AktualitetBota+EkonomiTë fundit

Kina dhe Japonia drejt një linje të moderuar

Këto “perspektiva të reja” janë të nevojshme përballë rolit ekonomik në rritje, të cilin mund ta luajnë të dyja vendet në plan rajonal dhe global, tha ministri i Jashtëm i Japonisë Taro Kono sipas raporteve të medieve, në hapje të bisedimeve njëditore.

Homologu i tij kinez, Wang Yi plotësoi se Kina shpreson ta thellojë dialogun me Japoninë për një bashkëpunim ekonomik.

Kështu, të dy ministrat e Jashtëm ranë dakord që të organizojnë vizita reciproke të kryetarëve të qeverive të tyre. Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe do të shkojë për vizitë në Kinë, ndërsa Presidenti i Kinës Xi Jinping do të udhëtojë për në Japoni.

Së bashku kundër SHBA

Afrimi i të dyja shteteve bëhet në një kohë, kur marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe fuqisë mbrojtëse të Japonisë, SHBA janë gjithnjë e më të tensionuara. Presidenti i SHBA, Donald Trump ka vendosur së fundi taksa doganore ndëshkuese ndaj importeve të çelikut dhe të aluminit, prej të cilave preken si Kina, ashtu edhe Japonia.

Kryeministri i Japonisë, Abe do të shkojë këtë javë në SHBA, për të diskutuar si për çështjet tregtare, ashtu edhe për takimin e pritur të Trumpit me pushtetmbajtësin koreanoverior Kim Jong Un.

Një temë tjetër e takimit midis Japonisë dhe Kinës ishte shqetësimi për një luftë ekonomike midis SHBA dhe Kinës dhe rrethana se si mund ta dëmtojë ky afrim ekonominë e përbotshme. “Ne kemi qenë të të njëjtit mendim, që një luftë ekonomike – pavarësisht se cili vend e ka nisur atë – do të kishte një efekt masiv ndaj ekonomisë botërore”, tha Kono pas takimit.

Mbështetje reciproke

Japonia sipas medieve dëshiron ta shfrytëzojë dialogun me Kinën për të theksuar edhe rëndësinë e tregtisë së lirë, të bazuar në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, WTO.

Kina shpreson veç kësaj për mbështetjen e Japonisë për projektin e saj të “Rrugës së re Të Mëndafshtë”, u tha. “Rruga e re e mëndafshtë” do të  lidhë Kinën në tokë dhe në det me Azinë Juglindore, Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Afrikën.

Ministri i Jashtëm Wang ka punuar si diplomat për tetë vjet me radhë në Japoni, tri vjet prej tyre ai ka qenë ambasador i vendit të tij në Japoni. Ai tha se klima ekonomike që po ndryshon ofron një sërë mundësish për bashkëpunim, të cilat mund të nxisin rritjen ekonomike në të dyja vendet.

Një numër i madh konfliktesh

Marrëdhëniet midis Japonisë dhe Kinës rëndohen prej një numri të madh konfliktesh. Këtu bëjnë pjesë grindje territoriale, pretendimet territoriale në rritje të Kinës në rajon dhe trajtimi nga Japonia i së kaluarës së saj në luftë./DW