Djemtë e Harvardit “bëjnë” Rusinë
Pas 7 vitesh “reformë” ekonomike të financuara nga miliarda dollarë në ndihma amerikane dhe të tjera perëndimore, huashë të financuara dhe borxhesh të rishikuar, shumica e popullit rus e gjejnë veten më keq ekonomikisht. Shtytja privatizuese që ishte supozuar të mblidhte frutat e tregut të lirë ndihmoi që të krijohej një sistem kapitalist manjatësh, në favor të një oligarkie të korruptuar politike që ka përvetësuar qindra milion dollarë dhe ka plaçkitur pasurinë e Rusisë.
Arkitekti i privatizimeve qe ish Zëvendëskryeministri i Parë Anatoly Chubais, një i përkëdhelur i establishmenteve financiare amerikane dhe perëndimore. Menaxhimi drastik dhe i korruptuar i tij e bënë jashtëzakonisht jopopullor. Sipas “The New York Times”, ai “mund të jetë njeriu më i urryer në Rusi”.
Thelbësore për implementimin e politikave të Chubais qe mbështetja entuziaste e administratës Clinton dhe përfaqësuesi kyç i saj për asistencën ekonomike në Moskë, Harvard Institute for International Development (HIID). Duke përdorur prestigjin e emrit të Harvard dhe lidhjet në administratë, zyrtarët e HIID-së fituan një kartabiankë virtuale për programin e ndihmës ekonomike amerikane në Rusi, me mbikëqyrje minimale nga agjencitë qeveritare e përfshira. Me këtë akses dhe aleancën e tyre të ngushtë me Chubais dhe rrethin e tij, ata me sa duket përfituan. Megjithatë, pak amerikanë janë të vetëdijshëm për rolin e HIID-së në privatizimet ruse dhe keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të taksapaguesve.
Në një simpozium për investimet amerikano – ruse në John F. Kennedy School of Government të Harvard University, Yuri Luzhkov, kryebashkiaku i Moskës, bëri atë që për shumë prej pjëmarrësve mund të jetë dukur si një referim i pasjellshëm ndaj nikoqirëve të tij. Pasi ka fshikulluar Chubais dhe politikat e tij monetare, sipas një raportimi të eventit, Luzhkov “evidentoi Harvard për dëmin e shkaktuar ekonomisë ruse nga ana e këshilltarëve të tij, të cilët e inkurajuan qasjen e gabuar të Chubais ndaj privatizimeve dhe politikave monetare”. Luzhkov po i referohej HIID-së. Chubais, të cilit i qenë deleguar pushtete të mëdha mbi ekonominë nga ana e Boris Yeltsin, u largua në spastrimin e marsit të këtij të fundit, por në maj ju dha një post pafundësisht fitimprurës si kreu i Unified Energy System, monopoli i elektricitetit të vendit. Disa prej aktorëve kryesorë me projektet e Rusisë të Harvard duhet ende të përballen me një llogaridhënie, por kjo mund të ndryshojë nëqoftëse një hetim aktual nga ana e qeverisë amerikanë rezulton në hapje çështjesh penale.
Aktivitetet e HIID-së në Rusi na japin disa mësime paraprake lidhur me shkeljen e besimit nga këshilltarë të huaj që duhet të jenë të çinteresuar, arrogancën e Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë politikën e mbështetjes për një grup të ashtuquajturish reformatorë rusë. Historia e HIID-së është një histori familjare në sagën e katastrofave të politikës së jashtme amerikane në vazhdim të krijuar nga ata që thuhet së janë “më të mirët dhe më të zgjuarit”.
