Doktrina Putin
Nga Vitalij Tretjakov
Sipas mendimit tim, nuk ka asgjë më të thjeshtë sesa të përshkruash se cila do të jetë strategjia globale e Vladimir Putinit gjatë mandatit të tij të ri si President i Federatës Ruse. Tiparet dhe linjat kryesore të kësaj strategjia tashmë ose janë ravijëzuar në mënyrë të qartë, ose janë deklaruar në mënyrë eksplicite. Para së gjithash, mbi çfarë premisash mbështetet dhe do të mbështetet në të ardhmen e afërt strategjia e Putinit? Sipas mendimit tim, premisat janë katër.
Premisa e parë. Nga pikëpamja e tij për historinë dhe qytetërimin e saj, Rusia është e destinuar që të jetë një fuqi e madhe botërore dhe, për pasojë, nuk ka mundësi zgjedhjeje: nëqoftëse Rusia dëshiron të vazhdojë të ekzistojë si komb, si vend dhe shtet, nuk mund të bëjë ndryshe përveçse të avancojë një politikë të jashtme të pavarur, anipse kjo politikë nuk kënaq aktorët e tjerë në skakierën botërore.
Premisa e dytë. Rusia nuk aspiron që të kontrollojë gjysmë, një të tretën, një të katërtën apo kushedi se çfarë porcioni tjetër të botës, e përbërë në një mënyrë apo në një tjetër nga vende të pavarura de iure, por të nënshtruar de factondaj protagonistëve të tjerë botërorë (fuqive të mëdha). Përvoja e Bashkimit Sovjetik, që ka shpërdoruar forca dhe mjete shpesh në dëm të popullsisë së vet për të mbështetur në të gjithë botën «regjimet mike», e ka çuar Putinin në një konkluzion të vetëm: menaxhimi i zonave të influencës tepër të shtrira dhe një numër shumë të madh ndaj të cilëve të pretendosh impenjime, nga pikëpamja strategjike, është më shumë një bela sesa një avantazh.
Premisa e tretë. Perëndimit nuk mund t’i besohet. Cilatdo qofshin arësyet, qoftë kjo e justifikuar ose jo sipas pikëpamjes së Moskës, Perëndimi do të shikojë gjithmonë tek Rusia në rastin më të mirë një konkurrent dhe në më të keqin (dhe shumë më shpesh) një rival apo deri një armik.
Premisa e katërt. E gjithë bot apo përjeton një periudhë transformimesh globale e rajonale, konturet përfundimtare të së cilës nuk janë shumë të qartë. Procesi i transformimit do të vazhdojë minimalisht për 2 – 3 dekadat e ardhshme (por ndoshta edhe më shumë). Megjithatë, është e qartë se rezultati i këtyre transformimeve nuk do të jetë lindja e një «vëllazërie e të gjithë popujve të botës» (çka është utopi) apo e një hierarkie shtetesh gjysmëdemokratikë («demokracia totalitare» që do të donte Uashingtoni) e drejtuar nga një qendër e vetme (në fakt nga një vend i vetëm), por vetëm vetëm e një kombinimi të ri fuqishë të mëdha (më shumë të pavarura) dhe thjesht vendesh të mesme dhe të vogla (më pak të pavarura).
Për pasojë, objektivat strategjikë të Putinit si President i Rusisë në 6 vitet e ardhshme do të jenë si më poshtë:
1) Të ruajë dhe të forcojë Rusinë si një prej fuqive të mëdha botërore (ama jo në nivelin e Bashkimit Sovjetik, pasi sistemi i tij ishte i fryrë dhe joracional).
2) Të ruajë dhe të forcojë Rusinë si vend dhe qytetërim i veçantë dhe që mbahet me forcat e veta (për sa e mundur në botën e sotme), të pavarur sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që askush të mos guxojë t’i prekë interesat e saj sovrane.
