AktualitetBota+Të fundit

Pesë të vrarë në redaksinë e gazetës lokale në Anapolis

Forcat e rendit po mbledhin prova dhe informata mbi personin që dyshohet si autor i sulmit dje në redaksinë e gazetës lokale në kryeqytetin e Merilandit, Anapolis. Dyshohet se sulmi ishte hakmarrje ndaj personelit të gazetës dhe se autori u nis me synimin për të vrarë persona të caktuar në ekipin redaksional. Pesë vetë humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën gjatë sulmit.

Policia thotë se sulmi u krye nga 38-vjeçari Jarrod Ramos, i cili vuri në shenjestër redaksinë e së përditshmes Capital Gazette dje pasdite. Sipas rrëfimit të dëshmitarëve, i dyshuari qëlloi derën prej xhami dhe u fut në redaksinë e gazetës, duke vrarë dy gazetarë, dy redaktorë dhe një ndihmëse të marketingut.

Autoritetet thonë se incidenti ishte një “atentat” dhe se autori po kërkonte në redaksi persona të caktuar që kishte në plan t’i vriste. Në vitin 2015, Jarrod Ramos humbi padinë gjyqësore për shpifje ndaj gazetës.

“Ai ka bërë kërcënime me media sociale. Po përpiqemi të konfirmojmë llogaritë në median sociale dhe personin që i krijoi,” tha një përfaqësues i forcave të rendit për komunën Anne Arundel.

Policia mbërriti në skenën e ngjarjes pak minuta pasi filluan të shtënat dhe e arrestoi Jarrod Ramosin, i cili ishte fshehur nën një tavolinë pune.

Autoritetet e morën në pyetje të dyshuarin për të zbuluar motivin e sulmit. Ata gjithashtu kanë kontrolluar banesën e tij në qytetin Lorel të Merilandit për të mbledhur të dhëna të tjera për aktin që ka tronditur këtë komunitet të qetë.

“Nuk të shkon mendja që mund të ndodhë në qytetin tënd. Isha ndoshta 500 metra larg. Kur e kupton që ndodhi kaq pranë, tronditesh,” thotë një banor.

Incidenti në redaksinë e gazetës Capital Gazette besohet se është një ndër sulmet më të përgjakshme të kohëve të fundit ndaj medias në Amerikë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders postoi në Twitter komentin “Një sulm i dhunshëm ndaj gazetarëve të pafajshëm që po bënin detyrën është një sulm ndaj çdo amerikani”.

 

Fraksion.com