AktualitetTë fundit

Fituesit në universitete, kushtet si konkurohet për kuotat e 2018-s

Gara për studimet e larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit për vitin e ri akademik 2018-2019, nis zyrtarisht në mbyllje të muajit korrik. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar tashmë të gjitha procedurat që do të ndjekin maturantët dhe kandidatët e tjerë që duan të garojnë për studimet e larta përgjatë këtij viti.

Maturantët do të garojnë me 10 preferenca. Ndërkohë që shpallja e fituesve do të bëhet me tre raunde, duke u dhënë kështu mundësinë edhe maturantëve të vjeshtës që të konkurojnë për studimet e larta.

Në vijim të shkrimit po detajojmë udhëzimin e MASR se si do të bëhen aplikimet për studimet e larta përgjatë tre raundeve, kushtet e përzgjedhjes së fituesve, si dhe hapat për regjistrimin e fituesve të dalë nga secili raund.

 Hedhja e të dhënave në sistem për maturantët

Në udhëzimin e MASR saktësohet se për maturantët e këtij viti shkollor që kanë aplikuar me plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, drejtoritë arsimore duhet që të hedhen në portalin online të maturantit, të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit të të gjitha viteve të gjimnazit.

Kështu, deri në datën 31 maj 2018, për këta maturantë duhet të hidhen në sistem rezultatet e të gjitha viteve të shkollës së mesme, duke përjashtuar rezultatet e vitit të fundit. Rezultatet e vitit të fundit do të hidhen gjatë muajit qershor, pas përfundimit të vitit aktual shkollor.

Ndërsa për kandidatët që kanë mbarur shkollën e mesme përgjatë viteve të shkuara (para 2018-s), dhe që kanë aplikuar me formularin A1Z, drejtoritë e shkollave ku ata kanë kryer aplikimin, duhet të hedhin të dhënat përkatëse online për secilin kandidat brenda datës 30 qershor.

Për kandidatët që e kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe që kanë aplikuar me formularin A1Z, drejtoritë arsimore në të cilat ata kanë bërë dhe aplikimin përkatës duhet që brenda datës 30 qershor të kenë përfunduar hedhjen në sistemin online të të dhënave të lidhura me rezultatet e njehsuara të shkollimit për të gjitha vitet e gjimnazit.

RAUNDI I PARË I PRANIMEVE

Aplikimi me 10 preferenca

Edhe për garën e këtij viti përzgjedhja e programeve të ciklit të parë të studimeve “Bachelor”, degëve që janë me karakter profesional, si dhe programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë të ofruara për vitin e ri akademik do të bëhet online në portalin e aplikimit universitar U-albania.

Që të gjithë maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara që duan të ndjekin studimet e larta duhet që të aplikojnë online sipas afateve të përcaktuara për secilin rreth.

Sipas udhëzimit, të drejtën e hyrjes në këtë garë e kanë të gjithë kandidatët që plotësojnë këto kushte: “ Janë pajisur me dokumentacionin përkatës të mbarimit të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga vetë universitetet, si dhe nuk janë regjistruar në asnjë program tjetër studimi”.

Përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave se ku duan të vijojnë studimet e larta secili kandidat duhet që të shlyejë tarifën e konkurrimit prej 2 mijë lekësh. Kjo pagesë duhet të bëhet ndërmjet periudhës 5 qershor-15 korrik. Vetëm pasi të kenë dorëzuar mandatin e pagesës sekretaritë e shkollave konfirmojnë brenda datës 20 korrik të dhënat e tyre online që do të përdoren më pas nga vetë universitete për shpalljen e fituesve . Aplikimet për raundin e parë do të kryhen ndërmjet datave 30 korrik-deri në 4 gusht.

Përzgjedhja e preferencave mund të bëhet në çdo ambient që ka akses interneti. Kandidati zgjedh deri në 10 preferenca studimi, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private. Nëse nuk plotësohet kriteri i notës mesatare ju mund të garoni vetëm për degët e karakterit profesional.

Gara për degët me konkurs

Për të gjitha programet e studimit të Universitetit të Arteve dhe të Universitetit të Sporteve  të Tiranës, programet “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, programi i studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, maturantët do u nënshtrohen konkurseve të pranimit të organizuar nga këto institucione publike të arsimit të lartë. Sipas afateve të përcaktuara nga MASR, konkurset e pranimit për këto degë do të zhvillohen ndërmjet datave 11 dhe 22 gusht.

Shpallja dhe regjistrimi i fituesve

Lista e parë e fituesve do të dalë në datën 28 gusht. Ndërsa regjistrimet do të bëhen në datat 30 gusht-12 shtator. Edhe për këtë vit regjistrimet e raundit të parë do të zhvillohen në 7 minifaza  regjistrimesh 48-orëshe. Që do të thotë se kur aplikanti është shpallur fitues dhe është shënuar me ngjyrën jeshile, ai duhet të shkojë pranë sekretarisë mësimore me dokumentacionin përkatës dhe të bëjë regjistrimin si fitues. Për të marrë statusin si student, ky kandidat duhet të respektojë afatin e regjistrimit prej 48 orësh.

Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda këtij afati, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në atë program ku është shpallu fitues. Çka do të thotë se vija e kuqe e fituesve në raundin e parë do të spostohet 7 herë sipas numrit të kuotave që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës minifazë regjistrimesh.

Në fund të përfundimit të kësaj faze 14 ditore regjistrimesh do të bëhen edhe verifikimet përkatëse në lidhje me numrin e kandidatëve të regjistruar në secilin program studimi të universiteteve publike, duke identifikuar kështu edhe vendet e mbetura bosh, kuota të cilat do të jenë pjesë e raundit të dytë të pranimeve.

RAUNDI I DYTË I FITUESVE

Aplikimi për kuotat e paplotësuara të raundit të dytë do të zhvillohet në data 15-20 shtator. Edhe në këtë raund maturantët do të mund të përzgjedhin nga e para 10 preferenca se ku duan të vijojnë studimet e larta.

Në këtë raund konkurojnë të gjithë kandidatë që nuk fituan dot në fazën e parë, ata që nuk arritën dot të garonin në afatet e përcaktuara të raundit të parë, maturantët e vjeshtës, si dhe kandidatët që ishin fitues, por që kryen procedurat e çregjistrimit për të garuar në një tjetër degë më të preferuar.  Ata që garojnë për herë të parë në këtë raund duhet të shlyejnë edhe tarifën prej 2 mijë lekësh të konkurrimit. Lista e fituesve të raundit të dytë do të bëhet në datën 25 shtator.

Ndërsa regjistrimet do të kryhen në datat 27 shtator- 6 tetor. Kësaj here regjistrimet do të jenë të ndara po në faza 48 orëshe, por që do jenë vetëm 5 të tilla. Çka do të thotë se çdo vend i mbetur bosh nga mbyllja e një faze do të plotësohet me kandidatët e tjerë që ndodhen poshtë vijës së fituesve për çdo program studimi.

RAUNDI I TRETË I FITUESVE

Në rast se edhe nga mbyllja e regjistrimeve në raundin e dytë do të rezultojnë serish kuota të paplotësuara do të zhvillohet edhe një raund tjetër pranimesh. Konkretisht, gjatë periudhës 9 deri në 13 tetor universitetet do të vijojnë me regjistrimin e kandidatëve sipas kushteve të aplikimit të bëra në raundin e dytë. Në këtë raund mund të regjistrohen të gjithë maturantët që nuk janë shpallur fitues apo që nuk janë regjistruar në asnjë nga raundet e mëparshme./P.K

 

Fraksion.com