Të ndaluarit e protestës së Kukësit: Gjeni videot ku kemi kryer akte dhune, na dënoni dyfish
Gjatë të hënës në Tiranë, zbarkuan prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Kukësit ku kanë marrë në pyetje 23 personat e arrestuar pas protestës dhe shkatërrimeve në pikën e pagesës së tarifës për Rrugën e Kombit.
Të arrestuarit janë pyetur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe në komisariatet nr.1 dhe 3. Burimet pohuan se asnjë nga 23 të ndaluarit nuk ka pranuar se ka djegur apo qëlluar me gurë ndaj policisë në pikat e pagesës së tarifës të ngritur nga firma koncesionare, madje mësohet se ata kanë kërkuar një marrëveshje fjale me prokurorët se nëse ata siguronin video, ku ata duken duke kryer akte dhune, do të bënin dyfishin e viteve të burgut që parashikon vepra penale.
Të njëjtat burime kanë pohuar se pritet që të ndaluarit të dalin para Gjykatës së Kukësit ditën e mërkurë, ku do të caktohen masat e sigurisë për secilin prej tyre.
Ndërkaq, Policia e Tiranës ka njoftuar se ka nisur procedimin penal për tetë persona, të cilët mbrëmjen e 1 prillit kanë protestuar në hyrje të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ndërkohë, gjatë kohës që prokurorët zhvillonin seancat e pyetjeve, jashtë ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës qindra qytetarë nga Kukësi, por edhe nga Tirana kanë vijuar protestën për lirimin e 23 të ndaluarve, duke mbajtur për orë të tëra të bllokuar Rrugën Sami Frashëri.