3) Të ruajë paqen globale dhe, nëse është e mundur, paqen në rajonet ngjitur me kufijtë rusë. Për të garantuar të parën, Rusia duhet të ruajë një ekuilibër strategjiko – ushtarak me Shtetet e Bashkuara; ndërsa për të garantuar të dytën duhet të ndërhyjë, nganjëherë edhe me përdorimin e armëve, në konfliktet rajonale në territoret e interesit të saj strategjik, por pa i nisur asjëherë këto konflikte.
4) Të ruajë dhe të mbrojë qytetërimin rus (i nënkuptuar në kuptimin politik dhe etnik), edhe në vendet ku, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, është gjendur një numër i konsiderueshëm (si, për shembull, në Estoni dhe në disa shtete të rinj të pavarur të Azisë Qendrore) apo shumë i madh (si në Ukrainë) banorësh të etnisë apo qytetërimit rus (në terminologjinë e përditshme, rusishtfolës).
5) Duhet nënvizuar se kjo pikë e fundit, për një tërësi rrethanash objektive e subjektive, ka gëzuar vëmendjen më të pakët gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, përfshi vitet e para e presidencës Putin. Megjithatë, aneksimi i Krimesë nga Rusia, që aq shumë ka frikësuar e tronditur Perëndimin dhe që, pavarësisht të gjitha premisave objektive, ka ndodhur pikërisht se në krye të Kremlinit ishte Vladimir Putini dhe jo ndonjë president tjetër, tregon se i është dhënë fund traditës së keqe, që zbret të Gorbaçiovi dhe Jelcini, të injorimit të interesave jetike të rusëve të ndodhur kundër vullnetit të tyre të jetojnë përtej kufijve të Federatës Ruse.
Do të përshkruaj tani, siç e kuptoj dhe siç e shoh, të gjithë spektrin e elementëve përbërës të strategjisë globale ruse nën drejtimin e Vladimir Putinit gjatë mandatit të tij të ri presidencial. Nganjëherë do të përmend në këtë listë edhe metodat me të cilat Putini do ta realizojë këtë strategji.
Tendencat e përgjithshme e strategjisë globale të Putinit
Në përgjithësi, ja linjat strategjike të Rusisë sipas Presidentit të saj:
1) Të ruajë raporte jokonfliktuale, për sat ë jetë e mundur, me protagonistët kryesorë të skakierës botërore (fuqitë e mëdha globale dhe rajonale), me kusht që pala e kundër të mos provokojë konflikte.
2) Të ruajë sistemin aktual (i bazuar mbi marrëveshjet e Jaltës dhe Potsdamit) e institucioneve ndërkombëtare me Kombet e Bashkuara në krye dhe sistemin e së drejtës ndërkombëtare, edhe pse shumë gjëra në këtë sistem nuk e kënaqin vetë Rusinë (për shembull, predominimi i përfaqësuesve amerikanë dhe i shteteve perëndimore nën kontrollin e tyre në krye dhe në brendsi të aparateve të këtyre institucioneve).
3) Të realizojë një strategji dhe një politikë alternative ndaj strategjisë globale speculative amerikane e perëndimore dhe ndaj politikës së «mbrojtjes të demokracisë dhe të drejtave të njeriut». Bëhet fjalë për një strategji dhe një politikë të «mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve sovrane» dhe të «mbrojtjes për çdo anëtar të komunitetit ndërkombëtar të së drejtës për t’u organizuar nga pikëpamja politike dhe sociale sipas traditave dhe normave të qytetërimit të këtij vendi».
4) Të nxisë në heqjen dorë nga mentaliteti i blloqeve dhe nga një qasje pasuesi, rezultati praktik i të cilit ka qenë krijimi i rregullt nga ana e Uashingtonit i «koalicioneve» për «të frenuar apo ndëshkuar» një vend të caktuar.
