Dhuna barbare në rrugën e Kombit, Rama: Dhunuesit e frymëzuesit e tyre nuk dalin dot mbi ligjin
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas degjenerimit të situatës në protestën e mbajtur nga banorë të Kukësit në Rrugën e Kombit.
Përmes një postimi në faqen e vet zyrtarë në Facebook, Rama shprehet i ashpër në reagimin e tij se dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe policinë do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjit.
“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit ndaj kujtdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se ia dalin dot mbi ligjin!” shkruan Rama.
Shumë shtetas kosovarë, duke shfrytëzuar fundjavën, janë nisur me mjetet e tyre drejt Shqipërisë, por bllokimi i aksit rrugor ka bërë që radhët të shkojnë në më tepër se 10 km.
Karvani i mjeteve fillon që nga dogana e Morinës dhe vijon deri në pikën ku koncesionari ka ndërtuar sportelet e vjeljes së taksës.
Më herët, para nisjes së protestës, edhe policia bllokoi ardhjen e mjeteve nga Kosova, me qëllim shmangien e pjesëmarrjes së tyre në protestë.
Protesta në Rrugën e Kombit kundër vendosjes së taksës doli jashtë kontrollit dhe protestuesit, pasi u përleshën me forcat e policisë, shkatërruan edhe sportelin e ngritur për pagesën e taksës, duke i vënë flakën.