Gjatë fundit të verës dhe vjeshtës të vitit 1991, teksa shteti sovjetik po shkërmoqej, Profesori i Harvard Jeffrey Sachs dhe ekonomistë të tjerë perëndimorë morën pjesë në mbledhje në një daçë jashtë Moskës, ku reformatorë të rinj proYeltsin planifikuan të ardhmen ekonomike dhe politike të Rusisë. Sachs u bashkua me Yegor Gaidar, arkitektin e parë e reformës ekonomike të Yeltsin, për të promovuar një plan të “terapisë së shokut” që të eliminonte me shpejtësi shumicën e kontrollit ndaj çmimeve dhe subvencioneve që kishin mbështetur për dekada me radhë jetët e qytetarëve sovjetikë. Terapia e shokut prodhoi më shumë shok – jo më e pakta, hiperinflacioni arriti një masë për 2500% – sesa terapi. Një prej rezultateve qe avullimi i shumë prej kapitalit potencial investuese: kursimeve substanciale të rusëve. Në nëntor të 1992, Gaidar qe nën sulm për politikat e tij të dështuara dhe shpejt u mënjëanua. Kur Gaidar ndodhej nën sulm, Sachs i shkroi një dokument një prej kundërshtarëve kryesorë të Gaidar, Ruslan Khasbulatov, Spiker i Sovjetit Suprem, në atë kohë Parlamenti rus, duke i ofruar këshilla dhe ta ndihmonte që të siguronte ndihmë perëndimore dhe kontakte në Kongresin amerikan.
Këtu hyn në skenë Anatoly Chubais, një 42 vjeçar anglishtfolës që aspironte të bëhej kapitalist, i cili u bë Cari ekonomik i Yeltsin. I përkushtuar ndaj “reformës radikale”, Chubais premtoi që të ndërtonte një ekonomi tregu dhe të flakte tej mbeturinat e komunizmit. U.S. Agency for International Development (USAID), pa përvojë në ish Bashkimin Sovjetik, u kandis menjëherë që t’ia dorëzonte përgjegjësinë për rimodelimin e ekonomisë ruse HIID-së, e cila ishte formuar në 1974 për të asistuar vendet me reforma sociale dhe ekonomike.
HIID-ja kishte mbështetës të lartë në administratë. Njëri prej tyre ishte Laërence Summers, vetë ky një ish profesor ekonomie në Harvard, të cilin Clinton e emëroi Nënsekretar të Thesarit për Çështjet Ndërkombëtare në vitin 1993. Tani Nënsekretar i Thesarit, Summers kishte lidhje të vjetra me kryesorët e projektit të Harvard në Rusi dhe projektin e tij më të vonshëm në Ukrainë. Summers zgjodhi një Ph.D. nga Harvard, David Lipton (që kishte qenë Zëvendëspresident i Jeffrey D. Sachs and Associates, një kompani konsulence), që ta bënte Zëvendësasistent të Sekretarit të Thesarit për Europën Lindore dhe ish Bashkimin Sovjetik. Pasi Summers u promovua si Nënsekretar, Lipton lëvizi në postin e vjetër të tij, duke marrë “përgjegjësi të mëdha” për të gjitha aspektet e politikës së zhvillimit ekonomik ndërkombëtar. Lipton shkroi dokumenta të shumtë me Sachs dhe shërbeu me të në misione konsulence në Poloni dhe Rusi. “Jeff dhe David vinin gjithmonë bashkë [në Rusi]”, thotë një përfaqësues rus në FMN. “Qenë si një çift i pandashëm”. Sachs, i cili u emërua Drejtor i HIID-së në 1995, loboi dhe përfitoi grante të USAID-it për institutin që të punonte në Ukrainë në vitet 1996 dhe 1997.
Andrei Shleifer, një emigrant rus dhe tashmë një profesor ekonomie në Harvard në të 30-at, u bë Drejtor projektit për Rusinë i HIID-së. Gjithashtu, Shleifer ishte një i përkëdhelur i Summers, me të cilin ai përfitoi të paktën një grant të fondacionit. Summers shkroi artikullin promovues për “Privatizing Russia” (një libër i 1995 i shkruar nga Shleifer dhe i financuar nga HIID-ja) ku deklaronte se “autorët bënë gjëra të jashtëzakonshme në Rusi dhe tani kanë shkruar një libër të mrekullueshëm”.
Një tjetër lojtar i Harvard qe një ish konsulent i Bankës Botërore i quajtur Jonathan Hay, një bursist Rhodes që kishte ndjekur Institutin Pushkin për Gjuhën Ruse të Moskës. Në vitin 1991, ende në Harvard Law School, ai u bë këshilltar i lartë ligjor në GKI, komiteti i ri i privatizimeve i shtetit rus; një vit më vonë u në Drejtor i Përgjithshëm HIID-së në Moskë. Djaloshi Hay mori pushtete të mëdha mbi kontraktorët, politikat dhe specifikat e programit, jo vetëm që kontrollonte aksesin në rrethin e Chubais, por shërbente edhe si zëdhënës i tij.