5) Të promovojë dhe të tentojë të realizojë parimin e «sigurisë kolektive të domosdoshme», domethënë të një sistemi në të cilin siguria e një grupi vendesh të mos realizohet në kurriz të humbjes së sigurisë të një grupi tjetër vendesh (i janë një shembull propozimet e shumta që Moska u ka bërë Shteteve të Bashkuara dhe vasalëve të tyre europianë për të hequr dorë nga pozicionimi i sistemeve mbrojtëse ushtarake amerikane afër kufijve rusë dhe, si alternativë, të krijojnë një sistem të përbashkët europian të mbrojtjes ushtarake).
6) Të kalojë pa trauma nga një botë unipolare, në të cilën Shtetet e Bashkuara janë fuqia hegjemone, në një botë multipolare.
7) Të luftohet së bashku, natyrisht, kundër kërcënimeve të përbashkëta dhe globale, si për shembull terrorizmi ndërkombëtar.
8) Së fundi, ajo që udhëheq Putinin do të jetë ideja se në raportet aktuale ndërkombëtare (siç ka ndodhur gjithmonë edhe më parë, gjatë gjithë historisë botërore) kanë peshë vetëm interesat dhe opinionet e atij që është i fortë. Edhe duke u bazuar vetëm mbi shembullin e Gorbaçiovit dhe Jelcinit, Putini është plotësisht i vetëdijshëm për faktin se sa më shumë t’i lëshosh Perëndimit, aq më shumë ai do të pretendojë lëshime të reja.
Për këtë arsye forcimi sa më shumë të jetë i mundur i fuqisë ruse dhe i influencës ndërkombëtare të saj do të mbesë një prej prioriteteve të strategjisë globale të Kremlinit.
Shtetet e Bashkuara
Në raportin me Shtetet e Bashkuara vlejnë parasëgjithash 3 rregullat e mëposhtme:
1) Emancipimi në mënyrë gradual dhe, po qe i mundur, jokonfliktual nga predominimi amerikan në fushën ekonomike dhe sidomos financiare.
2) Ruajtja e një ekuilibri strategjiko – ushtarak me Shtetet e Bashkuara.
3) Kundërvënia Uashingtonit atje ku preken në mënyrë eksplicite interesat e Rusisë apo interesat e raporteve konstruktive të saj me shtete të tjera.
Në të njëjtën kohë, rifutet në strategjinë e Putinit refuzimi i çdo forme tjetër aktiviteti antiamerikan. Putini nuk ka qëllim që t’i minojë qëllimisht pozicionet e Shteteve të bashkuara në botën aktuale. Kufizohet duke pritur që këto pozicione të dobësohen nëtyrshëm (në vijim të zhvillimit të qendrave të tjera të forcës) dhe për shkak të gabimeve të politikës së jashtme të kryer nga Uashingtoni. Lidhur me këtë, kjo është metoda e preferuar nga Putini për të luftuar kundër hegjemonisë perëndimore në përgjithësi dhe asaj amerikane në veçanti. Putini qëndron në pritje, pasi e di dhe e kupton se herët apo vonë Perëndimi do të bëjë një gabim tjetër. Dhe në këtë pikë i mbetet vetëm të vendosë, pasi ka vlerësuar pro-të dhe kundër-at, nëse ta shfrytëzojë apo jo këtë gabim. Është kjo që ka ndodhur me Krimenë, që është shembulli më i qartë. Veç kësaj, Putini e di se në çdo bashkim ekonomik, politik apo ushtarak fillimisht kompakt herët apo vonë shfaqen kontraste si midis anëtarëve të veçantë, ashtu edhe midis liderit të tij (në fakt, padronit) dhe anëtarëve të tjerë. Dhe nëse ky bashkim është i drejtuar kundër interesave të Rusisë, mjafton vetëm që të pritet të dobësohet ose të vetëshkatërrohet.
