështit nga jashtë. “Prej një muaji ne blejmë qumësht nga ferma të mëdha të certifikuara në Kroaci dhe Bosnjë”, – rrëfen Ndreka.
Më pak krerë bagëti në vend
Një ndër arsyet se pse aktiviteti i tij është me rënie për z. Sotir Velo është rënia e numrit të bagëtive. Referuar të dhënave të INSTAT, numri i krerëve të bagëtive ka rënë. Edhe pse Shqipëria ka një terren të përshtatshëm për të zhvilluar blegtorinë, sektori nuk po gjallërohet me ritmet që duhet, përkundrazi bizneset e fushës kanë hyrë në një cikël mbijetese për shkak të mosfunksionimit të zinxhirit dhe kostove të larta.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 u vu re një rënie e numrit të krerëve të bagëtive, si në gjedhë dhe në të imta. Numri i gjedhëve në vitin 2017 është 475.215 krerë, duke shënuar rënie me 3,4%, në krahasim me vitin 2016. Në vitin 2007 u numëruan gjithsej 1.925.511 krerë, ose 2,3% më pak se në vitin 2016. Kategoria kryesore e të leshtave janë delet e qumështit me rreth 73% ndaj totalit të tufës.
Numri i dhive ra me 0.3% në krahasim me vitin 2016. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit, me 76,9% ndaj totalit të tufës. Gjithashtu, numri i derrave ishte 180.087 krerë, duke shënuar rënie vjetore me 0,5%, krahasuar me vitin 2016. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Lezhë me 36,5% dhe Shkodër me 28,2% ndaj totalit të të gjithë krerëve.
Biznesi i vakët i fermave
Numërohen me gishtat e dorës fermat në Shqipëri që rrisin një numër të konsiderueshëm gjedhësh. Disa nga arsyet kryesore pse ky biznes po has vështirësi në tregun vendas, sipas një analize të mëparshme të “Monitor”, janë kostot e larta të bazës ushqimore, informaliteti i lartë i tregut të zi dhe importet. Operatorët pohojnë se nga 16 fermat e mëdha të gjedhit, vetëm 4 prej tyre janë me të njëjtët pronarë, teksa të tjerat janë shitur ose kanë falimentuar.
Edhe pse investimet në sektor janë shtuar, numri i bagëtive, sidomos për gjedhin, ka pësuar rënie krahasuar me një dekadë më parë. Nga të dhënat zyrtare të INSTAT shihet se numri i krerëve të gjedhit më 2016 ka rënë me 30% në krahasim me vitin 2001, numri i dhive ka rënë me 8% dhe gjithashtu në rënie të lehtë është edhe numri i deleve.
Rritet ndjeshëm prodhimi dhe konsumi i qumështit vendas në 2017-n
Në vitin 2017, sasia e qumështit të grumbulluar është rreth 131 mijë tonë, duke shënuar rritje me 4,99%, krahasuar me vitin 2016. Gjatë kësaj periudhe, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 110 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 6,55%, krahasuar me 2016. Nga ana tjetër, në vitin 2017, sasia e grumbulluar e qumështit të deles është rreth 13 mijë tonë, duke shënuar një rritje me 1,54%, krahasuar me një vit më parë.
Sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 9 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,04%, krahasuar me vitin 2016.
Në vitin 2017, sasia e qumështit të prodhuar për konsum është rreth 13 mijë tonë, në rritje me 21,64%, krahasuar me 2016. Ndaj sasisë gjithsej të qumështit të prodhuar në vitin 2017, qumështi gjysmë i skremuar përbën rreth 17,20%, qumështi i plotë i përpunuar 79,34%, qumështi i papërpunuar 2,92% dhe qumështi i skremuar 0,54%.
Nënproduktet e qumështit
Sasia e prodhuar e djathit, sipas llojit të qumështit, në vitin 2017 u rrit me 2,87%, krahasuar me një vit më parë. Sasia e djathit të përpunuar pësoi rënie me 24,02%, ndërsa prodhimi i gjalpit shënoi rritje me 6,55%, krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, qarku me prodhimin më të lartë të qumështit është Fieri, ku për 2017-n llogariten mbi 212 mijë tonë qumësht. Më pas renditen Qarku i Elbasanit me 144 mijë tonë, Korça me 120 mijë tonë, Tirana 118 mijë tonë qumësht. Ndërsa qarqet e tjera kanë një sasi nën 100 mijë tonë qumësht të prodhuar, më të ulëtën e ka Gjirokastra, me 42 mijë tonë qumësht.
