AktualitetDialogNATO/BEPolitikë

Mogherini: “Momenti është tani”

Në Bruksel është zhvilluar takimi “Miqtë e Shqipërisë”, ku përveç kryeministrit Edi Rama, që ka kërkuar me bindje çeljen e negociatave për vendin tonë, edhe përfaqësuesja e lartë e BE, Frederica Mogherini ka shprehur vullnetin e unionit për të ecur përpara me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e saj Mogherini reflektoi frikën e BE për mënyrën sesi vendet e Ballkanit mund ta humbin me shpejtësi ritmin e integrimit, por mbi të gjitha theksoi se rrëzimi për Shqipërinë dhe të tjerët në këtë stad do të kishte kosto të mëdha, ndaj s’duhet të ndodhë.

“Rreziku i të mos ecurit përpara është të rrëzohemi dhe nëse rrëzohet Shqipëria apo Ballkani Perëndimor nuk është aspak në interes të rajonit, aspak në interes të BE. Kjo është shumë e qartë për mua. Në Ballkan kam mësuar se gjërat mund të ecin shumë mirë shumë shpejt dhe mund të shkojnë shumë keq shumë shpejt. Zgjedhja me të cilën ne përballemi si institucione është e qartë; që do të thotë nuk duam të humbim  rezultatet e një pune të përbashkët të shumë viteve”, nënvizoi Mogherini.

Sipas saj, Shqipëria dhe fqinjët e saj duhet “të mos humbin mundësinë që kanë dhe momenti është tani”.

“Do ta përmbyll duke thënë, së pari për  të pasur një rekomandim të pakushtëzuar për Shqipërinë dhe jo vetëm për Shqipërinë dhe së dyti, dhe për të bërë që KE të vendosë në qershor të çelë negociatat dhe më pas do të fillojë”, deklaroi Mogherini.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së gjeti momentin për ta shoqëruar edhe me humor diskutimin për procesin  integrues të Shqipërisë, duke thënë se Shqipëria është e integruar, pasi ka tre këngëtarë që përfaqësojnë tre vende në Eurovizion.

“Keni tre shqiptarë në Eurovizion që përfaqësojnë tre vende të ndryshme, kështu që jo vetëm jeni integruar në disa prej vendeve, por kam përshtypjen që është Italia, Shqipëria dhe Qiproja. Fituat edhe Sanremon”, u shpreh ajo.