AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Rruga e re Shëngjin-Velipojë rrit aksesin turistik, mbështetje ekonomive të Shkodrës e Lezhës

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ishte sot në Shkodër, Velipojë në një takim me përfaqësuesit e bizneseve.

Duke folur për rrugën e re Shëngjin-Velipojë, Rama u shpreh se, “përfundimi i kësaj rrugë të re është vërtetë një moment lehtësimi, sepse me këtë rrugë të re, si dhe me segmente të tjera të kësaj natyre, që i kemi investuar, apo po vazhdojmë të investojmë nëpër Shqipëri, i zbulojmë shqiptarëve, por edhe turistëve një pjesëz të magjishme Shqipërie që deri dje ishte e paaksesueshme dhe patjetër që fuqizojmë mbështetjen për të gjithë ekonominë vendore të Shkodrës dhe të Lezhës. Nuk diskutohet shtojmë të ardhura të tjera për ekonominë tonë kombëtare”.

Rama u shpreh shumë optimist, duke pasur parasysh, theksoi ai, “stokun e projekteve të reja tuajat, të sipërmarrjes në Lezhë dhe në Shkodër, por edhe të shumëkujt tjetër që s’është këtu me ju sot, sepse janë projekte të një gjenerate tjetër në të gjitha drejtimet”.

“Kemi mbledhur dhe krijuar një rrjet absolutisht unikal arkitektësh, të cilët do të jenë edhe pjesë e pavijonit të Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia që hapet së shpejti”, tha Rama, teksa inkurajoi sipërmarrësit që të shkojnë ta ndjekin këtë Bienale.

“Është krenari e madhe që Shqipëria në këtë edicion të Bienales do të përfaqësohet me një mozaik të jashtëzakonshëm arkitektësh”, tha Rama teksa shtoi se, “shumëkush nuk e beson akoma që kjo mund të ndodhte në Shqipëri, por ja që kjo po ndodh”.

“Janë projekte shumë ambicioze por që do t tërheqin këtu atë që na mungon sot, fuqinë e madhe të konsumit nga ana e kategorisë së turistëve që shpenzojnë shumë”, tha Rama.

Natyrisht, shtoi Rama, “ata kanë nevojë për këtë lloj infrastrukture të re mikpritjeje që po krijojmë dhe pastaj të ardhurat rriten në mënyrë të jashtëzakonshme”.

Ashtu sikundër, shtoi Rama, rritet shumë ndjeshëm edhe mundësia, por edhe nevoja për të paguar shumë më tepër edhe stafet, sepse e gjithë lidhet me cilësinë”.

Rama inkurajoi sipërmarrësit që të synojnë maksimumin e cilësisë.

“Ne do të jemi shumë mbështetës por edhe shumë rigoroz për sa i përket gjithë zhvillimeve në këto hapësira të reja”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se janë bërë gabime në të shkuarën në zhvillimin e bregdetit

“Kemi bërë si vend shumë gabime në të shkuarën, normale janë gabime të rritjes. I kanë bërë të gjitha vendet, nuk është se jemi ne të parët që i bëjmë. Kemi bërë gabime në zhvillimin e bregdetit tonë në të shkuarën. Pa llogaritur edhe ato furitë e ndërtimeve absurde që janë bërë në fillimet e tranzicionit”, tha Rama.

Por, shtoi ai, “kemi shumë akoma mundësi për të krijuar një infrastrukturë hotelerie dhe një infrastrukturë mikpritjeje shembullore, duke përfituar nga eksperienca e krijuar, por edhe nga eksperienca e atyre që kemi tërhequr në këtë vallen tonë të evropianizimit dhe të modernizimit të Shqipërisë”.

Rama u shpreh se zona e Shëngjin-Velipojë është një nga zonat më të bukura të Evropës dhe meriton një zhvillim me standardet më të larta të Evropës.

 

Fraksion.com