Lavdërimet e para për HIID-në nga USAID-i për punën në Rusi erdhën në 1992, gjatë administratës Bush. Gjatë 4 viteve të ardhshme, me mbështetjen e administratës Clinton, instituti do të shpërblehej me 57.7 milion dollarë – nga ku 17.4 milion pa asnjë lloj tenderi. Për shembull, në qershorin e 1994 zyrtarë të administratës nënshkruan një dokument që i mundësonte HIID-së të përfitonte 20 milion dollarë për programin e tij të reformës ligjore ruse. Miratimi i shume të tillë të madhe si një “amendament” jokonkurrues ndaj një shume shumë më të vogël (shuma fillestare e institutit ishte 2.1 milion) ishte tejet i pazakontë, siç qe edhe citimi i konsideratave të “politikës së jashtme” si arësye për dokumentin e mësipër. Megjithatë, dokumenti u mbështet nga 5 agjenci qeveritare amerikane, përfshi Departamentin e Thesarit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dy prej agjencive kryesore që formulonin politikën e ndihmës amerikane ndaj Rusisë. Veç milionave të përfituara drejtpërsëdrejti, HIID-ja ndihmoi të orientoheshin dhe koordinoheshin rreth 300 milion në grante të USAID.-it për kontraktorë të tjerë, të tillë si firmat financiare Big Six dhe gjigandi i marrëdhënie me publikun Burson-Marsteller.
Ndërsa qeveria ruse e Yeltsin mori përsipër asetet sovjetike në fundin e 1991 dhe fillimin e 1992, u shfaqën mjaft skema privatizimi. Njëra që Sovjeti Suprem miratoi në 1992 ishte konceptuar që të parandalonte korrupsionin, por programi Chubais eventualisht arriti që ta inkurajojë akumulimin e pronave në pak duart dhe i hapi dyert një korrupsioni të gjerë. Një gjë e tillë qe aq kontradiktore sa që në fund Chubais ju desh që në fund të fundit të mbështetej kryesisht në dekretet presidenciale e Yeltsin, jo miratimit parlamentar, për implementim. Shumë zyrtarë amerikanë e përkrahën këtë mënyrë veprimi diktatoriale dhe Jonathan Hay me bashkëpunëtorët e tij hartuan shumicën e dekreteve. Sipas thënieve të Walter Coles të USAID-it, një mbështetës i hershëm i programit privatizues të Chubais: “Nëqoftëse na duhej një dekret, Chubais nuk duhej të kalonte aspak nëpërmjet burokracisë”.
Me ndihmën nga këshilltarët e HIID-së dhe perëndimorë të tjerë, Chubais dhe bashkëpunëtorët e tij krijuan një rrjet organizatash “private” të financuara nga ndihmat që u mundësoi të anashkalonin agjenci legjitime qeveritare dhe të shmangnin parlamentin e ri të Federatës Ruse, Dumën. Nëpërmjet këtij rrjeti, dy ortakë të Chubais, Maxim Boycko (që bashkë me Shleifer shkroi “Privatizing Russia”) dhe Dmitry Vasiliev, mbikëqyrën pothuajse 1/3 e 1 miliard dollarëve në ndihma dhe milionave të tjera në huara nga institucione financiare ndërkombëtare.
Pjesa më e madhe e këtij fluksi kaloi nëpërmjet Russian Privatization Center (RPC) me qendër në Moskë. E themeluar në 1992 nën drejtimin e Chubais, i cili qe kryetar i bordit të saj edhe kur ishte në krye të GKI-së, dhe Boycko, i cili qe CEO për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, RPC-ja qe ligjërisht një OJQ private joqeveritare. Në fakt, ajo ishte krijuar nga një tjetër dekret i Yeltsin dhe kishte ndihmuar në realizimin e politikës qeveritare lidhur me inflacionin, çështje të tjera makroekonomike dhe gjithashtu negociimin e huave me institucionet financiare ndërkombëtare. HIID-ja ishte një themelues i R.P.C.-së dhe Andrei Shleifer kishte shërbyer në bordin e drejtorëve. Sipas Ira Lieberman, një menaxher i lartë në Departamentin e Zhvillimit të Sektorit Privat në Bankën Botërore që ndihmoi në konceptimin e RPC-së, anëtarët e tjerë të saj u rekrutuan nga Chubais. Me ndihmën e HIID-së, RPC-ja përfitoi rreth 45 milion dollarë nga USAID dhe miliona nga Bashkimi Europian, qeveri individuale europiane, Japonia dhe vende të tjera, si edhe hua nga Banka Botërore (59 milion dollarë) dhe BERZH-i (43 milion dollarë), qe duhet të paguheshin nga populli rus. Një rezultat i këtij financimi qe pasurimi, politik dhe financiar, i Chubais dhe i aleatëve të tij.