Europë (Bashkimi Europian – NATO)
Padyshim që Putini ka hequr dorë tashmë nga të besuarit (nëse ka pasur ndonjëherë) në një utopi si «shtëpia e përbashkët europiane» dhe prandaj nuk lëshohet në premtime dhe në projekte të kota lidhur me krijimin e një «hapësire të përbashkët europiane» mitologjike. Putini nuk ka tentuar kurrë, as edhe më përpara, që ta përcajë Bashkimin Europian ose NATO-n dhe sigurisht që nuk do ta bëjë as tani. Parasëgjithash sepse shikon me sytë e tij si ku unitet në pjesën më të madhe nuk ekziston më dhe dukja e tij, edhe e manifestuar në disa veprime të përbashkëta – në mënyrë të veçantë në politikën e sanksioneve kundër Rusisë – është e garantuar vetëm nga kontrolli ushtarak dhe ekonomik i Uashingtonit mbi «elitat europiane» dhe – gjë gjithnjë e më e qartë – nga materiali kompromentues i mbledhur ad hoc. Megjithatë, Putini do të tentojë që ta shfrytëzojë çdo çarje në brendësi të këtij «uniteti». Nuk do të ketë gjithmonë sukses, pasi Uashingtoni është shumë i vëmendshëm për të vepruar në mënyrë të tillë që pikërisht ndaj frontit rus në Bashkimin Europian dhe në NATO të mos ketë kurrfarë mospërputhjeje mendimi dhe sidomos veprimi. Por ky sistem po jep tashmë sinjale të rregullta keqfunksionimi, jo vetëm pse si Bashkimi Europian, ashtu edhe NATO ekzistojnë prej shumë kohësh dhe janë plakur e janë bërë të prapambetura, por edhe pse janë zgjeruar shumë, duke shkuar përtej kufijve realë të tyre.
Nuk mund të phoj se Putini e mendon si unë – e pohoj prej jo më pak se 15 vitesh – që Bashkimi Europian do të shembet dhe për të njëjtat arësye për të cilat u shemb Bashkimi Sovjetik (mendoj se data e kësaj shembjeje përfundimtare të mos shkojë përtej 2025). Ama më duket evidente që Putini nuk beson që Bashkimi Europian dhe NATO do të arrijnë të kompaktësojnë radhët e tyre. është e qartë edhe se Putini do ta përdorë mjeshtërisht këtë konfuzion dhe këtë lëkundje për interesat e Rusisë. Veç kësaj, Putini nuk ka sesi të mos e shikojë që po manifestohet në mënyrë gjithnjë e më të qartë një krizë qytetërimi e «Europës klasike». Dhe do të bazohet mbi faktin që herët apo vonë vendet europiane më pak të varura nga Shtetet e Bashkuara dhe/ose më të zgjuara do të jenë të detyruar t’i drejtohen Rusisë si garantja e vërtetë e mbrojtjes së qytetërimit europian. Putini do të tentojë me të gjitha forcat e tij, pavarësisht kundërshtimit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe e disa vendeve të Bashkimit Europian më shumë të orientuara në kuptimin rusofob dhe, në të njëjtën kohë, gjermanofob, që të ruajnë dhe të përmirësojnë raportet me Gjermaninë. Është e qartë se nuk do ta bëjë me Britaninë e Madhe, që prej pothuajse 5 shekujsh Lufton kundër influencës së Rusisë në Europë. Nuk do ta bëjë me Francën, që me presidentët e fundit e ka humbur të gjithë fytyrën në politikën e jashtme. Vetëm Gjermania, megjithëse është në fakt një vend i pushtuar nga Shtetet e Bashkuara, ka mbetur fuqia e vetme e madhe përtej kufijve të Rusisë në kontinentin europian.
Kina
Në optikën e transformimit të Kinës në superfuqinë e dytë botërore (të paktën në nivel ekonomik), strategjia globale Putinit ndaj këtij vendi do të ketë si objektiv heqja dorë nga shtytja e Pekinit drejt një konflikti me Shtetet e Bashkuara, për të mos thelluar kontrastet tashmë ekzistuese midis një Amerikë gjithnjë e më të dobët dhe të një Kine në rritje dje, duke nxjerrë avantazhin më të madh nga raportet e mira me Pekinin, të presë të shohë rezultatin e konkurrencës midis të dyve, për momentin vetëm ekonomike dhe financiare.
