Vendet arabe dhe islame dënojnë sulmet e Iranit, bëjnë thirrje për de-përshkallëzim
Vendet arabe dhe islame kanë dënuar ashpër sulmet e “qëllimshme” me raketa balistike dhe dronë nga Irani, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të tyre dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Kryediplomatët e Turqisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Egjiptit, Jordanisë, Kuvajtit, Libanit, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite, Sirisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dje u mblodhën në Riad për të diskutuar mbi sulmet e fundit iraniane dhe përshkallëzimin më të gjerë rajonal.
Kryediplomatët në një deklaratë të përbashkët thanë se sulmet kanë shënjestruar zona civile dhe infrastrukturë në vendet fqinje, duke theksuar se veprime të tilla nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Ata theksuan se shtetet kanë të drejtë të mbrohen në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së ndërsa i bënë thirrje Iranit të ndalojë sulmet dhe të promovojë diplomacinë për uljen e tensioneve.
Kryediplomatët gjithashtu i kërkuan Iranit të përmbahet nga kërcënimi i lundrimit ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit dhe sigurisë detare në Bab al-Mandab si dhe të ndalojë mbështetjen, financimin dhe armatosjen e milicive të lidhura në vendet arabe.
Ata rikonfirmuan mbështetjen për sovranitetin, stabilitetin dhe integritetin territorial të Libanit, duke mbështetur përpjekjet për kufizimin e armëve vetëm në duart e shtetit si dhe dënuan sulmet e Izraelit ndaj Libanit dhe politikat e tij ekspansioniste në rajon.
Fraksion.com