HIID-ja ndihmoi që të krijoheshin shumë institucione të tjera të financuara nga ndihma. Njëri qe Federal Commission on Securities, një ekuivalente e përafërt e U.S. Securities and Exchange Commission (SEC). Edhe ky u krijua gjithashtu me dekret presidencial dhe u drejtua nga Dmitry Vasiliev, i përkëdhelur i Chubais. Komisioni kishte tagra implementimi dhe financimi mjaft të kufizuara, por USAID-i ia siguronte paratë nëpërmjet dy institucioneve të krijuara të Harvard të drejtuara nga Hay, Vasiliev dhe anëtarë të tjerë të grupit Harvard – Chubais.
Një prej tyre ishte Institute for Law-Based Economy, i financuar nga Banka Botërore dhe USAID-i. Ky institut, i krijuar për të ndihmuar zhvillimin e një kornize ligjore dhe rregullatore për tregjet, evoluoi duke u përfshirë hartimin e dekreteve për qeverinë ruse. Mori rreth 20 milion dollarë nga USAID-i. Gushtin e kaluar, drejtorët rusë të ILBE-së u kapën duke pajisje amerikane zyrash me një vlerë prej 500000 dollarësh nga zyra e organizatës në Moskë. Pajisjet u kthyen vetëm pas javësh presioni amerikan. Kur auditorë nga zyra e Inspektorit të përgjithshëm të USAID-it. kërkuan dosje dhe dokumenta lidhur me operacionet e ILBE-së, organizata refuzoi që t’ua japë.
Marifeti i krijimit të organizatave private të mbështetura nga pushteti i qeverisë Yeltsin dhe ruajtja e lidhjeve të ngushta me HIID-në qe një mënyrë sigurimi e jopërgjegjësisë. Shleifer, Hay dhe harvardianët e tjerë, të gjithë shtetas amerikanë, bëheshin “rusë” kur ju vinte për mbarë. Për shembull, Hay shërbente herëpasëhere dhe nganjëherë njëherazi si kontraktor ndihmash, menaxher për kontraktorë të tjerë dhe përfaqësues i qeverisë ruse. Nëqoftëse donatorët perëndimorë sulmoheshin pse po financonin praktika kontraverse privatizimi të shtetit, ata mund të pretendonin se po financonin organizata “private”, anipse këto organizata qenë të kontrolluara apo fuqimisht të influencuara nga zyrtarë kryesorë shtetërore. Nëqoftëse rrethi i Chubais kritikohej për keqpërdorim fondesh, menjëherë mund të pretendonin se vendimet merreshin nga amerikanët. Donatorët amerikanë mund të këmbëngulnin se rusët po vepronin sipas qejfit të tyre.
Kundër sfondit prej kapitalizmi tip Klondike të Rusisë, të cilin ata po ndihmonin të krijohej dhe Chubais me ekipin e tij supozohej që ta rregullonin, këshilltarët e HIID-së i shfrytëzuan lidhjet e tyre të ngushta me Chubais e qeverinë dhe me sa duket qenë të aftë të kryenin aktivitete biznesi për pasurimin e vetes. Sipas burimeve të afërta me hetimin qeveritar amerikan, Hay përdori si influencën e tij, ashtu edhe resurset e financuara nga USAID-i për të ndihmuar të dashurën e tij Elizabeth Hebert të ngrinte një fond huashë, Pallada Asset Management, në Rusi. Pallada u bë fondi i parë i huave i liçencuar nga Federal Commission on Securities i Vasiliev. Ky i fundit e miratoi Pallada përpara Credit Suisse First Boston dhe Pioneer First Voucher, institucione financiare shumë më të mëdha dhe shumë më të afirmuara.