Vende dhe rajone të tjera
Sesi do të veprojë Putini në një kontekst të ngjashëm e ka demonstruar tashmë duke formuar një koalicion ad hoc midis Rusisë, Turqisë dhe Iranit në raport me çështjen siriane. Çfarë bie në sy? Parasëgjithash gjithçka që mbi bazën e një përputhjeje interesash rajonale janë bashkuar tri vende shumë të ndryshëm midis tyre që Perëndimi ka menduar mirë t’i armiqësojë. Përfshi – dhe është fakti më befasues – një anëtar të besueshëm të NATO-s siç ka qenë për shumë dekada, Turqinë!
Dhe mund të kihet siguri se në çdo konflikt tjetër rajonaj, të provokuar nga amerikanët apo në të cilin Uashingtoni dëshiron të futet me egoizmin e çfrenuar dhe hipokrizinë e pafalshme të tij, do të jetë gjithmonë e mundur të gjenden 2- 3 apo 4 – 5 vende të mëdha kufitare interesat kombëtare të cilëve realisht të dëmtohen nga planet e nga veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve vasalë të tyre. Do të arrihet në një pikë të tillë që do të shfaqen vetë dhe në mënyrë të pashmangshme motivet që do të shtyjnë të krijohen koalicionet të ngjashme ad hoc në funksion antiperëndimor. Do të mjaftonte të gjendej dikush mjaft i vendosur dhe i fortë për ta ngritur në këmbë një aleancë të këtij lloji.
Putini nuk do të krijojë koalicionë të ngjashëm jashtë perimetrit të rajoneve drejtpërsëdrejti kufitarë me Rusinë, si për shembull në Amerikën Qendrore, Amerikën Jugore apo në Afrikën Australe. Dhe arësyeja është se Putini nuk synon që të sulmojë qëllimisht dhe në mënyrë të studiuar as pozicionet e Shteteve të Bashkuara në pjesën tjetër të botës, as aq më pak të pengojë politikën e Uashingtonit kudo që ka vende apo popuj të pakënaqur apo të dëmtuar nga politika amerikane. Qënia jashtëzakonisht racional dhe besimi vetëm ndaj asaj që mund të sigurohet konkretisht janë imperativët e politikës së jashtme të Putinit. Për më tepër, një pozicion i tillë kritikohet nga disa prej kundërshtarëve të tij të brendshëm të mësuar me madhështinë sovjetike. E përsëris: Putini vëren se bota është lodhur nga hegjemonia amerikane dhe se, në një mënyrë apo në një tjetër, do të çlirohet prej sa. Dhe as Rusia, as Kremlini, as Putini personalisht nuk janë të detyruar të bëjnë punën për të gjithë botën.
Hapësira passovjetike
Lidhur me linjën politike të Putinit në hapësirën passovjetike që është pjesë e strategjisë së tij globale do të kisha shumë për të shkruar dhe kuptohet pse: është këtu që qëndrojnë interesat kombëtare të Rusisë. Në këtë artikull do të kufizohem që t’i evidentoj pikat kryesore.