Importet mbysin prodhimin UHT, konkurrojnë me çmim më të lirë
Edliri, përfaqësues i kompanisë Klegen, thotë se aktualisht në treg po i konkurrojnë produktet që vijnë nga jashtë, kryesisht nga Maqedonia. Për të është shqetësues fakti se pjesa më e madhe e këtyre produkteve janë mbi 50% yndyrë ushqimore (kryesisht vaj palme) dhe pjesa tjetër është koncentrat qumështi. Kjo jo vetëm që i dëmton ato, por edhe përbëjnë rrezik për popullatën, e cila duhet të jetë më informuar për përmbajtjen e produkteve që konsumon.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, sasia e prodhuar e qumështit UHT në vend për vitin 2017 ishte 158 tonë nga 182 tonë që u prodhuan një vit më parë. Ndërsa në 2015-n, referuar publikimit të INSTAT, në vend u prodhuan 519 tonë qumësht UHT. Nikolin Jaka, i cili ka në pronësi fabrikën e prodhimit të qumështit Ambla, thotë se e shikon tregun e qumështit UHT të vështirë për t’u zgjeruar. Sipas tij, arsyeja kryesore është qumështi që vjen nga importi me çmim më të lirë se prodhimi vendas.
Përveç importit, sipas tij, është problematik edhe niveli i ulët i konsumit të qumështit UHT në vend. Qumështi UHT i importuar nga jashtë krijon një dëm të vazhdueshëm për industrinë vendase, ku sasia e importuar është rritur, çmimet e produkteve të importit në rënie. Subvencionet që merr sektori në vendet në rajon janë arsyeja kryesore pse produktet e importit vijnë më lirë në vend.
Saimir Begaj, përfaqësues i kompanisë Erzeni, sjell si shembull rastin e Kosovës, që aplikon një TVSH 8% për qumështin. Kjo sigurisht favorizon vendet e rajonit që të aplikojnë çmime më të lira. Bazuar në të dhënat nga Dogana, në vitin 2017 dhe në çmimin mesatar për njësi të importuar, “Monitor” ka përllogaritur se sasia e importuar e qumështit në vend është rreth 9 mijë hektolitra, me një rritje prej 24% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë, sasia e importuar nga jashtë është 6.2 miliardë dollarë amerikanë, nga 5 miliardë që ishte një vit më parë.
Luis Ndreka thotë se për sa i përket çmimit të lëndës së parë dhe jo vetëm në rajon, por edhe në Europë, në Shqipëri ka një çmim mjaft të lartë. Sipas tij, ajo që e vështirëson blerjen e qumështit jashtë është kostoja e lartë e transportit dhe taksa 10% doganore për produktet ushqimore të importuara. “Mendoj që qumështi UHT vendas ka rënë për shkak të futjes së shumë brandeve të huaja në treg. Konkurrenca besoj se ndihet nga të gjitha kompanitë, sepse çdo produkt që futet në treg, merr ‘copën e tij të tortës’ sado e vogël apo e madhe qoftë”, – shton Ndreka.
Gamë e gjerë produktesh
Kompanitë që operojnë në këtë sektor përveç qumështit, nxjerrin prej tij edhe një gamë të gjerë nënproduktesh si: Qumësht i pasterizuar, kos, dhallë, djathë i bardhë, djathë; kaçkavall, salcë kosi, gjalpë, gjizë. Peshën më të madhe e zënë produktet nga qumështi i lopës, por nuk mungojnë as produktet me qumësht deleje apo dhie, megjithëse qumështi i dhisë ka shënuar rënie gjatë 2017-s. Suzana Vasi pohon se është qumështi i deles që ka peshën më të madhe në prodhimet që nxjerr në treg Gjirofarma. Për shkak edhe të zonës ku vepron kompani, raporti i qumështit të deles me atë lopës është 2 me 1, ndërsa për sa i përket qumështit të dhisë, i cili ka nivel më të ulët të yndyrës, sasia është më e ulët, për shkak të natyrës së bagëtisë.
Fraksion.com