Concord Investments: 3.8 milionë euro investime në Portin e Limjonit
Qeveria ka vendosur që t’i kalojë me qira një pjesë të Portit të Limjonit në Sarandë një kompanie private kundrejt vlerës simbolike të qirasë prej 1 euro për 20 vjet. Vendimi i miratuar në mbledhjen e datës 26 prill 2018 tashmë ka hyrë në fuqi pas publikimit të Fletoren Zyrtare ku jepen edhe detajet e plan biznesit të kompanisë Concord Investment sh.p.k që është edhe kompania përfituese. Referuar detajeve të dhëna në vendim thuhet se sipërfaqja që është dhënë me qira është pjesë të ambienteve të Portit të Limjonit, Sarandë, me nr. pasurie 5/232, zona kadastrale 8641, me sipërfaqe të përgjithshme prej 5 370 m2. Të paktën 90 m2 janë sipërfaqe objekt dhe 5 280 m2 janë sipërfaqe funksionale, në përgjegjësi administrimi të Portit Detar, sh.a., Sarandë.
Plani i biznesit, kompania do investojë 3.8 milionë euro
Në planin e saj të biznesit kompania Concord Investment sh.p.k ka vedosur që të investojë rreth 3.8 milionë euro në dy faza.
Faza e parë e investimit përfshin pak më shumë se 58 mijë euro dhe do të realizohet brenda 20 muajsh nga data e fillimit çka korrespondon me fundin e vitit 2019. Kjo vlerë investimi do të konsistojë në vendosjen e 3 depozitave me kapacitet: 2000 tonë për furnizimin e mjeteve me naftë, 100 ton për furnizimin e mjeteve me benzinë dhe 200 tonë për ujë. Ndërtimi i rrugëve për kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, blerje makineri e mjete të tjera, mobilimi i zyrave për fillimin e punës.
Në fazën e dytë është parashikuar pjesa më e madhe e investimit me një vlerë rreth 3.3 milionë euro. Punimet pritet të zgjasin 44 muaj dhe mbylla e tyre mendohet të jetë diku rreth fundit të vitit 2021. Kjo fazë konsiston në vënien e plotë në shfrytëzim të kantierit detar, me të gjithë infrastrukturën moderne përkatëse për pritjen e mjeteve detare, pasagjerë e mallra. Ndër të tjera punimet përfshijnë ndërtimin e kalatës së re, ndërtimi i kapanonit të kantierit, blerje e pjesës teknike (mjete shkarkuese), zhvillimi në gjatësi i rrugëve, krijimi i sipërfaqeve të gjelbëruara, parkimi të hapur, sistemi zjarrfikës, sistemi ndriçimi dhe sinjalizimi, ndërtimi i kullës së kontrollit ndërtimi i sipërfaqeve për shërbime civile, ndërtimi i ofiçinës së servisit. Numri i të punësuarve parashikohet të jetë rreth 30 në dy faza.
Kush është Concord Investment sh.p.k
Kompania është regjistuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në prill 2008 me një kapital 155 milionë lekë. Ortakë të saj janë Artan Dulaku me 34 për qind të aksioneve dhe Adrian e Genci Dulaku me nga 33 për qind.
Kompania ushtron aktivitet kryesisht në sektorin e ndërtimit. Lidhur me Sarandën Concord Investment nuk është hera e parë që shfaq interes. Vetëm pak kohë më parë kërkoi trajtimin si investitor strategjik për projektin e nj resorti turistik dhe vilash por që nuk arriti ta përfitonte./Monitor