AktualitetTë fundit

Si po zhduken pyjet në Shqipëri, sa u reduktuan në 10 vjet; Krahasimi me rajonin, jemi të fundit

Rëndësia e tokave pyjore nuk mund të nënvlerësohet, duke qenë se janë pjesë e rëndësishme e habitatit tonë. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore dhe të përpunuara nga portali Our World in Data, sipërfaqja pyjore në Shqipëri përllogaritet 7,715 km2. Në krahasim me dhjetë vite më parë, ka rreth 109 km2 më pak pyje në vend (shih grafikun).

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria është vendi më pak i pyllëzuar.

“Monitor” ka përllogaritur se sa për qind të sipërfaqes në total zënë pyjet në vend. Sipas llogaritjeve bazuar mbi të dhënat e publikuara nga Banka Botërore për sipërfaqen pyjore dhe sipërfaqeve totale të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e fundit me vetëm 27% të sipërfaqes pyje. Renditja pasohet nga Serbia që edhe pse në vlerë absolute ka një sipërfaqe pyjore disa fish më të madhe se Shqipëria, në raport me totalin e sipërfaqes së saj, vetëm 30% zihet nga pyjet.
Më pas renditet Maqedonia me 39% dhe Bosnja me 43% të totali të sipërfaqeve pyje. Ndërkohë sipas të dhënave Mali i Zi është vendi më i pyllëzuar i rajonit, ku 60% e sipërfaqes së zihet nga pyjet.
Shtetet e zhvilluara janë në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur pyjet. Sipas të dhënave të publikuara Rusia, Brazili, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë shtete që kanë sipërfaqet më të mëdha pyjore, ku tejkalojnë 2.5 milionë kilometër në katror.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) ka mbledhur dhe ka analizuar të dhënat mbi pyjet që prej vitit 1964. Kjo bëhet në harkun kohor të 5 deri në 10 vite. FAO raporton të dhëna për 229 shtete dhe territore.
Të dhënat përfshijë zonat me dru bambuje, palmat, rrugët pyjore, pyjet në parqe kombëtare, rezervat natyrore, dhe zonat e tjera të mbrojtura, si ato me interes të veçantë shkencor, historik dhe kulturor ose me interes shpirtëror, shpellat, brezat dhe korridoret e pemëve.

Të dhënat përjashtojnë pemët e përdorura në sistemet bujqësore të prodhimit, siç janë plantacionet e pemëve frutore dhe sistemet e agropylltarisë. Të dhënat e mësipërme gjithashtu përjashtojnë pemët e parqeve në qytete dhe kopshteve. Llogaritet përqindja e tokës pyjore ndaj totali të territorit dhe ndryshimin në përqindje vit pas viti për të kuptuar tendencat.

Burimi: Banka Botërore, të dhënat e mbledhura nga FAO

 

Sipërfaqja pyjeve  në km2 Sipërfaqja e shtetit km2 % e sipërfaqes pyjore ndaj totalit
Shqipëria                           7,715                                     28,748                                                                 27
Serbia                         27,200                                     88,361                                                                 31
Maqedonia                           9,980                                     25,710                                                                 39
Bosnja                         21,850                                     51,197                                                                 43
Mali i Zi                           8,270                                     13,812                                                                 60

 

Fraksion.com