Ekonomia në Bufalo
Edhe pse Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet më të pasura dhe më të përparuara në botë, rreth 45 milionë amerikanë jetojnë nën nivelin e varfërisë. Në Bufalo, New York, dikur një qytet i begatë që po kalon kohë të vështira, një e treta e banorëve jetojnë në varfëri. Qyteti është një shembull i asaj që ndodh kur një sektor industrial dikur i fuqishëm bie, dhe punët e paguara mirë bëhen të pakta.
Pjesë e të ashtuquajturës Brezi Industrial Amerikan, Bufalo është qyteti i dytë më i madh i Nju Jorkut dhe tani, thotë historiani Mark Goldman, një nga qytetet e mëdha më të varfëra në Amerikë.
“Gati 75 apo 80 për qind e fëmijëve në shkollat tona kualifikohen për të marrë drekë falas. Kjo është pëqindja ndoshta më e lartë në vend. Në qytetin e Nju Jorkut kjo shifër është gjithashtu e lartë. Ky është një fenomen kombëtar”.
Goldman, vetë nga Nju Jorku, ka jetuar në qytet për më shumë se 50 vjet dhe ka shkruar disa libra mbi uljet dhe ngritjet ekonomike të Bufalos. Ka pasur më shumë ngritje, thotë ai.
Kur u hap kanali Erie në vitin1825, ai lidhi me rrugë ujore Nju Jorkun në Liqenet e Mëdhenj – një faktor kryesor që nxiti zhvillimin dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara.
“Nga viti 1900, Bufalo u bë një qendër e madhe e prodhimit industrial në vend. Çelik, qymyr, hekurudha. Çdo gjë që lidhet me industrinë e rëndë dhe më pas atë të automobilave“, shpjegon historiani.
Por gjithçka filloi të shembej në vitet 1980. Industria filloi të binte me shpejtësi në qytete që dikur lulëzonin, si Bufalo, Klivlend, Pitsburg dhe Detroid. Sot, më shumë se 31 për qind e banorëve në Bufalo jetojnë nën kufirin e varfërisë – e cila në Shtetet e Bashkuara është 24,000 dollarë për një familje me katër vetë.
George K. Arthur drejton muzeun Nash House në Bufalo, një pikë referimi për komunitetin afrikano-amerikan të qytetit. Arthur thotë se ka qënë dëshmitar i ndikimit që pati mbyllja e uzinave tek afrikano-amerikanët në qytet.
“Dhe ndërsa industritë filluan të zhvendosen dhe të shkonin jashtë shtetit, papunësia e lartë goditi më së shumti ata në komunitetin pakicë. Ishin ata që u goditën me të vërtetë rëndë”.
Sot, niveli i papunësisë së Bufalos është 6.4 për qind – më e lartë se sa qytetet e tjera të vendit. Por fotografi James Cavanaugh parashikon se qyteti ende ka një të ardhme të ndritshme.
“Pra, ne bëjmë krahasimin e disa objekteve që kemi fotografuar, si dy fabrikat e mëdha të çelikut që punësuanin dhjetëra mijëra njerëz. Ato janë zhdukur tani. Disa mund të thonë – Sa keq! Kemi humbur këtëç sektor prodhimi, por në të njëjtën kohë, këto objekte shfrytëzohen tani për industri të lehtë dhe për shpërndarjen e prodhimeve të teknologjive më moderne”.
Pra, duket se pavarësisht nga kohët e vështira, Bufalo po rimëkëmbet, duke ofruar shpresë – dhe vende të reja pune – për shumë nga banorët e saj./VOA
Fraksion.com