Ekonomi

Banka Botërore: Aprovon 50 mln dollarë për infrastrukturën në Shqipëri

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar një projekt prej 50 milionë dollarësh për Lidhjen e rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri.

Projekti mbështet përmirësimin e aksesit në zona turistike dhe bujqësore, si dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve të tyre rrugore.

Kushtet aktuale të rreth gjysmës së rrjetit rrugor rajonal e lokal nuk e mbështesin mjaftueshëm aksesin në shërbimet publike bazë apo në aktivitete ekonomike. Kjo gjendje pengon zhvillimin e industrisë së turizmit si dhe të sektorit bujqësor. Lidhja e mirë e rrugëve është shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit. Banka Botërore ka kontribuar edhe në të kaluarën në përmirësimimin e rrugëve rurale dhe lëvizjen e njerëzve në të gjithë vendin, por lipset të bëhet më shumë për të konsoliduar përmirësimet e rrjetit rrugor në mënyrë të qëndrueshme që të nxitet rritja ekonomike. Projekti mbështetet mbi këtë përvojë të mëparshme.

“Projekti i ri do të fokusohet në prioritizimin e atyre ndërhyrjeve që sjellin përfitim më të madh ekonomik duke mbështetur sektorë produktivë, në veçanti bujqësinë dhe turizmin”, tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

“Zhvillimi i turizmit do të përfitojë nga përmirësimi i rrugëve që çojnë drejt destinacioneve ekzistuese apo potenciale turistike. Projekti, po ashtu, do të ndihmojë integrimin e fermerëve në zinxhirin agro-ushqimor dhe pjesëmarrjen e tyre në tregje, veçanërisht të grave, të cilat përbëjnë shumicën e forcës së punës në bujqësi në Shqipëri”.

Më specifikisht, projekti do të financojë rehabilitimin e rreth 55 km rrugë rajonale dhe lokale, duke përmirësuar lidhjen dhe sigurinë rrugore në zona ku jetojnë afro 80,000 banorë. Programi për vitin e parë të projektit përfshin tri segmente rrugore të njohura për rëndësinë e tyre në zhvillimin e turizmit dhe/ose të bujqësisë siç janë rrugët Fier-Seman, Pogradec-Tushemisht dhe Qafë Thore-Theth. Këto segmente rrugore janë përzgjedhur bazuar në analizimin e shumë kritereve. Rehabilitimi i rrugëve do të përfshijë edhe zgjidhje të përshtatjes ndaj kushteve klimatike që lidhen me përmbytje apo rrëshqitje dheu. Projekti gjithashtu do të nxisë punësimin e grave në sektorin e rrugëve në Shqipëri. Agjencia zbatuese e projektit do të jetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i njohur për eksperiencën e gjerë me projekte rrugësh.

Qasja e prioritizimit të investimeve që do të përdorë projekti do të shërbejë edhe në të ardhmen si një kuadër politikash për investime të reja në ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, me financime vendase apo të huaja.