Rritja ekonomike, bardhezi
Banka e Shqipërisë dha vlerësim pozitiv për zhvillimet e vitit 20017 në raportin e posaçëm drejtuar Kuvendit, por mbiçmimi i lekut dhe varësia e rritjes nga sektori i ndërtimit e bëjnë të brishtë perspektivën
Teksa rritja ekonomike shënoi nivelin më të lartë të dekadës me 3.8 për qind e vitin e kaluar, ajo vjen me një panoramë të brishtë e pashoqëruar me konsum, pa investime në teknologji dhe me zgjerim te ngadaltë të punësimit. Përqendrimi i rritjes në sektorin e ndërtimit shfaq pasiguri për qëndrueshmërinë afatgjatë, teksa ekonomia edhe gjatë vitit të kaluar është rritur më pak se potenciali sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë autoriteti qendror bankar vlerëson në raportin e posaçëm vjetor se 2017-a u mbyll me një tablo pozitive të zhvillimeve ekonomike në vend.
Punësimi shënoi një rritje mesatare vjetore prej 2.9% gjatë nëntë muajve të parë të vitit, ndërkohë që shkalla e papunësisë zbriti në nivelin 13.6% në fund të tremujorit të tretë. Deficiti i llogarisë korente zbriti në një nivel mesatar prej 6% të PBB-së gjatë nëntë muajve të parë të vitit, kundrejt nivelit 8% të regjistruar një vit më parë. Treguesit fiskalë shënuan konsolidim gjatë vitit 2017, duke u reflektuar në një nivel të ulët të deficitit buxhetor dhe rënie të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së. Tregjet financiare ishin të qeta. Ato u karakterizuan nga norma të ulëta interesi dhe nga ana tjetër sektori bankar u paraqit i shëndetshëm, me tregues të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe përfitueshmërie.
31% e rritjes ekonomike u krijua nga ndërtimi
Inflacioni mesatar i vitit 2017 rezultoi në nivelin 2.0%, por niveli i tij nën objektiv vijon
të pasqyrojë operimin e ekonomisë nën potencial, raporton Banka e Shqipërisë. Në veçanti, shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese nënkupton se niveli i punësimit, shpejtësia e rritjes së pagave dhe marzhet e fitimit të biznesit, vijojnë të mbeten ende poshtë ekuilibrave të tyre afatmesëm e afatgjatë.
Aktiviteti ekonomik vijoi të rritet gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2017, i mbështetur kryesisht nga ecuria e përmirësuar e sektorit të shërbimeve dhe ndërtimit. Përcaktuesi kryesor në rritjen ekonomike gjatë vitit mbetet kërkesa e brendshme, me kontribute pozitive nga të dy komponentët, konsumi dhe investimet. Në sektorin e shërbimeve, kontributet më të larta në rritjen ekonomike vlerësohet të jenë dhënë nga degët e “Tregtisë, hoteleve e restoranteve, dhe transportit” dhe të “Administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë”, përkatësisht 0.7 dhe 0.6 pikë përqindje. Ndërkohë, dinamika e përmirësuar e sektorit prodhues pasqyroi kontribute pozitive nga të gjithë aktivitetet kryesore të përfshira në të.
Midis tyre, aktiviteti ndërtues vijoi të gjenerojë kontributin më të lartë në rritjen
e PBB-së, prej rreth 1.2 pikësh përqindjeje, i ndikuar nga rritja e investimeve publike, vazhdimësia e punimeve në projektet madhore të sektorit energjetik (ku mbizotërojnë investimet e huaja direkte), si edhe realizimi i ndërtimeve të reja. Ndërkohë, aktiviteti industrial dhe ai bujqësor mbështetën rritjen ekonomike të nëntëmujorit, me respektivisht 0.3 dhe 0.2 pikë përqindje. Përllogaritjet tregojnë se, sektori i ndërtimit kontribuoi me 31 për qind të rritjes ekonomike me 2017.
