Artistët peticion Presidentit të mbrojë Teatrin Kombëtar
Drejtuesit e protestës së artisëve dhe qytetarëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dorëzuan sot një peticion me mbi 5 mijë firma presidentit të Republikës, Ilir Meta, ku i kërkojnë atij të kthejë mbrasht në parlament ligjin që parashikon shembjen e ndërtesës më të hershme kulturore në kryeqytet.
Përfaqësuesit e artistëve dhe qytetarëve në protestë theksuan se kanë 6 muaj që protestojnë në mbrojtje të ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar nga një ligj antikushtetues, që shkel Kushtetutën në një seri nenesh si dhe shkel një seri ligjesh të tjera.
“Ky ligj është ndërtuar në formën e një kontrate komerciale me fitues të përcaktuar dhe me vlefshmëri për disa mijëra metër katrorë. Me këtë ligj shkelet balanca mes pushteteve, pasi me këtë ligj Kuvendi kthehet në një zyrë që miraton me vulë leje ndërtimi, që vijnë me porosi nga qeveria, duke shkelur edhe ligjet që ka miratuar vet për koncensionet dhe për partneritetin publik-privat, ligjin për prokurimet dhe shumë ligje të tjera” – tha Alert Çeloaliaj, përfaqësues nga Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit.
Artistët kujtuan në letrën peticion drejtuar Presidentit të Republikës se në dy ndërtesat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, që qeveria i ka quajtur të pavlera, janë themeluar instutucionet më elitare të vendit si Akademia e Shkencave, Teatri I Operas dhe Baletit, Cirku Kombëtar, Instituti i Lartë i Arteve, Estrada e Tiranës
“Zoti President! Nga Brukseli kanë ardhur dy seri pyetjesh dhe kërkesash për informacion drejtuar qeverisë, që do të thotë se tashmë ka marrë përmasa europiane. Ne mund t’ua konfirmojmë këtë fakt nga takimi që kemi patur me Zyrën e Delegacionit Europian në Shqipëri dhe presim nga institucioni juaj të njëjtin interesim për informacionin në lidhje me këtë çështje kyçe për të ardhmen e Shqipërisë” – theksoi zoti Çeloaliaj nga deklarata e artistëve drejtuar Presidentit të Republikës.
Artistët dhe qytetarët po protestojnë qysh nga fillimi i shkurtit dhe së fundi po zhvillojnë tubime të përditshme proteste në sheshin para Teatrit Kombëtar në përpjekje të vendosur për ta shpëtuar ndërtesën historike të arteve.
Shumica socialiste e miratoi ligjin për të negociuar me firmën Fusha, që të ndërtojë një teatër të ri në të njëtin vend, në këmbim të një serie kullash prapa tij.
Socialistët i kanë votat në parlament, për ta rivotuar në rast të një kthimi pas nga presidenti, ndërsa demokratët e opozitës braktisën parlamentin duke i akuzuar ata për manipulim të votimit dhe kthimin e ligjit për rishqyrtim.
Fraksion.com