AktualitetRajoniTë fundit

Hahn në Shkup: Maqedonia fillon procesin e verifikimit

Dyert e BE-së janë të hapura, nga ju varet, nëse do ta shfrytëzoni ose jo, ka thënë eurokomisioneri Johannes Hahn në Shkup. Për Zoran Zaev, procesi i verifikimit, i njohur si “screening” do të jetë prioritet i qeverisë.

Me vizitën e të martës (17.07) të eurokomisionerit për zgjerimin, Johannes Hahn në Shkup, edhe zyrtarisht ka filluar procesi i verifikimit, i njohur edhe si procesi “screening” që ka për qëllim përgatitjen e Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2019. Dyert e BE-së janë të hapura dhe nga ju varet, nëse atë do ta shfrytëzoni ose jo, ka thënë eurokomisari Johannes Hahn.

“E juaja është të vendosni për të ardhmen e vendit tuaj. Dera drejt BE-së është e hapur falë prioriteteve reformuese në të cilat ka punuar Qeveria vitin e fundit, por edhe në marrëveshjet e arritura për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe për emrin me Greqinë. Jeni bërë vend shembullor në rajon dhe model se si të tjerët t’i zgjidhin problemet e tyre bilaterale”, ka thënë Hahn në konferencën e përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev.

Të rinjtë duhet të votojnë

Ai e përshëndeti marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se kjo do të thotë më shumë siguri dhe prosperitet për qytetarët e Maqedonisë. Eurokomisioneri Johannes Hahn, porositi se të rinjtë në Maqedoni duhet të votojnë në referendum që të mos u ndodh Brexit-i”. “Të rinjtë e Maqedonisë duhet në numër të madh të votojnë në referendumin për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, në mënyrë që të mos u ndodh Brexit-i, një proces i dëmshëm për të rinjtë britanikë, të cilët nuk ishin aktiv në referendumin e tyre”, tha në Shkup eurokomesari Johannes Hahn.

Zaev: Verifikimi – prioritet historik i Qeverisë

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev informoi se në mbledhjen e qeverisë është marrë vendim për fillimin e procesit të “verifikimit – skanimit, ky do të kryesohet zëvendëskryeministri Bujar Osmani. “Negociatat për anëtarësim në BE janë detyrë historike për institucionet, por edhe për të gjithë shoqërinë, prandaj dërgojmë porosinë se ky prioritet i lartë do të udhëhiqet nga qeveria, por me pjesëmarrje edhe të Kuvendit, gjyqësorit, opozitës, sektorit civil, komunitetit të biznesit, mediat, sepse kontributi i secilit është i rëndësishëm”, ka thënë Zaev. Ai paralajmëroi se sot fillojnë konsultimet për konvokim të një takimi të ri të liderëve për tejkalimin e dallimeve me opozitën rreth përgatitjeve për referendum, që do të pasojë në Maqedoni.

“Në këtë moment të gjithë duhet të përkushtohemi, të ndihmojmë në këtë proces, siç tha eurokomisioneri, para së gjithash për të mirën e qytetarëve të Maqedonisë, por edhe të partnerëve tanë në BE, dhe për këtë me siguri nesër mbrëma do të konvokojmë takim të liderëve që t’i përshpejtojmë proceset rreth përgatitjes së Republikës së Maqedonisë për referendumin e ardhshëm”, ka thënë Zaev.

Opozita e domosdoshme në proces

Kërkesa për Qeveri teknike si këmbim për votimin e përbërjes së përkohshme të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ide e liderit të VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickovski do të çojë në komplikimin e dialogut politik, vlerëson analisti Petar Arsovski. Sipas tij kryeministri Zoran Zaev duhet të bisedojë me opozitën, por me kushtin e sundimit të së drejtës.

“E komplikuar do të jetë kjo marrëveshje, Mickoski do të rrisë kushtet deri sa të vjen në një shteg më të madh dhe do të bllokojnë proceset me shpresën se do të bëjnë një marrëveshje të përgjithshme. Është jo reale që në këtë situatë dialogun politik ai ta lidhë me amnistin e pjesmarrëvesve në ngjarjet e 27 prillit. Kjo është një strategji e gabuar, pasi kërkesat e tij nuk mund të kenë epilog konkret politik”, vlerëson Arsovski.

Nga 33 kapitujt për Maqedoninë, do të duhet të ketë edhe 33 grupe të punës në të cilat do të duhet të përfshihen përfaqësuesit edhe nga institucionet edhe nga sektori civil. Analisti politik Xhelal Neziri pret që reformat në gjyqësor të jenë më të vështirat për zbatim. “Ajo është pika në sistemin, për të cilën Maqedonia ka marrë kritika serioze gjatë periudhës së kaluar. Do të shkohet në një proces të gjatë që do të thotë kyçjen edhe të protagonistëve tjerë politikë në Maqedoni, sidomos të opozitës dhe kjo mendoj do të jetë detyra më e vështirë e vendit që t’i përshtasë vlerat e tij me ato të BE-së”, thotë Neziri. Pas përfundimit të takimeve në Shkup, Hahn pritet të martën në Tiranë.

 

 

Fraksion.com