AktualitetPolitikëTë fundit

Samiti i Komunitetit Politik Europian/ Mbërrin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, shtrëngim duarsh me Ramën

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka mbërritur në Samitin e Komunitetit Politik në Tiranë, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama.

Ai u shpreh për mediat se priten vendime pozitive nga Samiti që po mbahet sot në kryeqytetin shqiptar.

“Çfarë është ajo që prisnim, presim shumë gjëra me vëllanë tim shqiptar. Në Shqipëri e gjithë bota do të thërrasë zërin e paqes”, ka thënë në turqisht Erdogan.

Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian nis sot punimet në Tiranë nën logon “New Europe in a new world”, duke shënuar takimin e tij për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrjen e liderëve, kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 47 vende europiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.

Mikpritësi i Samitit, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës takime dypalëshe me personalitetet pjesëmarrëse, në mjediset e dedikuara, duke nisur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte e më pas me Kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez; Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos Albertin II; Kancelarin e Austrisë Christian Stocker; Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Hollandës Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.

Pjesë e ngjarjeve të ditës do të jenë edhe ceremonia e mirëseardhjes në Samit, si dhe performanca të ndryshme artistike, promovuese të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare.

Samiti do të vijojë përgjatë ditës me seancat plenare dhe tryezat e diskutimeve.


Fraksion.com