Life StyleUnë

“Sikur Zoti të më falte pakëz jetë”

Nga Eva Golikja

 

“Sikur Zoti të më falte pakëz jetë” konsiderohet si letra e lamtumirës që shkrimtari kolumbian  Gabriel Garcia Marquez i la jetës publike pasi vuante rëndë nga kanceri. Nëpërmjet shprehjes të  një dëshire personale të tij në ato momente të fundit, ai edhe atëherë arriti njëkohësisht të përcjellë morale universale mbi rëndësinë e jetës te lexuesit e tij.

 Rrugëtimi i njeriut është i gjatë dhe njëkohësisht i vrullshëm. Ditët mbushur plot aktivitete kapërcejnë njëra tjetrën më një shpejtësi të tillë sa ne ndonjëherë nuk arrijmë të kuptojmë si iku kaq papritur ky vit, edhe tjetri, edhe tjetri…  Vetëm në fund, atëhere kur janë mosha, humbja e aftësive, lodhja dhe plogështia e pavullnetshme ato që na presin pa dëshirë hovin, ne detyrohemi të bëjmë një bilanc të jetës. Kur jemi duke vdekur, lutemi të kishim edhe një të vogël grimcë mundësie për të gëzuar merakun e mbetur nga jeta. Edhe sikur kjo e paimagjinueshmja të ndodhte, a do të mundeshim ne vallë në atë gjendje, të ndjenim shijen e vërtetë të atyre dëshirave?

 Sigurisht që mundësia e një segmenti jete, siç kërkon Markezi,  për të plotësuar edhe ato pengjet sado të vogla të skutura në sirtare të vogla të zemrës është e parealizueshme. Prandaj njeriu vetorganizohet. Ai mundohet të shfrytëzoje dhe shijojë minutat e çdo momenti që i ofron jeta duke mos nënvlerësuar asnjëherë ato që e bëjnë të ndihet i plotësuar.

Në sytë e Markezit ne nuk jemi gjë tjetër veçse një kukull prej lecke, kembët, krahët dhe kështu i gjithë fati i së cilës kontrollohet nga një forcë më e madhe, e mbinatyrshme, forca e Zotit. Gjithsecili i pafuqishëm kur vjen puna te përcaktimi i kohëzgjatjes së jetës. Ne e dimë kur kemi lindur, por nuk dimë se kur do të vdesim. Si rrjedhojë a nuk na ben kjo njëkohësisht të paaftë për të kuptuar se kur duhet të ndalojmë, të kthejmë kokën prapa apo të përpiqemi të zgjatemi sadopak përpara me qëllim që të shohim sa rrugë kemi bërë e sa na ka mbetur?

Edhe pse asnjëherë nuk është herët për t’u ndalur një cap dhe për të reflektuar, duhet të kuptojmë gjithashtu se vetë qenia njerëzore karakterizohet nga pangopshmëria. Perfektja nuk do të arrijë të ekzistojë nëse lartësia e majës së qëllimit të gjithkujt zgjatet, zgjatet, zgjatet, pas cdo përpjekjeje të suksesshme drejt saj. Edhe nëse ne fundin tonë do të ndihemi të plotësuar, do të ketë gjithmonë dicka që do ta kërkojë një copëz segmenti, sikur të paktën për të ripërjetuar atë plotësim.

 

Fraksion.com