Pas ngritjes së Pallada, Hebert, Hay, Shleifer dhe Vasiliev shikuan për mënyra që të vazhdonin aktivitetet e tyre teksa fondet e ndihmave filluan të pakësoheshin. Duke përdorur resurset dhe financimet e ILBE-së, ata krijuan një formë private konsulence me para taksapaguesish. Një prej klientëve të parë të firmës qe Nancy Zimmerman, bashkëshortja e Shleifer, e cila drejtonte një hedge fund me qendër në Boston që tregëtonte rëndshëm bono ruse. Sipas dokumentave ruse të regjistrimit, kompania e Zimmerman krijoi një firmë ruse me Sergei Shishkin, kreun e ILBE-së, si Drejtor të Përgjithshëm. Dokumentat e korporatës të ndodhura në Moskë treguan se adresa dhe numri i telefonit i kompanisë me ato të ILBE-së qenë të njëjta.
Pastaj ishte edhe First Russian Specialized Depository, e cila mban shënimet dhe asetet e investitorëve e fondeve të huave. Ky institucion, i financuar nga një hua e Bankës Botërore, punoi gjithashtu në përfitim të Hay, Vasiliev, Hebert dhe një ortaku tjetër, Julia Zagachin. Sipas burimeve të afërta me hetimin e qeverisë amerikane, Zagachin, një amerikane e martuar me një rus, u zgjodh që ta drejtonte firmën në fjalë edhe pse i mungonte kapitali i kërkuar. Haptazi, duhej që të kishte ndarje totale midis depozitimit dhe çdo fondi huashë që përdorte shërbimet e saj. Por përzgjedhja e Zagachin e shpërfilli këtë dogmë të tregut të lirë: Pallada dhe depozitimi drejtoheshin nga njerëz me lidhje të ngushta njëri me tjetrin nëpërmjet HIID-së. Kështu që shumë njerëz që supozohej të ishin fiduçarët e sistemit jo vetëm që e minuan objektivin e deklaruar e ndërtimit të institucioneve të pavarura e programit të ndihmave, por replikuan edhe praktikën sovjetike e “qethjes” se aseteve në favor të nomenklaturës.
Anne Williamson, një gazetare e specializuar në çështjet sovjetike dhe ruse, i detajuan këtë dhe konflikte të tjera interesi midis këshilltarëve të HIID-së dhe klientëve të supozuar të tyre në librin e titulluar “How America Built the New Russian Oligarchy”. Për shembull, në vitin 1995, në tenderat e organizuara të pronave kryesore kombëtare të organizuara nga Chubais, të njohura si “hua për pjesë”, Harvard Management Company (HMC), që investon në universitet, dhe financieri spekulator George Soros qenë entitetet e vetme të huaja të lejuara që të merrnin pjesë. HMC-ja dhe Soros u bënë pjesëtarë të konsiderueshëm në Novolipetsk, kompaninë e dytë më të madhe të çelikut të Rusisë, dhe Sidanko Oil, rezervat e të cilës i kalonin ato të Mobil. Gjithashtu, HMC-ja dhe Soros investuan në bursën e brendshme me fitim të lartë të financuar nga FMN-ja.
Sipas Williamson, akoma edhe më e dyshimte qe blerja në korrikun e 1997 nga ana e Soros e 24% të Sviazinvest, gjigandit të telekomunikacionit, në partneritet me Uneximbank e Vladimir Potaninit. Më pas u mësua se pak përpara kësaj blerjeje Soros e kishte furnizuar qeverinë e Yeltsin me një hua të fshehtë prej qindra milion dollarësh, ndërkohë që qeveria po priste procedurat e nënshkrimit të një eurobondi; huaja duket tani se është përdorur nga Uneximbank për të blerë Norilsk Nickel në gushtin e 1997. Sipas Williamson, programi i asistencës amerikane në Rusi ishte i mbushur me konflikte të tilla interesi që përfshinin këshilltarët të H.I.I.D.-së dhe aleatë të Chubais të financuar nga USAID-i, menaxherë të HMC-së, bankierë të favorizuar rusë, George Soros dhe mërgimtarë të brendshëm që punonin në tregjet e sapolindura të Rusisë.
