Protestuesit kundër Netanyahut mblidhen në Jerusalem, ndërsa numri i të vdekurve në Gaza shkon në 404
Protestuesit po mblidhen pranë parlamentit të Izraelit, Knesset, në Jerusalem për të demonstruar kundër vendimeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të rifilluar luftën në Gaza dhe për të shkarkuar kreun e agjencisë së sigurisë së brendshme, Shin Bet raportojnë mediet ndërkombëtare.
Pankartat bëjnë thirrje për kthimin e të gjithë pengjeve dhe dënuan atë që ata e shihnin si rrezik për demokracinë e Izraelit.
Protestuesit mbajtën postera me slogane:
“Qeveria mashtruese: Lideri është fajtor tani” dhe “Mos më lini në Gaza”, krahas një fotografie të Inbar Hayman, një peng që u vra ndërsa ishte në robëri të Hamasit në Gaza dhe trupi i të cilit mbahet ende nga grupi.
Hamasi dhe aleatët e tij ende mbajnë 59 pengje në Gaza. Prej tyre, 58 persona u morën nga Izraeli më 7 tetor 2023 (55 burra dhe tre gra). Sipas qeverisë izraelite, 34 prej tyre janë deklaruar të vdekur dhe 24 besohet të jenë gjallë.
Një tjetër peng, ushtari Hadar Goldin, u vra në vitin 2014 dhe trupi i tij është mbajtur rob që atëherë.
Ndërkohë numri i të vdekurve nga sulmet e rifilluara të Izraelit në Gaza ka arritur në 404, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavë, duke shtuar se disa njerëz mbeten të bllokuar nën rrënoja.
562 persona të tjerë janë lënduar, tha ministria e shëndetësisë.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal, i tha mediave se “më shumë se 130 fëmijë dhe shumë gra” janë vrarë, duke përfshirë familje të tëra.
“Ne jemi përpara një situate shumë të vështirë dhe përpjekjet tona mjekësore dhe të mbrojtjes civile nuk përmbushin shkallën e nevojshme të katastrofës,” tha Basal.
Fraksion.com