Kosova dhe Shqipëria pa roaming
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot rezolutën për heqjen e tarifave të roamingut me Shqipërinë. Kjo pikë kaloi me 69 vota pro dhe një abstenim.
Dardan Molliqaj, foli në emër të PSD-së e cila propozoi këtë rezolutë, duke thënë se marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të ndërtohen mbi respektin dhe përkushtimin.
“Hapja e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë do ti hapte shumë pengesa mes dy vendeve. Dy shtetet nuk rrezikohen nga vala e madhe e refugjatëve, prandaj Shqipëria renditet si miku më i mirë i Kosovës për shumë vite. Raportohet se 31 për qind e turistëve në vitin e kaluar, ishin nga Kosova, e që ishin të parët nga turistët e vendeve të botës”, ka thënë Molliqaj.
Teksti i rezolutës
Qeveria e Kosovës në kuadër të integrimit ekonomik me Qeverinë e Shqipërisë të nisë procedurat për heqjen e tarifës së roamingut në telefonin mobile ndërmjet qytetarëve të dyja vendeve.
Të themelohet komisioni i përbashkët Qeveri-Kuvend për fillimin e bisedimeve për eliminimin total të tarifave të roamingut në Kosovë dhe Shqipëri.
Anëtarët e Kuvendit në këtë Komision janë përfaqësues të secilit grup parlamentar në legjislaturën aktuale.
Autoriteti Regullativ i Komunikimeve Telefonike dhe Postare të Kosovës, dhe ai i Shqipërisë të përkujdeset për implementimin e kësaj marrëveshje.
Të thellohet bashkëpunimi në fushën e komunikimeve elektronike me theks të veçantë në shërbimin e trafikut të internetit drejtpërdrejt nyjeve shkëmbyese të internetit të dy vendeve.
Komisioni i përbashkët të raportoj në Kuvend për arritjen e marrëveshjes dhe ecurinë e heqjes së tarifave jo me larg se dy muaj pas miratimit të kësaj rezolute.
Fraksion.com