AktualitetPolitikëTë fundit

Basha akuzon: Qeveria, Drejtësia, Ekonomia të kapura!

Pas vizitës në Durrës, ku akuzoi kreun e Bashkisë, Vangjush Dakon, lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka lëshuar të tjera akuza në një postim në profilin e tij në rrjetin social  Facebook.

Ai  shkruan se  drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe Kryeprokurorja e Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku,  “po fshehin përgjimet dhe provat e prokurorisë, që lidhin Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin me bandat e krimit.”

Basha thotë se edhe dy vite pas miratimit të reformës në drejtësi, sërish prokuroria nuk ndëshkon politikanët e lidhur me krimin, por i mbron ata.

 

Ja postimi i Bashës: në facebook: 

Donika Prela dhe Arta Marku fshehin përgjimet dhe provat e prokurorisë, që lidhin Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin me bandat e krimit të organizuar në pazare korruptive, “tendera dhe para në shkëmbim të votave”, nga Dibra në Durrës dhe në Vlorë.

Dy vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi duhet të kishim një prokurori që ndëshkon dhe nuk mbron politikanët e lidhur me krimin. Vangjush Dako duhej të ishte në burg, bashkë me Sajmir Tahirin, Elvis Roshin, Mark Frrokun, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin me shokë.

Por në vend të reformës, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa e kapën drejtësinë me ndihmën dhe heshtjen e disa bashkëfajtorëve që sot bëjnë shurdhmemecin. Drejtësia e kapur është sot garancia e vetme që mban larg burgut bandën në pushtet. Kush nuk e kupton është idiot. Kush bën sikur nuk e kupton, është bashkëfajtor.

Qeveria e lidhur me krimin. Drejtësia e kapur nga qeveria. Ekonomia e kapur nga oligarkët që pastrojnë paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar. Këto janë sfidat jetike, pa zgjidhjen e tyre Shqipëria shkon drejt katastrofës totale.

 

Fraksion.com