Punësimi, bie rimti i rritjes
Zhvillimet në tregun e punës rezultuan pozitive gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2017. Pavarësisht ecurisë pozitive, kjo rritje ishte më e ngadaltë se rritja prej 6.8% e shënuar në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Rritja e punësimit u përcaktua kryesisht nga rritja e të punësuarve në sektorin e shërbimeve. Kjo rritje ka sjellë rënien e mëtejshme të shkallës së papunësisë. Shkalla e papunësisë qëndroi në nivelin 13.6% në tremujorin e tretë të vitit 2017, ose rreth 1.1 pikë përqindje poshtë vlerës së shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konsumi, rritje të ngadaltë
Informacioni i marrë nga treguesit e tërthortë sugjeron për ecuri pozitive të kërkesës së brendshme gjatë tremujorit të katërt, i formuar nga një kontribut në rënie i investimeve dhe një kontribut në rritje i konsumit të popullatës. Konsumi privat vijoi ciklin rritës gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2017. Konsumi privat u rrit me mesatarisht 2.5% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Rritja e shpenzimeve konsumatorë ishte më e ngadaltë në gjashtëmujorin e parë (+2.2%), por u përshpejtua në tremujorin e tretë të vitit (+3.3%). Rritja e shpenzimeve për mallra të qëndrueshme afatgjata dhe e shpenzimeve për shërbime vlerësohet se ka kontribuar në zgjerimin e konsumit privat. Rritja e punësimit dhe e pagave, përmirësimi i besimit konsumator, dhe kushtet e favorshme financiare, ishin faktorët kryesorë që mbështetën rritjen e shpenzimeve konsumatorë.
Investimet, rritja që vjen nga betoni
Investimet në ekonomi u rritën me 9.8% gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2017, sipas BSH. Gjatë tre viteve të fundit ky komponent ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e kërkesës agregate. Në rritjen e tij gjatë vitit të kaluar kontribuuan pozitivisht investimet në ndërtim dhe, në një masë më të vogël, edhe investimet në makineri dhe pajisje. Faktorët kryesorë që mbështetën rritjen e investimeve private janë përmirësimi i besimit dhe i gjendjes financiare të bizneseve, rikuperimi gradual i kërkesës konsumatore, si dhe kostot e ulëta të financimit në sektorin bankar. Treguesit e besimit në sektorin e tregtisë dhe të ndërtimit kanë qëndruar shumë pranë mesatares historike gjatë vitit 2017, ndërsa në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve qëndrojnë mbi mesataren e tyre historike.
Rritet tregtia me jashtë, përmirësohet me fqinjët
Bilanci i shkëmbimeve me jashtë u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2017, duke kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike për 9 muajt e parë të vitit.. Eksportet e përgjithshme u zgjeruan me 13.7% në terma vjetorë, me kontribut kryesor nga rritja e eksportit të shërbimeve me rreth 15.1%. Ecurisë pozitive të shërbimeve turistike i janë shtuar edhe kontribute suplementare pozitive nga grupe të tjera të shërbimeve. Paralelisht me to, ecuria e eksportit të mallrave ka rezultuar gjithashtu me rritje pozitive (8.9% në terma vjetorë) dhe me bazë të gjerë. Kushtet e favorshme të çmimeve ndërkombëtare, kombinuar me disa zhvillime pozitive të ofertës vendase, (veçanërisht në fushat e përpunimit të naftës, metaleve dhe ushqimeve të papërpunuara) kanë nxitur një rritje të lartë të eksportit të mallrave, e përqendruar kjo gjatë gjysmës së parë të vitit 2017. Nga ana tjetër, rigjallërimi i importeve ka vazhduar edhe gjatë vitit 2017.
Rritja reale e importeve rezultoi 7.6%, me ndikime kryesisht nga importi i mallrave. Rritja e importeve është intensifikuar veçanërisht gjatë tremujorit të tretë, për shkak të zgjerimit të shpejtë të importeve të energjisë elektrike dhe të lëndës djegëse. Rritja e eksporteve është zvogëluar ndjeshëm, e ndikuar edhe nga një efekt bazë i krijuar në muajt e fundit të vitit 2016. Kjo perspektivë pritet të vazhdojë edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, e lidhur kryesisht me ndikimin e eksportit të lëndës djegëse të përpunuar. Nga ana tjetër, importet kanë vazhduar të shfaqin rritje. Kjo sjellje pritet të vazhdojë edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2018. Në terma të strukturës sektoriale, eksportet mbeten relativisht të përqendruara në disa kategori pavarësisht normave të larta të rritjes gjatë vitit 2017. Kategoria “Tekstile dhe veshje” ka përbërë 43% të totalit të eksportit të mallrave, peshë kjo e cila ka mbetur konstante krahasuar me vitin 2016. Kategori të tjera të rëndësishme janë
“Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”. Kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe kategoria “Ushqime, pije dhe duhan” për shkak të rritjes së vazhduar të eksporteve përkatëse gjatë dy viteve të fundit. Në terma të strukturës eksportuese sipas destinacioneve, vendet e Bashkimit Evropian dhe konkretisht Italia, mbeten partnerët kryesorë tregtarë.