Pavarësisht ekspozimit të këtij korrupsioni në median ruse (dhe, në mënyrë shumë më hezituese, në median amerikane), klika HIID – Chubais mbeti deri kohët e fundit instrumenti më i madh i politikës së ndihmës amerikane për Rusinë. Bile ajo u përdor në Komisionin e nivelit të lartë Gore – Chernomyrdin, që ndihmoi të orkestrohej bashkëpunimi i marrëveshjeve amerikano – ruse të naftës dhe stacioni hapësinor MIR. Komisioni që tani nuk ekziston Capital Markets Forum kryesohej për palën ruse nga Chubais e Vasiliev dhe për palën amerikane nga Presidenti i SEC-it Arthur Levitt Jr. e Sekretari i Thesarit Robert Rubin. Andrei Shleifer u emërua Koordinator Special për të katër nëngrupet punuese të Capital Markets Forum. Hebert, e dashura e Hay, shërbente në dy prej nëngrupeve, siç shërbenin edhe CEO-të e Salomon Brothers, Merrill Lynch dhe kompanive të tjera të fuqishme investuese të Wall Street. Kur “The Nation” kontaktoi SEC-in për informacione lidhur me Capital Markets, na u tha që të lidheshim me Shleifer për komente. Ky i fundit, që është nën investigim nga Inspektori i Përgjithshëm i USAID-it për keqpërdorim fondesh, refuzoi të intervistohej për këtë artikull. Një zëdhënës i Thesarit tha se Shleifer dhe Hebert qenë emëruar tek Capital Markets nga grupi i Chubais, specifikisht, sipas burimeve të tjera, Dmitry Vasiliev.
Në fakt, projektet e HIID-së nuk u monitoruan kurrë siç duhet nga USAID-i. Në vitin 1996, një raport i General Accounting Office e përshkruante menaxhimin e USAID-it dhe mbikëqyrjen e HIID-së si “të shkujdesur”. Në fillimet e 1997, Inspektori i Përgjithshëm i USAID-it mori dokumenta inkriminuese rreth aktiviteteve të HIID-së në Rusi dhe nisi të hetojë. Në maj Shleifer dhe Hay i humbën projektet e tyre kur agjencia anulloi shumicën e 14 milion dollarëve ende të caktuara për HIID-në, duke cituar dëshmi se të dy menaxherët qenë angazhuar në aktivitete për “përfitim personal”. Të dy me sa duket kishin përdorur pozitat e tyre për të përfituar nga investime në bursat ruse dhe sipërmarrje të tjera private. Sipas burimeve të afërta me investigimin amerikan, për shembull, ndërsa këshillonin qeverinë ruse lidhur me tregjet e kapitaleve, Hay dhe babai i tij me sa dukej përdornin informacion të brendshëm për të investuar në bonot qeveritare ruse. Së fundmi, Hay dhe Shleifer mund të përballen me ndjekje penale dhe/ose civile. Shleifer vazhdon pedagog i brendshëm në Harvard dhe Hay vazhdon të punojë me anëtarë të klikës Chubais në Rusi. Sachs, që ka deklaruar se kurrë nuk investon në vendet që këshillon dhe që nuk është i implikuar në investigimin aktual qeveritar amerikan, mbetet kreu i HIID-së. Pas riformatimit të kabinetit Yeltsin në mars, Chubais u emërua në një pozitë të re të rëndësishme. Roli i tij në çështjet politiko – ekonomike të Rusisë është njollosur nga raportime për pasurim personal. Dy shembuj:
* Në shkurt të 1996, Fondacioni për Mbrojtjen e Pronës Private i Chubais përfitoi një hua pa interes 5 vjecare prej 2.9 milion dollarëshe. Sipas gazetës proYeltsin dhe proreformë “Izvestia”, Stolichny Bank, një institucion që merr linja kreditimi nga BERZH-i dhe Banka Botërore, e dha huanë në shkëmbim të një përqindjeje të vogël të kompanisë së naftës Sibneft kur u shit në ankand dhe për kontrollin e mëpasëm të një prej bankave më të mëdha të shtetit. Chubais e mbrojti veten duke thënë se praktika të tilla qenë të zakonshme në Perëndim, por dështoi që të japë ndonjë shpjegim të arësyeshëm për rreth 300000 dollarë të vitit 1996 në të ardhura të pajustifikuara nga rroga e tij shtetërore.