Asnjë prej vendeve të hapësirës passovjetike (ish republika aleate që ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik) nuk e ka bërë akoma zgjedhjen e vet përfundimtare gjeopolitike. Motivet janë të qarta: pjesa më e madhe e këtyre vendeve duhet ta vendosë politikën e vet të jashtme duke u nisur thuajse nga zero. Thuajse të gjithë (me përjashtim të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë) vazhdojnë që të tundohen dhe të veprojnë me maturi midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës (kjo e fundit e rëndësishme sidomos për sa u përket vendeve të Azisë Qendrore) dhe deri midis këtyre gjigantëve gjeopolitike e Turqisë ose Arabisë Saudite. Putini e ka mirë në mendje gjithë këtë, por duke ruajtur korrektësinë maksimale ndaj regjimeve të vendosura në këto vende, të markës në thelb autoritare, preferon të presë më durim për të kuptuar sesi do të ecin punët që, veç të tjerash ecin në hap të njëjtë me ekuilibrin e lëkundur të forcave globale. Putini e ka kuptuar se herët apo vonë secili prej këtyre vendeve do të thirret për ta bërë një zgjedhje dhe mungesa e një presioni të veçantë nga ana e Moskës – përballë disa humbjeve taktike – do t’i japë një ditë frutet e tij dhe do të jetë më produktiv se presioni konstant i Shteteve të Bashkuara dhe i aktorëve të tjerë të jashtëm në funksion antirust, të interesuar në ndarjen e trashëgimisë sovjetike.
Për mua është e qartë si drita e Diellit se një linjë e tillë strategjike e Putinit ndaj këtyre vendeve do të vazhdohet.
Shtetet balltike (Letonia, Estoni, Lituani), siç e kam shkruar, janë një çështje krejtësisht tjetër. Ndërhyjnë vazhdimisht si provokatorë të vetëdijshëm se bëjnë gjithçka për të ashpërsuar raportet midis Rusisë e Shteteve të Bahskuara, Rusisë e Bashkimit Europian, tashmë në vetvete thellësisht të kompromentuara. Konsideroj të mundshme, në most ë nevojshme, që të bëhet më e ashpër politika e Moskës ndaj këtyre vendeve tashmë të infektuara nga virusi i racizmit (ndaj rusëve që jetojnë në territoret e tyre) dhe i neonazizmit (fakt që Bashkimi Europian demokratik vazhdon më kokëfortësi ta injorojë). Por mendoj se Putini nuk dëshiron të shtyhet 6 vitet e ardhshme drejt një ngurtësimi të pozicioneve, por që e konsideron sjelljen e këtyre vendeve një frut që buron nga raportet e përgjithshme midis Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër.
Së fundi, çështja e rusëve që ndodhen jashtë kufijve të Federatës Ruse, një çështje e lidhur me situatën në Letoni e Estoni, përveçse në Moldavi, por sidomos në Ukrainë. Kundërshtarët e brendshëm e politikës së jashtme të Putinit i kritikojnë sidomos faktin se po tregon shumë durim ndaj angarive në dëm të rusëve në shumë vende të hapësirës passovjetike, ndaj shkatërrimit sistematik të kulturës ruse, të arsimimit në gjuhën ruse dhe të vetë gjuhës ruse. Edhe unë mendoj se Rusia duhet të veprojë në mënyrë shumë të vendosur, nga pikëpamja diplomatike, politike dhe ekonomike.
Në këtë moment problem imponohet me forcë më të madhe në Ukrainë. Prandaj është pikërisht këtu që do të duhet të priten ndryshimet më të mëdha në qëndrimin e Putinit rreth «çështjes ruse» jashtë kufijve të Rusisë. Nuk mund të kalojë pa u vënë re fakti që qysh kur raportet midis Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar në ndërhyrjet e tij publike, Putini ka konstatuar gjithnjë e më shpesh atë që përpara grushtit të shtetit në Ukrainë (Jevromajdan, për ta thënë allaeuropiançe) ai preferonte të mos e kujtonte, domethënë që populli rus aktualisht është kombi më i madh i ndarë i Europës. Dhe është pikërisht kështu, pasi jo më pak se gjysma e popullsisë ukrainase është ruse. Bëhet fjalë minimalisht për 20 milion persona. Përqindja ngjitet deri në 75% – 80% nëqoftëse marrim në konsideratë njerëzit që flasin rusisht si gjuhë të parë. Si shumë rusë, jo të rënduar nga poste qeveritare, kam thënë gjithmonë se nëse populli gjerman ka pasur mundësinë (veç të tjerash jo pa ndihmën e Rusisë) që të ribashkohet në një shtet të vetëm, nuk ka më pak të drejtë populli rus. Dhe herët apo vonë do të ndodhë. Jam i sigurtë se Vladimir Putini me cilësinë e Presidentit të Rusisë nuk do ta paraqesë publikisht çështjen as më qartësi të ngjashme, as aq më pak nuk do ta konsiderojë një objektiv gjeopolitik të mandatit të ri presidencial. Por për mua është e qartë se ai e percepton gjithnjë e më shumë presionin në rritje e një çështjeje të tillë. Nga ana e saj, kjo do të transformojë në një farë mënyrë politikën e tij kundrejt Ukrainës në rast se do të qëndrojë regjimi aktual politik (apk rëndësi ka me çfarë liderësh në krye).