Gjatë 2017 është vë re një rritje relative e peshës së vendeve fqinje si Kosova, Serbia,
Maqedonia dhe Mali i Zi, për shkak të eksporteve të larta të “Ushqimeve” dhe “Materialeve të ndërtimit dhe metaleve” drejt këtyre destinacioneve. Për sa i përket destinacioneve më të largëta, është vënë re një rritje e peshave të Suedisë dhe Estonisë. Kjo lidhet me eksportin më të lartë të disa kategorive të ushqimeve të përpunuara drejt tyre.
Inflacioni, 60% u krijuar nga çmimet
Inflacioni mesatar vjetor i vitit 2017 rezultoi në nivelin 2.0%, duke shënuar rritje kundrejt vlerës 1.3% të regjistruar gjatë vitit të kaluar dhe duke konfirmuar pritjet tona për ecurinë e tij. Profili i inflacionit gjatë vitit u karakterizua nga një rritje e shpejtë në tremujorin e parë, nga tendenca ngadalësimi në dy tremujorët pasues, dhe nga një rritje e lehtë në tremujorin e fundit. Normat mesatare të inflacionit gjatë gjashtëmujorit të parë dhe të dytë ishin përkatësisht 2.2% dhe 1.8 %. Rënia e inflacionit në gjysmën e dytë të vitit u shkaktua në një masë të konsiderueshme nga frenimi i presioneve të huaja inflacioniste, për shkak të efektit të kombinuar të rritjeve të ngadalta të çmimeve jashtë dhe të mbiçmimit të kursit të këmbimit.
Niveli dhe luhatjet e inflacionit vijuan të reflektojnë, në pjesën më të madhe, ecurinë e çmimeve të ushqimeve. Peshën kryesore në formimin e inflacionit gjatë vitit 2017 mesatarisht rreth 60%) e mbajtën mallrat e kategorisë “Ushqime të papërpunuara”, çmimet e të cilave janë subjekt i vazhdueshëm i goditjeve afatshkurtra. Këto goditje lidhen kryesisht me kushte specifike klimaterike, me luhatje të kërkesës për eksporte, si dhe me goditje të ndryshme në zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë analizon se forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste nuk ka pasqyruar ende plotësisht përmirësimin e pozicionit ciklik të vendit.
Kursi, pse po mbiçmohet leku
Pas një periudhe gati 5-vjeçare qëndrueshmërie, leku është mbiçmuar gjatë dy viteve të fundit. Ky mbiçmim kulmoi në tremujorin e tretë të vitit 2017. Analiza e Bankës së Shqipërisë tregojnë se mbiçmimi i kursit të këmbimit pasqyron si veprimin e faktorëve me natyrë afatgjatë, ashtu edhe veprimin e përkohshëm të faktorëve me natyrë afatshkurtër.
Në terma afatgjatë, ecuria mbiçmuese e kursit të këmbimit rezulton të ketë qenë gjithashtu subjekt i goditjeve afatshkurtra, të cilat kanë ndikuar në një mbiçmim më të shpejtë të monedhës se ai diktuar nga faktorët afatgjatë fondamentalë. Këto goditje afatshkurtra
i dedikohen përmirësimit të shpejtë deficitit tregtar dhe atij të llogarisë korrente gjatë fundit të vitit 2016 dhe tre tremujorëve të parë të vitit 2017 dhe, paralelisht me të, rritjes së flukseve hyrëse në llogarinë financiare, të cilat kanë korresponduar me periudhën e pikut të investimeve të huaja direkte.
Analizat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se ecuria e kursit ka qenë përgjithësisht në linjë me faktorët e vet fondamentalë. Gjithsesi, ndonëse në masë të vogël, shmangie nga kjo ecuri vihen re në periudhën 2009 – 2016, kur kursi real i këmbimit ka qenë më i dobët se ai i diktuar nga fondamentet dhe në periudhën 2016 – 2017, kur ky kurs shfaqet më i fortë se niveli teorik i përcaktuar nga fondamentet. Mbiçmimi i kursit të këmbimit vlerësohet të ketë prodhuar një ndikim rënës në inflacion, në sajë të rënies së çmimit të mallrave të importit, qofshin këto me destinacion konsumi apo me destinacion përdorimi të ndërmjetëm. Nga ana tjetër, vlerësimi i ndikimit të këtij mbiçmimi në aktivitetin ekonomik është më kompleks. Për sa kohë që tendenca afatgjatë mbiçmuese e kursit të këmbimit pasqyron efektin e faktorëve realë fondamentalë dhe jo zhvendosje të papritura portofolash financiarë, ajo nuk sjell pasoja të dëmshme për ekonominë shqiptare./Monitor