* Gjatë fushatës presidenciale të Yeltsin të 1996, zyrtarë të sigurisë kapën dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Chubais teksa po dilnin nga një godinë kryesore qeveritare me një kuti që kishte më shumë se 500000 dollarë kesh për fushatën. Sipas përgjimeve të një takimi të mëvonshëm të bërë nga një anëtar i një prej shërbimeve të sigurisë të Rusisë, Chubais dhe bashkëpunëtorët e tij përpunonin strategji sesi të zhduknin provat e çdo transaksioni të paligjshëm, ndërkohë që publikisht pretendonin se çdo aludim për mashtrime ishte vepër e armiqve politikë. Një investigim i zgjatur dhe apatik nisi, por eventualisht u la – më shumë dëshmi e forcës së madhe të Chubais. Ai mbeti i vlefshëm për Yeltsin më së shumti prej aftësisë së tij të perceptuar për të negociuar me Perëndimin, ku shumë e konsiderojnë akoma si simbol të reformës ruse.
Gjatë 5 viteve që klika Chubais kryesoi politikën dhe ndihmën ekonomike perëndimore në Rusi, i shkaktoi një dëm të madh asaj. Me mbështetjen e pakushtëzuar të Chubais dhe bashkëpunëtorëve të tij, njerëzit e Harvard, patronët e tyre në qeverinë amerikane dhe donatorët perëndimorë mund të kenë përforcuar sistemin e ri oligarkik passovjetik. Shleifer e pranon këtë tek “Privatizing Russia”, libri që shkroi me Maxim Boycko, ortakun e Chubais, që bashkë me patronin e tij do të kapej në një tjetër problem financiar që përfshinte marrjen e një “bakshishi të kamufluar” në formën e paradhënieve për një libër lidhur me historinë e privatizimeve ruse. “Ndihma mund të ndryshojë ekuilibrin politik”, thonë ata, “nëpërmjet ndihmimit të reformatorëve të tregut të lirë që të shpartallojnë kundërshtarët e tyre”.
Richard Morningstar, koordinatori i ndihmës amerikane për ish Bashkimin Sovjetik, i qëndron këtij mendimi: “Sikur të mos kishim qenë atje për t’i dhënë fonde Chubais, a do të mund ta kishim fituar betejën për realizimin e privatizimeve? Ka mundësi që jo. Kur flisni për disa qindra milion dollarë, nuk po shkoni të ndryshoni vendin me to, por po jepni asistencë të shënjestruar për të ndihmuar Chubais”. Në fillimet e 1996, pasi u largua përkohësisht nga posti i lartë prej Yeltsin sepse paraqiste politika ekonomike jopopullore, HIID-ja i erdhi në ndihmë duke e futur në borderonë e financuar nga USAID-i, një shenjë besnikërie që ish Ndihmësadministratori i USAID-it Thomas Dine thotë se e mbështeti. Politikëbërësit perëndimorë si Morningstar dhe Dine e kanë paraqitur Chubais si një vizionar altruist që luftonte forca reaksionare. Në pranverën e 1997, Summers e quajti atë dhe bashkëpunëtorët e tij një “dream team”. Me pak përjashtime, mediat kryesore amerikane e kanë sanksionuar këtë pikëpamje.
Politika amerikane kundrejt Rusisë kërkon një hetim të plotë nga ana e Kongresit. GAO i hetoi projektet ruse dhe ukrainase të HIID-së në 1996, por gjetjet në pjesën më të madhe u hoqën nga menaxhmenti i ndrojtur i agjencisë. Për shembull, ekipi i auditit konkludoi se qeveria amerikane ushtroi “favorizim” ndaj Harvard, por ky konkluzion dhe dokumentacioni mbështetës u hoqën nga raporti final. Vjeshtën e kaluar Kongresi i kërkoi GAO-s që të shikonte programet e ndihmës europianolindore dhe rolin e Shleifer në Komisionin Gore – Chernomyrdin. Pikëpyetje të tilla kërkojnë përgjigje, por çdo hetim serioz duhet të shkojë përtej korrupsionit individual dhe të shqyrtojë sesi politika amerikane, duke përdorur dhjetëra miliona dollarë taksapaguesish, ndihmoi që të deformohej demokracia e reforma ekonomike në Rusi dhe të krijohej një oligarki e egër mjaft e pasur./Bota.al
(Janine R. Wedel është antropologe dhe Associate Research Professor dhe Research Fellow në Institute for European, Russian and Eurasian Studies në George Washington University, si edhe autore e “Collision and Collusion: The Strange Case of Western Aid to Eastern Europe 1989-1998”. Këtë artikull e ka shkruar në vitin 1998 për “The Nation”)
Fraksion.com