AktualitetBota+Të fundit

Kthesa më e madhe politike e Trump: Urdhër ekzekutiv për të mbajtur të bashkuara familjet emigrante

Presidenti i SHBA Donald Trump thotë se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv mbi emigracionin për të trajtuar çështjen e ndarjes së familjeve emigrante në kufi.

“Ne duam të mbajmë së bashku familjet,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Do të nënshkruajmë së shpejti një urdhër ekzekutiv”, tha ai.

Kjo është ndoshta kthesa më e madhe politike e zotit Trump gjatë 17 muajve të presidencës së tij.

Gjatë shumë ditëve, Presidenti Trump dhe zyrtarët kryesorë në administratën e tij vazhdonin të thoshin se ai nuk mund të vepronte në mënyrë të njëanshme për ta përmbysur këtë politikë dhe se vetëm Kongresi, përmes legjislacionit, mund të ndalte ndarjen e familjeve.

Shtetet e Bashkuara në gjashtë javët e fundit kanë ndarë më shumë se 2,300 fëmijë të vegjël nga prindërit e tyre dhe i kanë dërguar në qendrat e paraburgimit, duke ngritur akuza ndaj prindërve për hyrje ilegale në vend.

Administrata Trump është vënë nën kritika të ashpra lidhur me politikën e saj për ndarjen e familjeve emigrante kur kalojnë ilegalisht kufirin jugor të SHBA.

Komentet e zotit Trump erdhën pas njoftimeve se Sekretarja e tij e Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen kishte hartuar një akt ekzekutiv për t’u nënshkruar nga zoti Trump, që udhëzonte këtë departament për t’i mbajtur familjet së bashku në paraburgim pasi të ishin ndaluar gjatë kalimit të kufirit.

Ndërkohë Presidenti Trump iu rikthye të mërkurën sulmeve të tij ndaj medias dhe opozitën demokrate për mënyrën se si ata po e përshkruajnë politikën e administratës së tij për të ndarë familjet e imigrantëve kur ata kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin jugor amerikan.

Zoti Trump tha se mediat kryesore amerikane “nuk po përmendin sigurinë e vendit kur flasin për imigracionin e paligjshëm”. Sipas tij “ligjet amerikane të imigracionit janë më të dobtat dhe më të këqijat se kudo në botë” dhe se demokratët “nuk do të bënin asgjë për t’i ndryshuar”.

“Është faji i demokratëve, ata nuk po na japin votat e nevojshme për të miratuar legjislacionin e duhur për emigracionin”, shkruante zoti Trump duke injoruar faktin që republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. “Ata duan kufij të hapur, që ushqejnë krime të tmerrshme, republikanët duan sigurinë. Por unë po përpiqem të bëj diçka” ”, shkruante zoti Trump.

 

Fraksion.com