AktualitetPolitikëTë fundit

Balla: Zyrtarët e lartë të PD, pas trafikut të 613 kg kokainë

Partia Socialiste ka bërë një denoncim të fortë lidhur me trafikun e kokainës në vend. Një ditë pasi Edi Rama përmendi në intervistën për “ABC News” se informacionet tregojnë se zyrtarë të lartë të PD janë përfshirë në trafikun e 613 kilogramë kokainë që u kap në Maminas në muajin shkurt, kjo akuzë është përforcuar dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat, Balla tha se opinioni publik do të njihet shumë shpejt më emrat e zyrtarëve të lartë të PD-së, që sipas PS, janë pjesë e trafikut të drogës. Ndryshimi i deklaratës së Ballës me atë të Ramës është se kryeministri foli për zyrtarë të PD, ndërsa Balla e ngushton rrethin tek emra që janë afër PD-së së Sali Berishës.

“Ne e dimë mirë që Basha në këtë aventurë të rrezikshme është futur nga Berisha për një arsye që ka të bëjë me 613 kg kokainë. Prisni e duroni, ditët në vijim do jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me resona të rangjeve më të larta të PD. Historia e përgjimit po dëmton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit. Kjo nuk i bën mirë Shqipërisë”,- tha Taulant Balla.

Balla shpjegoi se sulmi i fundit i PD-së ndaj Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë lidhet pikërisht me hetimet për trafikun e kokainës nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.

Në deklaratën e PS-së bie në sy fakti për të ndarë sulmin ndaj Ministrit të Brendshëm mes Lulzim Bashës dhe Berishës. Pra, sipas Taulant Ballës, Basha është urdhëruar nga Berisha, pasi ky i fundit ka hallin e trafikut të kokainës. Duke se kur flet për rangje të larta, Balla ka parasysh njerëzit e Berishës dhe jo të Bashës.

Po sot Balla kërkoi nga prokuroria hetimin e plotë për audio-përgjimin e pretenduar me vëllain e ministrit të Brendshëm. Balla tha se askush se merr përsipër përgjimin përveç PD, pasi as gazetari dhe as dëshmitari nuk e pranojnë autorësinë.

“Luli thotë e ka Babalja, ky thotë e ka gazetari dhe gazetari thotë se përgjegjësin e ka PD. Autorësia e përgjimit të ngelet jetim në prehrin e Saliut dhe me këtë histori Saliu po na del me tre djem, Shkëlzenin, Lulin dhe Babalen. Basha është i futur në një aventurë Don Kishoteske nga vetë Saliu për një përgjim, i cili duket ditën për diell që është një kasetë e stisur e një bisede që nuk ka ndodhur kurrë mes Babales dhe vëllait të ministrit. Ne e dimë që Basha në këtë aventurë është futur nga Berisha dhe gripat e tij, që tashmë e ka kuptuar që ne e dimë të vërtetën. Për t’i shkuar asaj deri ë fund thirrja ime është ndaj Prokurorisë, që në mënyrë sa më të shpejtë dhe në kohë të shkurtër nga çdo laborator i çdo vendi partner të Shqipërisë, të bëjë ekspertizën dhe të nxjerrë përfundimin cili do qoftë ai”,- tha Taulant Balla.

 

Fraksion.com