Më mirë se Krimea nuk mund të bëhet. Por do t’i takojë ta bëjë
Nuk është qëllimi im të gjykoj se brenda të cilash tema shikohet problem ukrainas në Romë, Berlin, Bruksel apo Uashington, por për Rusinë padyshim që është një çështje strategjike. Aneksimi i krimesë nga Rusia është rezultat i politikës së jashtme e të brendshme të Putinit që mund ta vlerësojnë vetëm rusët dhe të cilës është vështirë t’i gjenden të ngjashme në historinë ruse. Prandaj them: më mirë se Krimeja nuk mund të bëhet! E them në kuptimin që nuk është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të kishte bërë më mirë një president i Rusisë ose vetë Putini se kjo fitore e pabesueshme, pavarësisht se e rrezikshme. Besoj se Putini do të duhet të shkojë më tej dhe të vendosë në 6 muajt e parë të presidencës problemin e Novorossija (për ta thënë me fjalë të thjeshta, Ukrainën aktuale ruse dhe rusishtfolëse, i së cilës Donbassi është vetëm një pjesë e vogël). Nuk ka rëndësi sesa në Kiev nacionalistët ukrainas apo patronët e tyre të NATO-s e të Bashkimit Europian përsërisin se «nuk ekziston asnjë Novorossija»: nuk mund të shkëmbehet dëshira për realitetin. Janë tashmë 4 vite radhazi që Putini, me koston e dëmtimit të reputacionit të tij brenda Rusisë, bën maksimumin për ta mbajtur Ukrainën në kufijtë e 1991 (pa Krimenë e vetëshpallur, natyrisht). Përpjekjet e përbashkëta e regjimit nacionalist të Kievit, kryesuar nga Poroshenko, Turçinov dhe Avakov dhe mbështetur nga Perëndimi, vazhdojnë pa u ndalur rrugën për shembjen përfundimtare të Ukrainës.
Veç kësaj, forcat haptazi antiruse të Perëndimit synojnë qartë për një tentativë presioni të armatosur nga ana e Kievit mbi republikat e Donjeckut dhe Luhanskut apo të shkaktojnë një skenar tjetër ku Rusia do të detyrohet që të hyjë në konflikt direct në truallin ukrainas. Këto forca, me ngadalë, por pa e ndalur, po arrijnë ndonjë rezultat. Duke u nisur nga kjo tendencë që nuk është kundërshtuar nga asgjë, përjashto vetëkontrollin politik të Kremlinit, janë të detyruar të konsiderojnë se një luftë civile në të gjithë fushën dhe shembja përfundimtare e Ukrainës (në të cilën, sikur mos të mjaftonte, janë përfshirë edhe disa vende të Bashkimit Europian që kufizohen me Ukrainën) duken të pashmangshme. Në këtë rast, përtej synimeve personale, Putini do të detyrohet që të marrë masat e duhura. Nuk do të ketë zgjedhje tjetër./Përgatiti Bota.al
(Vitalij Tretjakov është gazetar dhe President i Shkollës së Lartë për Televizionin në Universitetin Shtetëror të Moskës “Mikhail Lomonosov”)
Fraksion.com